“Do kaloja kufirin që të luaja futboll, por më arrestuan”- Drama e Lulzim Shalës që u dënua me 9 vite burg më ‘74! Njohja në Spaç me Mikel Koliqin dhe këshillat që i dha në burg

UVIL ZAJMI/ Futbollist i talentuar, me perspektivë i vlerësuar nga Anton Mazreku, i afruar nga i mirënjohuri Xhavit Demneri tek të rinjtë e “17 Nëntorit” dhe as 18 vjeç titullar me ekipin e madh të Myslym Allës. Një karrierë, që dukej se nuk do të kishte limite, në atë shkëlqim në nisje, gjithçka do të ndryshojë, ku kur në mjedisin futbollistik kryeqytetas do të qarkullonte lajmi tronditës: “Është arrestuar Lulzim Shala”. Biografia, akuzat, procesi gjyqësor, dënimi, burgimi në Spaç, këshillat e Mikel Koliqit dhe më pas internimi. Pastaj vitet e demokracisë, në funksionet e një zyrtari. Një histori kjo të cilës ai i rikthehet dhe për gazetën “Panorama” e tregon deri në detaje. Flet qetë, bukur, pa harruar asgjë.
Lulzim Shala duke folur për gazetën “Panorama”
Lulzim Shala duke folur për gazetën “Panorama”

Z. Luli, sa e lidhur ishte familja juaj me sportin?

Jo me traditë sportive, nga tre fëmijët vëllai më i madhi, motra e dyta unë i treti, i lindur më 1951, kam qenë 15 vjeç, në kampionatin e rrugicave të Tiranës, bashkë me Petrit Brahjen, luanim me “Teli Ndinin”. Finalet u zhvilluan në Pallatin e Pionierëve, dolëm kampionë. Për këtë veprimtari ka shkruar edhe Anton Mazreku në një numër të gushtit 1966 në gazetën “Rinia”, që e ruaj ende sot, duke më cilësuar mua si një ndër më të mirët e aktivitetit.

Shfaqet Demneri, mjeshtri i trajningut kryeqytetas?

Një ditë vjen Xhavit Demneri, trajneri, zbuluesi i talenteve, më merr me të rinjtë e “17 Nëntorit”. Me moshë më të vogël, stërvitesha në një ekip me lojtarë më të mëdhenj se unë, të datëlindjes 1949, ndër të cilët Durim Hatibi, Arben Cela, Kujtim Kika, një portier i mirë. Luaja sulmues, isha i fortë dhe me të dhëna fizike të mira. Probleme me materialet sportive, bëheshin pis m’i lante mamaja.

Jeni i përzgjedhur, nis një fazë entuziaste për ju?

Viti 1968, ndërsa po zhvisheshim për të nisur stërvitje, Demneri thotë: Lul Shala, Bujar Lubani, dhe Petrit Brahja do të shkoni tek ekipi i parë. Nga “Vasil Shanto” me vrap në Qytetin e Nxënësve, kur po na priste Lym Alla me Enver Shehun. “Eja gjalë, na tha me dashamirësi”-siç fliste profesori. Çfarë emocioni, do stërviteshim në një ekip me futbollistë të jashtëzakonshëm. Në fundin e 1968-tës, muaji dhjetor “17 Nëntori” u shpall kampion pas fitores 2-1 në Lushnje ndaj Traktorit. Shorti për Kupën e Kampioneve, na ra me “Standard” -in e Liezhit. Tre muaj grumbullim, kur në qershor shkuam në plazh te Hotel “Kruja”, më pas fazë përgatitore në Dajt, pastaj te hotel Donika, stërviteshim në stadiumin “Qemal Stafa”. Ndaj “Standart” -it morën si përforcim Panajot Panon, me të cilin kam pasur fatin të jem për një kohë të gjatë, bashkë në hotel, stërvitje, kudo. Nga Dinamo erdhi edhe Gani Xhafa me portierin Jani Rama.

