Dogana greke zbulon vjedhjet e Spiropalit

Dogana greke zbulon korrupsionin prej miliona eurosh të ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, nëpërmjet kalimit të mallrave kontrabandë. Skandali është denoncuar nga një doganier, i cili në një mesazh dërguar ish-Kryeministrit Berisha bën të ditur se, nga Greqia ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave informacion mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. “Doganieri dixhital denoncon: -Vjedhjet e mëdha të Spiropalit në dogana, vërtetuar nga dokumenta të ardhura nga dogana greke. Doganat e Fierit dhe Tiranës, sipas tij kanë qenë epiqendër e këtyre vjedhjeve!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e doganierit.
“Abuzimet e drejtorëve të Ramës po dalin mbi ujë. Javët e fundit nga Greqia ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave informacion mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. Informacioni i shoqëruar dhe me dokumentacionin përkatës vërteton abuzimin e bërë në dogana në vlera prej qindra mijëra e miliona eurosh. Ashtu siç ju keni konstatuar dy vite më parë, njerëz të lidhur me Spiropalin në bashkëpunim dhe me bashkëshortin e saj, kanë krijuar kanale për kalim të mallit kontrabandë. Siç del nga informacioni i Doganës greke, dy kanë qenë doganat ku është abuzuar më shumë, Fieri dhe Tirana.
Në të dy këto dogana u instaluan si përgjegjësa FRESH-istë, të cilët zbatonin porositë e marra nga Spiropali ose persona të punësuar prej saj në poste kyçe. Persona anonimë që bashkëpunonin me ta, kryesisht fierakë, hapën nipte shëtitëse dhe fusnin mallra kontrabandë. Me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie kriminale, sallës së monitorimit i jepeshin porosi për të mos ushtruar kontroll mbi mjetet, të cilat kishin si ngarkesë mallra kontrabandë që klasifikoheshin komplet ndryshe nga ato të deklaruara në dokumentacion.
Këtë veprimtari kriminale e pranojnë dhe doganierë që të vendosur para presionit të drejtuesve kanë lejuar që kamionët të kalojnë pa kontroll, por tashmë do të penalizohen për moskryerje të detyrës. Presioni mbi doganierët ka qenë i jashtëzakonshëm dhe në ndonjë rast kur ata tentonin të kryenin si duhet detyrën, largoheshin nga puna siç është rasti i largimit të një drejtuesi në Doganën e Kapshticës që u bë i “bezdisshëm” me kontrollet e tij. Nga Dogana greke pritet që të vijë informacion dhe për raste të tjera shkeljesh të kryera në kohën e Spiropalit”, përfundon mesazhi i punonjësit të Doganës.

Spiropali nën hetim për kontrabandën me naftën bruto

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali është nën hetim për kontrabandën me naftën bruto. Burime nga organi i akuzës së Fierit, bënë të ditur se, në lidhje me këtë çështje janë pyetur edhe ish-titullarë të Drejtorisë së Doganave, si persona që kanë dijeni për çështjen. Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali është marrë në pyetje nga grupi hetimor para disa kohësh, ndërsa hetimet vijojnë.
7 zyrtarë u arrestuan në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohen për kontrabandën e 4.4 milionë litra naftë bruto, duke shmangur akcizën. Në prangat e policisë ranë Lula Njebza, ish-zv/drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave; Mirarbër Teneqexhiu, ish-Kryetar i Doganës Tiranë; Alfred Bushi, ish-shefi i Akcizës; Adrian Alikaj, doganier akcize; Syrja Misiraj, doganier akcize; Ortenca Zorba, doganiere akcize; Elona Jareci, doganiere akcize. Ndaj 5 të akuzuarve të parë, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë arrest me burg, kurse ndaj Zorbës dhe Jarecit u vendos arrest shtëpie.
Në janar të 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka kryer një kontroll tatimor në subjektin “Tea Construction & Petrol”, ku ka rezultuar se në depozitat në Kodër Mëzez gjendej në total sasia prej 4.4 milionë litra lëndë djegëse, e cila është cilësuar si naftë “virxhin”, pasi nuk plotësonte standardet. Rreth 7 muaj më vonë, në janar të 2014, pas kontrollit të bërë nga tatimet dhe doganat, administratori i “Tea Construction & Petrol”, Adrian Xhillari, ka kërkuar nga Drejtoria e Doganave heqjen e plumçeve nga magazinat e naftës në Kodër-Mëzez, në mënyrë që të bënte lëvizjen e naftës drejt Rafinerisë së Ballshit.
Sipas dokumenteve, nga data 15-21 gusht 2015, “Tea Construction & Petrol” ka kryer lëvizjen e naftës” virxhin, nën pezullim akcize, nga depozitat në Kodër-Kamës, për në Rafinerinë e Ballshit, në një sasi prej 4.4 milionë litrash, e cila është depozituar në depozitën G-43. Por në datë 2 qershor 2015, grupi i “Crown Agents” dhe Dega e Doganës Fier, kanë zbuluar gjatë kontrollit në depozitën G-43 se depozitat ishin bosh. Referuar sasisë së naftës, vlera e akcizë së papaguar është 242.755.600 lekë.

Exit mobile version