Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo, mendon se po t’i jepej mundësi për të ndërruar skuadrat në shortin e Euro 2024, nuk do ta bënte një gjë të tillë. Braziliani ka treguar në një intervistë për “Sport News” në “News 24” se si po i përjeton ditët pas shortit që përcaktoi rrugëtimin e kuqezinjve në aktivitetin e verës së ardhshme.
Dy foto kanë bërë xhiron në rrjet këtë periudhë, foto juaj me flamurin kuqezi mbi supe dhe “selfie” juaj me trofeun e Kupës së Evropës. Meqë jemi tek ëndrrat, mund ta fitojë Shqipëria Europianin?
Është një ëndërr e bukur, është një ëndërr e bukur që ishim aty për herë të dytë, shumë bukur. Kemi bërë shumë mirë, ishte një rrugëtim i rëndësishëm, por tani që jemi aty duhet të mendojmë, pasi është një short shumë i vështirë, i fortë, por na bëhet qejfi. Nëse futemi te batuta, në futboll mund të ndodhë gjithçka, në një ndeshje teke mund të ndodhë gjithçka, por e dimë se aty duhet të rritemi, të përmirësohemi, të provojmë forcën tonë, por është një kampionat i bukur.
E ke idenë çfarë mund të ndodhë nëse sjell atë Kupë në Shqipëri. Nuk e di çfarë mund të dhurojë kryeministri Rama përveç “Shqiponjës së Artë”…
(Qesh)Të fitonim do të ishte një çmenduri, jashtë logjike, lërë me mirë, më mirë të mos mendojmë se çfarë do të ndodhte më pas (qesh).
Mirë, kthehemi në realitet. Më thuaj të drejtën, e mendoje që në më pak se një vit do të ishe në “Euro2024”, mes 24 ekipeve më të mira në Evropë, përkrah trajnerëve si De La Fuente, Daliç e Spaleti? Çfarë ndjesie të krijoi?
Nuk është e thjeshtë, por kur e morëm përsipër këtë detyrë, e shinim që mundësia ishte. Sigurisht, nuk ishte një grup i lehtë, Republika Çeke është e fortë, Polonia është e fortë, më pas pamë edhe Moldavinë që ishte aty deri në fund, në lojë. Por ne bëmë mirë. Më pas, te shorti, ashtu siç thoni ju, me trajnerë të rëndësishëm, me skuadra të rëndësishme në Evropë, është një ëndërr e bukur, kjo reflekton të gjithë punën tonë, të gjithë popullit, federatës, neve si staf dhe lojtarëve sigurisht. Ata janë protagonistët, ata bënë shumë mirë, është një ëndërr e bukur.
Mister, e dini që jeni trajneri i vetëm jo Europian në “Euro2024”, një brazilian që udhëheq një përfaqësuese që ka aq banorë sa Brazili ka futbollistë profesionistë. Duket më shumë si një film…
Mbase nuk është hera e parë, më kujtohet, kur isha lojtar, isha lojtari i parë brazilian që shkoja tek Arsenali. Tani braziliani i parë trajner, në botën e futbollit të bukur europian. Kjo është një ëndërr e bukur për të gjithë ne, ta lëmë këtë pjesë, brazilian, spanjoll etj, është diçka e bukur që Shqipëria shkon për herë të dytë në një Europian, në Gjermani, kjo po është e bukur.
Çfarë mendoje në ato momente kur goglat nxirrnin me radhë ekipet më të forta të mundshme…
Pikësëpari, ishte një mbrëmje e bukur. Përpara se të niste shorti, të gjithë e dinim se do të ishte e vështirë. Në trajnerët aty, bënim shaka me njëri-tjetrin. Më pas kur shihnim ekipet me radhë 1, 2, 3, 4, ishin të gjitha të forta. Ne e dinim, ishim të vetëdijshëm se nuk do të ishte e lehtë, por është e drejtë, kur sheh Italinë në vazon e katërt dhe të bie në grup, bëhet një grup më i vështirë, janë të gjithë të fortë. Avantazhi i Evropianit është se nëse ne dëshirojmë të rritemi si ekip duhet të përballemi më skuadra të forta si këto, pra qëndron si short, është i bukur.
Kë doje të hiqje, më thuaj vetëm një përfaqësuese që do e ndryshoje me kënaqësi…
Unë jo, presidenti është shprehur se dëshironte të luante me Gjermaninë ndeshjen e parë. Gjermania ishte në grupin e parë, Spanja e dyta, ishin afër, për pak. Ne jemi aty me Spanjën, me të vërtete jo, kur rri e mendoj nuk do ndryshoja asnjë, jo.
A është ky një short luksi për ju? Fundja askush nuk do të kërkojë llogari, nëse mund të shprehemi kështu, një grup pa presionin e rezultatit.
Unë mendoj se është një grup i vështirë, por na bëhet qejfi, neve si staf edhe lojtarëve. Kur flasim për presion, nuk e mendoj kështu. Ne mendojmë të përgatitemi mirë, të shkojmë aty dhe të bëjmë një Europian të mirë. Për ne është një sfidë të përballemi me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, por është bukur, janë skuadra të rëndësishme që janë mësuar në këto turne, t’i shkojnë deri në fund, të fitojnë. Ne kemi rrugëtimin tonë, ne duhet të mësohemi të luajmë në Europian, në Botëror. Ne duhet të punojmë të shkojmë gjithnjë aty, ose thuajse gjithmonë, presioni administrohet mirë, por ne e dimë që do të jetë e vështirë.
E sigurt është që lojtarët kërkonin rivalë të tillë, është një vitrinë luksi. Po për ju, a është një vitrinë ky Europian kundër këtyre rivalëve?
Mendoj jo në nivel individual, por në nivel kolektiv po, si grup po, është gjithnjë e rëndësishme, pasi ne si grup arritëm ato rezultate, vendin e parë. Ne jemi një, kemi një mundësi për të ecur përpara, të gjithë së bashku. Në këtë grup nuk mund të mendojmë në mënyrë individuale, duhet të mendojmë si një skuadër, si një popull. Aty mund të bëjmë diçka të rëndësishme nëse qëndrojmë të gjithë së bashku.