Drejt Belgjikës, por te “Donika” lexohet tjetër listë

Isha i sigurtë që do më merrnin në Belgjikë, por pse nuk shkova nuk e di. Një natë përpara, ndërsa ishim në klub, ku po flinim, pasi te Donika nuk na merrte të gjithëve dhe ne të rinjtë, mua Lubanin, Fred Gjonin na dërgonin aty. Ora 1 gjysmë pas mesnate, vjen Mon Metani, që po e prisnim për të na dhënë ndonjë informacion, pasi asnjëri nga ne nuk kishte dalë jashtë shtetit. Hë Mon e pyet Fredi? Ky i vogli, për mua do të iki tha. Nuk më zuri gjumi gjithë natën. Të nesërmen kur u lexua lista te Hotel “Donika”, emri im nuk ishte.

Sidoqoftë në formacion, te 17 Nëntori legjendar?

U kthyen nga Belgjika, në Tiranë, kam qenë në stol. Nis faza e parë 1970-71. Ndeshjen e debutuese e kam te fusha e vjetër e Kavajës, ndaj Besës. Kam “Sporti”-n e atij takimi e diele 16 nëntor 1969, arbitër vlonjati Faik Bajrami. Luaj në sulm me Hykën, Xhaçkën, jo Ishka i dëmtuar, në vendin e tij unë. Mbrojtës i djathtë Fatmir Frashëri, qëndërmbrojtës Perikli Dhales, Kasmi i majtë. Mesfushë Bukoviku, A Mema, Bytyci. Tek kavajasit kujtoj Ali Karriqin, Gjocin, Hushin, Merhorin, Pagrinë, emra të njohur. Kohë e keqe, shi, tereren i rënduar. Po luaja shumë mirë, Alla më ndryshonte pozicionin, duke më spostuar edhe sulmues i djathtë.

Ndeshja e parë, ju dëmtojnë, vjen zëvendësimi nga një emër i njohur?

Në një moment Hushi me goditi rëndë. Në fushën e sportit kisha vëllain, i cili më ka ndjekur që i vogël, dhe nga pas telave rrethues, më bërtiste, mos dil, duro, rezisto. I ri, ndonëse me dhimbje u riktheva në lojë, kur një tjetër goditje, bie ne tokë. Vjen Mon Metani, ndihmës mjeku, ma mpinë, por ishte e pamundur. Edhe pak minuta kishin mbetur, më ka zëvendësuar Osman Mema. Ndeshja u mbyll 0-0. 17 vjeç në formacion me ekipin më të madh të kohës ishte e vështirë të luaje, thuajse e pamundur.

Në Patos, papritur Alla nuk ju aktivizon?

Pas ndeshjes në Kavajë, shkuam në Fier, stadiumi ishte në konstruksion, na çuan në Patos. Para takimit, Alla më thotë: “Ti djalë nuk do të luash sot”. Qëndrova në stol, fituam 2-1. Kur mbaroi loja, Lymi më drejtohet: “Nesër do luash me të rinjtë e Tiranës, ndaj Dinamos”. Pra, qëllimisht nuk më kishte aktivizuar. E kisha ende moshën, fituam 2- 0, një takim që u luaj në “Dinamo”.

Pas takimit, ku jeni assit man, në radio ka elozhe për ju?

Ndeshjen e fundit të asaj faze e kishim në Gjirokastër, te fusha e vjetër, ajo pranë rrugës, automobilistike. Binte një vesë shiu. Në pjesën e dytë një harkim nga e djathta e Frashërit, kërcej me kokë, ia ul topin Bytycit që realizon, dhe 1-0 për ne. Po ktheheshim me Roburin, shofer Fiqon, kishim ndaluar në një restorant për darkën, në radio fillon “Rubrika sportive”. “Kampionia e vjeshtës “17 Nëntori”, fiton në Gjirokastër, nis komentin Ismet Bellova, që pas ndarjes nga jeta të Anton Mazrekut disa muaj më parë, e drejtonte ai atë emision. Nga fillimi në fund e mbaroi me emrin tim. Futbollist i perspektivës, ishte ai që i dha topin Bytycit që shënoi golin e vetëm të takimit”. Kthenin kokën, të gjithë më shihnin mua.

