Në qendër të fshatit Kuç, që shtrihet në një luginë që gjarpëron mes maleve të Labërisë, një grusht burrash dhe aktivistësh mjedisorë u mblodhën të martën për të shprehur kundërshtitë e tyre ndaj punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Himarës – i cili devijon ujin e lumit të Shushicës, degë e Vjosës.
Ata janë pjesë e një grupi prej 54 banorësh të njësive administrative Brataj, Kotë dhe Kuç që së bashku me Qendrën për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri “Eco Albania” kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative të Tiranës duke kërkuar anulimin e lejes së ndërtimit, anulimin e vendimit për vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, si edhe anulimin e lejes për përdorim ujor nëntokësor.
Një prej banorëve që e ka nënshkruar padinë, Mit’hat Balilaj, 70 vjeç, nga fshati Kuç, i tha BIRN se devijimi i ujit do sillte katastrofë për komunitetin.
Është gjynah që të nxihet gjithçka këtu për një pikë ujë”, tha Mit’hati, ndërsa theksoi se uji ishte pasuria e tyre më e madhe. “Është shfarosje e komunitetit,” paralajmëroi ai.
“Djali im u kthye nga Gjermania për të ndërtuar një kompleks, por tani me lajmin e ujësjellësit i anuloi planet,” shtoi 70-vjeçari, ndërsa theksoi se “pa ujë nuk mund të bëjmë asgjë”.
Përgjatë luginës së Shushicës shtrihen rreth 30 fshatra të bashkisë Himarë dhe bashkisë Selenicë që preken nga projekti i devijimit të lumit të Shushicës për të furnizuar me ujë zonën bregdetare të Himarës. Banorët e këtyre komuniteteve pretendojnë se nuk kanë qenë prezent në asnjë prej takimeve konsultative për implementimin e projektit.
Ujësjellësi i ri i Himarës po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si pjesë e Programit të Rehabilitimit të Ujësjellësve Rural IV. Fondi nuk i përgjigj një kërkesë për koment nga BIRN mbi akuzat e banorëve të luginës deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ky projekt parashikon devijimin e ujit nga Lëpusha – burimi kryesor i Shushicës, drejt qytetit të Himarës dhe fshatrave të tjerë të vijës bregdetare për t’u shërbyer rreth 80 mijë banorëve dhe turistëve të shumtë që pushojnë në rivierën e Jonit gjatë muajve të verës.
Banoret e komuniteteve prane Lugines se Shushices u takuan me organizaten mjedisore EcoAlbania si edhe shkencetare te huaj ne mbrojte te lumit Shushica. Foto Nensi Bogdani.
Banorët e luginës pranojnë se të gjithë meritojnë të kenë furnizim me ujë të pijshëm, por kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të komuniteteve të tjera.
“Këto projekte të devijimit të lumit nuk janë histori e re, janë diskutuar disa herë gjatë 50 viteve të fundit, por nuk është realizuar kurrë deri më tani për shkak të pasojave sociale dhe mjedisore”, u shpreh Astrit Balilaj, kryeplaku i fshatit Kuç.
Sipas kryeplakut edhe në projektet e mëparshme është konstatuar se uji i Shushicës me vështirësi plotësonte kërkesat e komunitetit të luginës dhe nuk mund të devijohej për të shuar vapën e bregut.
“Janë 30 fshatra të cilëve u prishet ekosistemi,” tha njëri prej banorëve të mbledhur të martën në Kuç, ndërsa shtoi se deri më tani ata kishin organizuar gjashtë protesta në mbrojtje të kauzës. “Në korrik-gusht këtu do thahet komplet nëse ata na marrin ujin”, shtoi ai i indinjuar.
Ekspertët dhe shkencëtarët që merren prej vitesh me studimin e ekosistemit dhe specieve që jetojnë ne ujërat e Vjosës dhe degët e saj, pohuan për BIRN se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis i këtij projekti është i gabuar dhe i pabazuar në prova shkencore.
“VNM-ja është e gabuar dhe gjithashtu çorientuese”, tha Friedrich Schiemer, profesor nga Universiteti i Vienës.
Sipas të dhënave të organizatës mjedisore Eco Albania, raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) i kryer në vitin 2020 është një raport paraprak dhe i gabuar, i cili ka shërbyer edhe për lëshimin e lejes mjedisore nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Ky raport citon se në këto ujëra nuk ka specie të rralla të rrezikuara që janë regjistruar, por shkencëtarët që merren prej vitesh me studimin e ujërave të Shushicës raportojnë se në fakt ka qindra specie të rrezikuara në burim dhe në lumin e poshtëm.
Raporti gjithashtu gabimisht pretendon se projekti nuk ka ndërhyje me ndonjë zonë të mbrojtur, ndërsa ekspertët shprehen se tashmë kjo zonë është pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës.
Punimet per shtrimin e tubacioneve pranë fshatit Kuç. Projekti i Ujesjellesit te Himares parashikon 17.35 km tubacione per devijimin e ujit nga burimi i Shushices. Foto Nensi Bogdani
Olsi Nika, drejtues i organizatës Eco Albania thekson se lumi Vjosa u shpall park kombëtar së bashku me dy degët e tij, njëra nga të cilat është lumi i Shushicës.
“Mbrojtja që gëzon një park kombëtar, sipas ligjit për zonat e mbrojtura përjashton çdo zhvillim të një ndërtimi infrastrukturor, si projekti i ndërtimit të ujësjellësit”, tha Nika.
Vladimir Ganaj, inxhinier pyjesh dhe banor i luginë se vlerësoi burimin e Shushicës si një monument natyre.
Ai u shpreh se qeveria dhe vendimmarrësit po vinin në pikëpyetje të ardhmen e komunitetit.
“Të marrësh ujin e Shushicës është si të largosh mbretëreshën nga hojet e bletëve e t’i lësh të zënë miza”, tha Ganaj me keqardhje. /BIRN