Do kalojmë grupin

Pavarësisht se sezoni i Ledian Memushajt me Pescarën nuk ka përfunduar ende, mesfushori është vënë nën urdhërat e trajnerit të kombëtares shqiptare Gianni de Biasi. 29-vjeçari do të jetë i ndarë në këtë periudhë midis Austrisë dhe Italisë, për të çuar deri në fund misionin me klubin e tij. Nga Bad Waltersdorf në konferencën për shtyp të kombëtares të transmetuar drejtpërdrejt në “Sport News” vlonjati ka sqaruar gjithçka. “Do luaj të dielën, Pescara më la të vij këtu, por do jem atje për ndeshjen e parë. Secili nga ne mendon që të jetë protagonist në ndeshje, zgjedhjet i bën trajneri. Ne duhet të tregojmë formën në stërvitje dhe në miqësore. Do përpiqem të tregoj që jam në formë, vendimi i takon trajnerit. Se di a do të luaj në ndonjë miqësore, pasi do të jem me Pescarën. Ndoshta mund të luaj ndaj Ukrainës”, u shpreh Memushaj.
Sigurisht që kjo fazë përgatitore është në funksion të evenimentit madhështor ku kuqezinjtë tanë do të kryejnë debutimin historik, EURO 2016. Pavarësisht se me statusin e debutuesit, optimizmi që është konsideruar si arma më e fortë e këtij grupi, është i lartë. Në unison të gjithë janë të bindur për një surprizë në Francë, çka duket edhe nga fjalët e Memushajt. “Ambienti është shumë i mirë, grup fantastik. Po kaloj një formë fizike të mirë, sepse kam luajtur rregullisht. Duhet të përgatitemi sa më mirë që të jemi në formë në Francë. Ne si skuadër mendojmë të ecim sa më shumë, pra të kalojmë grupin. Po luajtëm si në ndeshjet e fundit në grupin eliminator kemi shanse. Pastaj gjithçka e vendos fusha”, tha ai.
Nga një refugjat në një hero kombëtar, kjo nuk është një histori e panjohur tek kuqezinjtë. Ledian Memushaj është pjesë e atyre familjeve që lanë vendin për një jetë më të mirë. Tashmë suksesi i arritur me kualifikimin e Shqipërisë në fazën finale të një europiani është një kënaqësi për të gjithë shqiptarët. “Kam 20 vjet në Itali dhe kam ardhur si emigrant. Kjo është kënaqësi e madhe për mua dhe popullin shqiptar. Është një kënaqësi për të gjithë shqiptarët kalimi në Francë”, përfundoi Memushaj.
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha ka premtuar se ai së bashku me ekipin do të japin maksimumin për të fituar dhe kualifikuar në fazën tjetër. Duke folur nga Austria aty ku Kombëtarja shqiptare po zhvillon seancat e stërvitjes, Berisha theksoi se Franca ka kualitete të shumtë, por nuk përjashtoi mundësinë e ndonjë surprize të bukur për të gjithë shqiptarët, shkruan Syri.net.
“Unë i shikoj si ekip jo si sulmues individualë. Do veçoja Francën, pasi kualitete të shumta, por duke mos anashkaluar Zvicrën dhe Rumaninë, të cilat kanë lojtarë shumë të mirë. Do mundohemi të përgatisim ndeshjet për t’i fituar dhe për t’u kualifikuar në fazën tjetër. Shpresojmë që loja jonë të jetë në rritje të vazhdueshme, nuk duhet të kemi presion”, përfundoi Berisha.

Exit mobile version