Në “Sporti”, i mirënjohuri Zyber Konci flet për disa të rinj të talentuar?

Në atë material, flitet për më tepër besim që i duhet dhënë futbollistëve duke kthyer më tepër sytë të të rinjtë. Krahas trajnerëve që punojë me moshat, si Xhavit Demneri, Leonidha Dashi, Shefqet Lamcja, Xhelal Juka, Bejkush Birce, profesor Konci, kur flet për disa lojtarëve të talentuar, midis emrave si P. Gjoni, A. Bulku, V. Zëri. A. Krantja, K. Kodra, H. Mergjyshi, V. Lico, L. Sakiqi, P. Sulovari, E. Xhaferri, midis tyre është edhe emri im.

Një fletë thirrje e shërbimit ushtarak, ju largon nga Tirana?

Shkurt-mars 1970, para se të nisesha e diskutova me profesor Lymin, që më donte shumë, i cili foli për të më çuar në Korçë o Gjirokastër, pasi në Tiranë nuk mund të qëndroja, nuk lejohej. Kishte kohë që pati dalë një rregull për sportistët kryeqytetas që thirreshin ushtarë, nuk mund ta kryenin atë në Tiranë. Më caktuan në Gjirokastër, të luaja me “Luftëtarin”, ku ishte edhe Ramadan Shehu. Duke menduar që Shehu të kishte një shok, Lymi ishte interesuar në degën ushtarake, madje ka ardhur të më përcjellë te pallati i sportit “Partizani”.

Te “Luftëtari” së bashku me lojtarë të njohur?

Tre muajt e parë kreva karantinën, pastaj në ekip ku trajner ishte Foto Xhai. Aty gjeta të ndjerin Sefedin Brahon, sapo kishte filluar, Kalluçin, vëllezërit Caro. Skuadra ishte në Kategorinë e Parë. Nuk u lejonte të luanin më shumë se tre ushtarë me rrethet, ndërsa ne ishim më shumë: Ramadan Shehu, shkodrani Çesk Ndoja, lushnjari Skënder Aliko, vlonjati Koto Zile dhe unë. Ka qenë nëj ndeshje e kampionatit të të rinjve dhe në Fier, si Braho që ishte i datëlindjes 1953, edhe unë, kishim ende moshën, luajtëm në formacion me “Luftëtarin” kundër Apolonisë.

Përballë “17 Nëntorit”, ka problem për ju?

Në fushën e vjetër, u aktivizova në pjesën e dytë, sezoni 1969-70, si sulmues i majtë, me Ramadan Shehun në sulm. Kundërshtar kisha Fatmir Frashërin. Në fundlojë, më vjen një top, afër portës, por nuk munda ta godas mirë, duke humbur një rast të pastër. Gjuajtën e priti Bujar Tafaj. Reaguan tifozët: Nxirre, nxirre, çojeni në Çajup. Të nesërmen në mëngjes vjen makina më merr dhe në majë të Çajupit se aty e kisha repartin e punës. Me lanë atje për një kohë të gjatë.

Shtator 1970- qershor 1971, një edicion për t’u harruar?

