“Do të vijë Trump-i dhe do të heqë non gratën e Berishës?” – Gazetari: Naivitet i madh, ka zero shans të ndodhë

Analisti Neritan Sejamini e quajti naivitet besimin e shprehur nga e djathta në Shqipëri se fitorja e mundshme e kandidatit republikan, Donald Trump në zgjedhjet në SHBA do të zgjidhë problemet në Shqipëri dhe Kosovë.

Sejamini u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit’, se problemet që ka Shqipëria dhe Kosova janë më të thella dhe nuk zgjidhen me një “deus ex machina” dhe se Trump është i paparashikueshëm.

“Ka një farë naiviteti te e djathta shqiptare. Problemet që ka Shqipëria dhe Kosova janë më të thella dhe nuk zgjidhen me një “deus ex machina”. Do të vijë dikush atje në Amerikë dhe do t’i zgjidhë problemet!

Trump është i paparishikueshëm dhe ka prioritet të tij dominancën personale që të tregojë se ai zgjidh gjërat. Është njeri krenar në aftësi për të negociuar, për jetën e tij kur ka ditur që të zgjidhë mosmarrëveshjet etj.

Ai edhe në politikë pati një qasje të tillë. Edhe në çështje të rëndësishme, siç ishte ajo e Kosovës që donte ta zgjidhte si në triumf të politikës së jashtme, që atij i duhej për të rritur mitin e tij, se ai zgjidh gjërat e mëdha.

Kjo lloj qasje për fitime personale, ku marrëdhëniet nuk janë zyrtare, por “më jep diçka, të të jap diçka” e bën atë të paparashikueshëm në mos të dëmshëm për Shqipërinë, duke patur parasysh Kosovën, duke qenë se Serbia ka lobim të jashtëzakonshëm në SHBA.

Është naive që të mendosh se do të vijë Trump-i dhe do të heqë non gratën e zotit Berisha, do të fusë Kosovën në NATO, do të zgjidhë konfliktin Kosovë-Serbi në favor të Kosovës. Gjasat që këto të ndodhin janë zero. Kosova nuk po futet dot në Këshillin e Evropës jo më në NATO”- u shpreh Sejamini.

Exit mobile version