Do të paguani më shumë taksa pas rivlerësimit të banesës

Që nga data 1 shtator, sportelet e Hipotekës presin qytetarët dhe bizneset që të plotësojë formularin për të rivlerësuar pronat. Kjo, pasi në datën 28 gusht, në Fletoren Zyrtare botohet urdhri i dy ministrave, Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani, për të futur në fuqi rivlerësimin e pasurive. Kjo pritet të nxisë tregun e pasurive të paluajtshme, pasi nëse një qytetar shet një pronë dhe paguan 15% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe të shitjes, sot ai bën rivlerësimin dhe paguan vetëm 2%.
Njëkohësisht, ekspertët janë duke asistuar formulimin e një drafti për të realizuar kadastrën fiskale. Projekti synon që të gjitha pronat dhe asetet që janë pasuri të regjistruara të hidhen në një sistem elektronik dhe të kenë të dhënat për vlerën reale të tyre. Për pasuritë, të cilat nuk kanë deklaruar vlerën reale, baza e tatueshme do të jetë ajo e çmimit fiskal të vendosur nga qeveria.
Deklarimi i vlerës së vërtetë të pronës, mund të ndikojë në rritjen e taksave në bazë të çmimit të rivlerësuar të saj. Ministria e Financave ende nuk ka deklaruar se cila do të jetë kjo formë tatimi, por në momentin që tatimi i pasurisë do të bëhet sipas vlerës të pronës dhe jo siç është sot, në bazë të metrit katror, taksa që do të paguajnë ata dhe që do të rritin vlerën e shtëpisë përmes këtij procesi, do të jetë më e madhe.
Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë në Tiranë për të diskutuar paketën e re fiskale me Ministrinë e Financave. Në datën 15 shtator, këtu do të vijë edhe shefja e këtij misioni për Shqipërinë, Anita Tuladhar. Fondi e ka shprehur edhe në vizitën e fundit domosdoshmërinë në mbledhjen më eficente të taksës së pronës. “Sot, shqiptarët paguajnë taksën e pasurisë në bazë të metrit katror që kanë sipas zonave të ndryshme”, ka deklaruar Tuladhar, e cila kërkon ndryshimin e kësaj metode.
Në 7 muajt e këtij viti, të ardhurat nga taksa e pasurisë janë 31 milionë dollarë, me një përqindje të konsiderueshme mosrealizimi prej – 7.4%. Në 2015-ën, në total kjo e ardhur solli vetëm 39 milionë dollarë, e në një kohë që vetë Bashkia e Tiranës ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për të rritur të ardhurat nga ky zë, pasi mbledhja bëhet nga tatimet dhe administrimi nga pushteti vendor, financat janë duke bërë gati një sistem të ri për të.

Efektet në buxhet, FMN kërkon kompensim të mungesave

Ministria e Financave nuk mund të llogarisë dot efektet financiare në buxhet, për shkak se nuk e di të saktë numrin e përfituesve. “Ky projektligj pritet të ketë efekte financiare në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2016, të cilat nuk janë saktësisht të matshme, për vetë faktin se procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1% është bërë edhe në vitin 2011-2013, çka do të thotë që baza e tatueshme nuk është e njëjtë me atë që ka qenë në vitin 2011 deri në 2013”,  thuhet në relacionin e financave.
Megjithatë, efekti i pritshëm për rivlerësimet e individëve, ku është marrë si referim kalimi i pasurisë në vitin 2015 mendohet të jetë 21 milionë dollarë, jo shumë larg parave të mbledhura nga ky proces edhe në 2011-ën.
Baza e tatueshme 16,351,230,660.004
Tatimi i kalimit të pronësisë (15%) 2,452,684,599.00
Sipas propozimit me 2% 327,024,613.20
Efekti në buxhet 2,125,659,985.80
Pritshmëritë për të ardhurat që do të mblidhen nga biznesi janë më të vogla, kjo për arsyen se një pjesë e mirë e tyre kanë bërë rivlerësim më parë, ndërsa në vitet e fundit, nuk kanë ndodhur transaksione të shumta në ndryshimin e pronësisë për asetet e kompanive private.
Baza e tatueshme 622,140,923.00
Tatimi i kalimit të pronësisë (15%) 93,321,138.45
Sipas propozimit me 3% 18,664,227.69
Efekti në buxhet 74,656,910.76
Vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka qenë entuziast për faljen që po i bën vlerës së pasurive të patundshme qeveria. Jens Reinke është shprehur qartë që efekti buxhetor në të ardhmen nga rivlerësimi duhet kompensuar. “Për sa i përket alternativës për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme edhe për këtë kemi bërë disa komente. Gjëja kryesore që kemi vënë në dukje është që kjo alternativë redukton bazën tatimore në të ardhmen. Pra rivlerësimi tani, me një normë më të ulët do të ulte të ardhurat që mblidhen nga tatimi mbi fitimin kapital në të ardhmen. Gjithashtu kemi rekomanduar marrjen e masave kompensuese për efektin neto që do të ketë kjo nismë”, ka thënë përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë.

“Monitor”

Exit mobile version