“Luftëtari” luan në të dytën, dhe ajo që kujtoj lidhet me një kampionat ushtarak, në Gjirokastër. I thotë Ramadan Shehu, drejtuesve, duhet marrë Shala, është I rëndësishëm. Ndodhesha në regjiment, pa stërvitje, shtuar në peshë, merresha me rregullimin e disa terreneve sportive. Vjen korrieri, më thërret komandanti, ishte tifoz, në këmbë janë nisur. Me ekipin e Korpusit të Gjirokastrës ishim katër ushtarë futbollistë: Ram Shehu, Koto Zile, Skënder Aliko dhe unë. Arben Pisto trajner. Në finale ndaj FUD-it që ishte bregdeti, një ekip thuajse të gjithë lojtarë të njohur, deri edhe të ekipit Shpresa, si Gud Tafaj, Naim Allaj, Osman Kapedani. Fituam 1-0, u shpallëm kampionë.

Në Tiranë vjen Ajaksi, me të edhe një ftesë për futbollistin Shala?

Në shtator të vitit 1970, isha në Gjirokastër, kur “17 Nëntori” do të luante me Ajaksin për Kupën e Kampioneve. Drejtuesit e “17 Nëntorit”, më sollën letrën mua dhe Shehut për t’u grumbulluar. Ramadan Shehun erdhi unë jo, nuk më lejuan nga klubi.
Polifoto me Dajtin
Polifoto me Dajtin

Keni një propozim, që e refuzoni?

Në sezonin 1971 -72, “Luftëtari” është në të parën, po më vinte koha të lirohesha, kur klubi më propozoi të qëndroja në Gjirokastër. Jo i përgjigjem, do kthehem në Tiranë. Më hoqën dhe më dërguan në Tepelenë, në një repart. U morr vesh menjëherë se ka ardhur një futbollist i “17 Nëntorit”. Kryetar i degës ishte Zyhdi Aga, nga Tirana, edhi më takoi. Pa asnjë ditë stërvitje në formacion me ekipin e “Minatorit”, në Erskë ndaj Gramozit. Fundi i fazës e parë, ka qenë. Pak kohë aty, më transferojnë në Berat, repart xhenjo. Në mars të 72-shit u lirova.

Rikthim te ekipi ku nisët karrierën, cila ishte situata?

U ktheva në Tiranë, mars ‘72, nisa stërvitjen me 17 Nëntorin. Nga skuadra ishin larguar pjesa më e madhe, gjeta Skënder Hykën, Gëzim Kasmin, Arben Celën, Ramadan Shehun. Edhe Lym Alla nuk ishte. Ekipin e pati marrë Fatmir Frashëri me Ver Shehun. Ishin afruar disa lojtarë të rinj. Faza e parë 1972-73, jam aktiv në formacion, duke u shkëmbyer me Petrit Dibrën.

Viti 1973, jepet një urdhër i papritur?

Nuk e kuptoja që biografia do të më pengonte, se nuk i jepja rëndësi, pasioni për futbollin ishte shumë i madh. Ka qenë fillimi i fazës së dytë, kur një ditë, sapo mbarova drekën, po dilja për të ikur, te klubi në Rrugën e Kavajës, më thërret një drejtues, dhe më thotë: Për momentin, nuk do të jesh më në trajtim. Kishin thirrur edhe një grua të mencës. Sapo pata firmosur, një procedurë kur mbaronim drekën. Nuk e vura re, që i kishin vënë vizë emrit tim. Sigurisht që edhe atyre i vinte turp, deri në një urdhër të dytë më thanë. Nuk shkova më as në stërvitje, dhe nga klubi nuk ka më interesim.

Një formacion periferik, një zgjidhje e mirë, që ju pëlqen?

