Juristja e njohur Marinela Ziu është një ndër propozimet e listës së hapur të Demokratëve Euroatlantikë për qarkun Korçë.
Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në facebook, Ziu shprehet se është krenare që është pjesë e një ekipi vlerash.
“Krenare të jem pjesë e një ekipi vlerash, profesionistë të të gjitha fushave, pa asnje lidhje me komunizmin e ish-sigurimin, aq më pak me bandat e krimin. Qëndrestarë në parime e të vendosur për ti dhënë vendit më të mirën me një program zhvillimi në të gjitha fushat.” – shkruan ajo.
Më poshtë postimi i plotë:
Me besim në Zot, në rrugën e drejtë të historisë, me zemër e mendje për një Shqipëri që meriton më shumë, kam privilegjin dhe përgjegjesinë të përfaqësoj Demokratët Euroatlantikë në zgjedhjet e 11 majit, duke kandiduar për Deputete në Qarkun e Korçës.
Falenderoj me mirënjohje demokratët euroatlantikë të qarkut të Korçës për propozimin dhe Këshillin Kombëtar për miratimin e kandidaturës sime, si pjesë e listës së hapur që do sjellë ndryshimin aq të dëshiruar për çdo shqiptar.
Krenare të jem pjesë e një ekipi vlerash, profesionistë të të gjitha fushave, pa asnje lidhje me komunizmin e ish-sigurimin, aq më pak me bandat e krimin. Qëndrestarë në parime e të vendosur për ti dhënë vendit më të mirën me një program zhvillimi në të gjitha fushat.
Ftoj çdo qytetar të bëhet pjesë e ndryshimit sepse Korça meriton më shumë, Shqipëria meriton më shumë.