Pësojnë një ndryshim të papritur planet e Alban Mehës për sezonin e ardhshëm. “Snajperi” siç është etiketuar falë goditjeve të tij të precizionit të jashtëzakonshëm, pritej që të transferohej te Al Nasr në Arabinë Saudite, për një kontratë të leverdisshme prej më shumë se një milion eurosh në sezon, por mediat turke shkruajnë se, futbollistit shqiptar do t’i duhet të djersijë edhe sezonin e ardhshëm me fanellën bardhejeshile të Konyasporit. Gjithmonë, duke ju referuar mediave turke, drejtuesit e ri të Al Nasr kanë vënë veton për këtë transferim dhe kanë nisur procedurat për rikthimin e tij në Konya.
Mehës në këtë mënyrë do t’i duhet që të respektojë kontratën me Konyasporin, e cila ju rinovua automatikisht edhe për një vit në përfundim të sezonit edhe pritet që të nisë grumbullimin parasezonal me skuadrën turke në 8 korrik në Austri. Mbeten ende të paqarta motivet e vetos së vënë nga drejtuesit e Al Nasr. Ishin mediat turke që njoftuan në majin e kaluar se, mesfushori firmosi një kontratë të rëndësishme me klubin nga Riad me një page që arrinte pothuajse trefishin e asaj që Meha merrte te Konyaspor, ku bëri një paraqitje mjaft të mirë sezonin e kaluar, duke e ndihmuar ekipin që të siguronte kalimin në fazën e grupeve të Europa League.