Bisedova me disa shokë, miq që luanin me “Dajtin”, si Astrit Maci, Dan Jasharin. I thonë Robert Jasharit që ishte trajner, që Lul Shalën e kanë larguar nga “17 Nëntori”. Faza e dytë, më marrin menjëherë, më bënë federimin. Aty gjeta Llaq Konomin, Fat Mersini, Bujar Dervishin, Zija Shabën, ekip i bukur, një grup i mrekullueshëm. Zv/ trajner ishte Mario Ruco. Në sulm luaja me të ndjerin Petrit Pustina. Për t’u aktivizuar me Dajtin, duhej të punoja në një ndërmarrje të zonës së Kamzës. Ndërhyri Bert Jashari, pranë një ferme, pra mjafton të figuroja në punë. Luanim në fushën e Institutit Bujqësor

Titullar dhe fitues, por jo në elitën e futbollit shqiptar

Pra jam lojtar i “Dajtit” në fazën e dytë të atij kampionati me dy grupe, A ne të parët dhe në atë B “Naftëtari”. Finalja u zhvillua në Vlorë, fituam 2-1, një ndeshje shumë e rivalizuar. Koha e rregullt u mbyll 1-1, golin për ne e shënoi Pustina, ndërsa për ata Sulejmani, një lojtar i njohur. Në kohën shtesë, Malaj realizoi golin e dytë. Kujtoj se në ceremoninë mbyllëse, medaljet na I ka dhënë Astrit Zhorda. Pastaj befasi: ndërsa përgatiteshim të luanim në kategorinë e Parë, vjen një urdhër shtetëror, që “Dajtit” i hiqet e drejta të luajë në Kategorinë e parë. Gjetën shkak, që janë shumë skuadra nga kryeqyteti në këtë kategori, se bashkë me tre të njohurat ishte edhe “Shkëndija”. Nis sezoni 1973- 74, jemi sërish në të dytën.

Ka një reagim, merrni një tjetër njoftim befasues

Ndjehesha mirë, i qetë me “Dajtin”, stërvitje, trajtoheshim në një restorant te Zogu i Zi, zakonisht me bonuse 100 lekeshë në dorë. Në atë kohë, kishte ardhur edhe Gëzim Kasmi. Një ditë, shefi i klubit, Izedin Milla, njeri i mirë, bashkë me një tjetër person më thotë: “Luli për momentin nuk do të vish më, do të njoftojmë ne. Më hoqën edhe nga “Dajti”, Këtu ndërpritet futbolli për mua. As 22-23 vjeç. Ka qenë fillimi i vitit 1974.
Fragment nga gazeta Zëri i Rinisë, sjkrimi i Anton Mzrekut
Fragment nga gazeta Zëri i Rinisë, shkrimi i Anton Mzrekut

Keni një periudhë të gjatë pauze pa luajtur?

Tentova disa herë, por asnjë skuadër nuk më afronte. Luaja vetëm me ndërmarrjen. Pranverë 1976, marr trenin, shkoj në Lezhë, të takoj trajnerin Isuf Pelingun, me të cilin ishte biseduar për të luajtur me “Beslidhjen”. E kërkoj në klub, mund të jetë duke gjuajtur peshk, në Shëngjin te anijet më thonë. Me autobusin e linjës, e gjej, e përshëndes, jam ai djali nga Tirana i them. O sa mirë më përgjigjet me dashamirësi. A vjen ditën e enjte? Materialet, këpucët me vete, të enjten jam aty, ku gjej Nikolin Lorencin, dikur bashkë me Korpusin e Gjirokastrës. Ishte ndeshje kontrolli me të rinjtë e “Vllaznisë”.

Nga sulmi në mbrojtje, një rol i ri për Lul Shalën?

Në dhomat e zhveshjes Pelingu më thotë: Luli ne kemi nevojë për mbrojtës, jo sulmues. Luajta qendërmbrojtës. Unë e kam përdorur kokën shumë mirë, kur te Dajti me thoshin “Mbreti ajrit”. Fituam 2-0. Do të vish të hënën, do të flesh te hotel “Gjuetia”, atje të kemi caktuar”- më informon Isufi. Një hotel i bukur, kisha qenë me të rinjtë e Tiranës.

Në pritje, nën survejim të plotë?

Shkoj te agjencia, në pritje për në Tiranë, vjen një Robur. Ishte “Shkëndija” që kthehej nga Shkodra, ndeshje kontrolli. Dalloj Sul Starovën, Sul Memën, disa të tjerë. I thonë trajnerit Rreli ta marrin Lulin, po iu përgjigj ai. U ula, pa bërë fjalë, ndërsa autobusi po nisej, vija re lojtarët që më shihnin pak me dyshim. Në nja çast, Starova më thotë: Lulo ç’janë gjithë këto kaleca këtu? Sapo hyre ti në autobus erdhën. I njohën se binin në sy. Nuk di gjë i sqaroj, s’më shkonte mendja për asgjë dhe që nuk i kisha vënë re. Ata kishin qenë edhe në stadium.

Pra, ndaj teje ka filluar ndjekja…

Si rrodhën ngjarjet më pas i kam menduar edhe këto. Më ndiqnin nga frika se do arratisesha. Dikush i kishte informuar. Një ditë të bukur me arrestojnë. Që të them se më më morën kot, jo, pasi kisha folur për diçka të tillë, më fliste shpirti. Të më heqësh nga futbolli pa asnjë motiv, as 22 vjeç, isha i mërzitur. Vëllai më thoshte gjithmonë mos fol. E pata vendosur të ikja, dhe vetëm për të luajtur futboll. Kisha kohë që projektoja një plan të tillë. Qëllimisht po angazhohesha me “Beslidhjen”, për të qenë i përgatitur, jo pa stërvitje. Në Jugosllavi bëhej fjalë. Ndërkohë, punoja në minierën e Valiasit, dhe aktivizohesha me skuadrën e Minierës kur kishim aktivitete me ndërmarrjet

Një gaz kinez, nis kalvari për Lulzim Shalën?

Zbrita në Tiranë, po më ndiqnin nga pas. Duke iu afruar shtëpisë takova një mik, që edhe ai e vuri re, Lulo c’janë gjithë këta sikur po të ndjekin. Më përcill deri te shtëpia i them. Pashë sipër murit disa koka të tyre që po më ruanin. Nuk mundën të më arrestojnë aty. Të nesërmen, duke shkuar në punë në Valias, në orën 6 të mëngjesit, te karburanti, ku është edhe sot, pranë ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, ku nisej autobusi i linjës, isha mbështetur, kur erdhën më arrestuan. Nuk kishte njerëz, më futën në një Gaz BC, kinez.
Lulzim Shala me te rinjtë e 17 Nëntorit, i pari ulur djathtas
Lulzim Shala me te rinjtë e 17 Nëntorit, i pari ulur djathtas

Ka akuza, pas tyre vjen dënimi i rëndë?

Filluan pyetjet, pse ke folur kundër komunizmit, regjim, ke thënë që kjo është diktaturë, pse doje të arratiseshe, ku do të shkoje, etj., etj. Më çuan në burg. Pastaj procesi gjyqësor, në Tiranë, me dyer të mbyllura. Sërish akuza për agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, por që nuk ja pranova. Më dënuan 9 vjet. Ka qenë 31 gusht 1976.

Z. Shala, pak për biografinë tuaj, sa ndikonte ajo?

Sigurisht që largimet pas asnjë motiv nga sporti, ishte edhe biografia. Xhaxhallarët i mi kishin qenë krerët e frontit të Rezistencës. Me origjinë kosovare siç ju thashë, familja Shala e ardhur më 1913 në Tiranë, që pas 1944, tre vëllezërit e babait, Kadri, Isa e Muharrem i dënuan me burgime të gjata. Unë me tre xhaxhallarët, të katërt kemi bërë 67 vite burg . Muharremin e takova në burgun e Ballshit, nga ku doli pas 32 vjetësh.

Vite burgu, vështirësi edhe për familjen Shala?

Fillimisht në burgun e Spaçit. Dy vjet e gjysmë aty, punë e rëndë në minierë. Pastaj katër vite në Ballsh. Më 1982 u bë amnistia na hoqën ne të rinjtë, na çuan në Qafë të Barit, aty u lirova. 8 vjet e gjysmë, se fitova 2-3 muaj nga puna. Vinte familja, babai ka qenë i pari që më erdhi të më takonte në Spaç. Vetëm atëherë e pashë jo më, sepse vdiq. Mamaja grua e vjetër, e merrte vëllai, e mbante në krah, me tren më vinte në Ballsh. Babai ka qenë i pari që më erdhi të më shihte në Spaç. Vetëm atëherë e pashë jo më, sepse vdiq. Nënën e gjeta, më priti kur dola. Në 7 nëntor të 84 jam liruar, 34 vjeç.

Nga lirimi i shumë pritur, në një tjetër zhgënjim të madh?

Nisa punë në një ndërmarrje, se u interesonte lagjja, dega e brendshme, futeni në punë mos i lini të sillet vërdallë. Viti 1985, as 9 muaj i liruar, një ditë, vijnë aty, sekretari i partisë, bashkë me 5-6 vetë, Luli, do të internohesh më thonë. Shtanga, nuk u prisja, nuk u përmbajtja, i fyeva rëndë duke sharë kriminel Enver Hoxhën. Shkuam te Rajoni 4, atë natë më mbajtën aty, më futën në birucë. Nënës i kishte rënë të fikët sapo e kishte marrë vesh. Të nesërmen, po binte shi, në një makinë, ku kishte dhe të tjerë, Taip Alla, djali, i një shokut tim. Për mua ishte vendosur, 5 vjet internim në fshatin Dritas në Tapizë, as nuk kisha dëgjuar se ku ndodhej.
Polifoto me Dajtin
Polifoto me Dajtin

Mbyllen problemet për Lulzim Shalën, nis një tjetër jetë?

Katër vjet aty, u lirova para kohe në fund të 89, jam 40 vjeç, u internova kur isha 36-të. Pasi u ktheva nga internimi, gjatë të cilit hallin e kisha për mamanë, e cila më priti dhe gjëja e parë që më kërkoi ishte të martohesha. U njoha me gruan, dasmën e bëmë te një lokal te Xhamlliku. Kam një vajzë dhe djalin që luajti pak me Akademinë e Ilir Spahiut.

Pluralizmi, vite pune, të një profili ndryshe?

Pas 90-tës, u angazhova me Partinë Demokratike. Më 1993 fillova punë në aeroportin e Rinasit. Kujtoj kur erdhi Leka Zogu, kam qenë aty. Zbriti nga një avion carter. U largua të nesërmen. Pastaj më emërojnë në Ministrinë e Brendshme, nëndrejtor inspektimi. Më 1997 vjen Partia Socialiste, më largojnë nga puna. Më 2005, me rikthimin e PD-së, u caktova shef komisariati në Gramsh. Katër vite aty. Pastaj shef në komisariatin në Kombinat, dhe dy vjet më pas në rajonin 4 ku u internova. Aty dola në pension.

Z. Luli, rrëfimin prekës tuajin do e mbyllim, siç më treguat me një detaj të veçantë?

Në burg të Spaçit, takova, u njoha me politikanë, gjeneralë, priftërinj. Veçanërisht kujtoj Mikel Koliqin, njeri me kulturë të madhe, që pas ’90-tës u bë kardinal. Krijuam miqësi, bashkëbisedonim italisht, më këshillonte, më mësoi fraza të personaliteteve të shquara, midis tyre nga Napolon Bonaparti, etj.. Apo një poezi të Guerrinit, që nuk i harroj: “Quando cadran le foglee tu verrai/a cercar la mia croce in camposanto/ in un cantuccio la ritroverai/e molti fior le saran nati a canto.”. “Kur të bien gjethet, do të vish/të kërkosh kryqin tim në varreza/në një cep do ta gjesh/dhe shumë lule do të jenë rritur pranë tij.”

Exit mobile version