Dokumentat ekskluzivë, ja si Donika Prela liroi kreun e trafikut të kokainës

Në janar 2018, Prokuroria e Durrësit, e drejtuar në atë kohë nga Donika Prela, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Astrit Avdylit, anëtarin e bandës kriminale të Shijakut, i arrestuar së bashku me një mikun e tij për “armëmbajtje pa leje”.
“Boldneës.al” ka arritur të sigurojë vendimin e Gjykatës së Durrësit, nga ku rezulton se prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për Donald Çullhaj dhe “detyrim paraqitje” për Astrit Avdyli, ndërkohë që, siç rezulton nga aktet, nuk ka kryer asnjë verifikim minimal. Madje, nuk rezulton të jetë kryer as ekspertiza për gjurmë gishtash në armën pistoletë, të gjendur në makinën e familjes Avdylaj, me të cilën po udhëtonin dy personat.
Astrit Avdyli është një prej personazheve kyç të dosjes “339” të Prokurorisë për Krime të Rënda, hetimet e së cilës kishin nisur në vitin 2017 dhe u finalizuan, gjithësesi gjysmake, në Tetor 2018, me operacionin “Vol-Vo 4”.
Ndërkohë që Astriti, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij ishin nën hetim nga Krimet e Rënda, ai arrestohet nga Policia e Durrësit në janar 2018, së bashku me Donald Çullhaj, pasi në mjetin me të cilin po lëviznin, iu gjet një armë pistoletë dhe 12 fishekë, në çantën e dorës së Avdylajt.
Policia e Durrësit kreu menjëherë arrestimin e tyre në flagrancë dhe ia përcolli dosjen Prokurorisë së qytetit bregdetar për të dy personat, si të dyshuar për “armëmbajtje pa leje”.
Menjëherë pas arrestimit, hetuesit e Krimeve të Rënda që ndiqnin në dinamikë me përgjime grupin Avdulaj për llogari të dosjes “339” konstatuan biseda, në të cilat synonin që të bindnin Donald Çullhajin për të marrë përsipër faktin që arma ishte e tij. Në këtë mënyrë, Avdulajt synonin që të lironin familjarin e tyre, Astritin.
Burime konfidenciale nga Krimet e Rënda deklarojnë për “Boldneës.al” se tentativat e Avdulajve dolën “me sukses”, pasi Donald Çullhaj e mori përsipër faktin që arma ishte e tij dhe se Astrit Avdyli nuk kishte asnjë dijeni për pistoletën.

Ky fakt konfirmohet edhe në kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për masë sigurimi, të cilën “Boldnews.al” ka arritur ta sigurojë të plotë. Në atë kërkesë, Prokuroria, vetëm dy ditë pas arrestimit të dy personave, shprehet para gjykatës se “Donald Çullhaj deklaron se armën e ka pasur ai, të cilën e ka gjetur për 16 janar 2018 në breg të lumit Erzen…”.
Në bazë të këtij “vetëinkriminimi” të Çullhajt, Prokuroria e Durrësit, e drejtuar nga Donika Prela, kërkoi lirimin e menjëhershëm të Astrit Avdylin dhe hetimet ndaj tij të zhvilloheshin në gjendje të lirë.
Prokuroria e Durrësit nuk kreu asnjë verifikim paraprak për të vlerësuar nëse deklaratat e Çullhajit qëndronin apo jo. Institucioni i Akuzës së bregdetit u mjaftua me fjalët e Donald Çullhajit dhe kërkoi lirimin e Astrit Avdylajt, duke konfirmuar në këtë mënyrë suksesin e përpjekjeve të familjarëve të tij për ta nxjerrë “të palagur” nga kjo histori.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Durrësit dërgoi për gjykim kërkesën ndaj Donald Çullhaj, të akuzuar për “armbëmbajte pa leje”, ndërkohë që kërkoi pushimin e hetimeve për Astrit Avdyli.
Në dosjen për gjykim, rezulton se Prokuroria e Durrësit nuk ka denjuar që të kryejë asnjë akt daktiloskopit, për të konstatuar se gjurmët e kujt ishin në pistoletën e gjetur në makinën e Avdulajve. Prokuroria, në kërkesën e saj për gjykim, rendit një sërë aktesh proceduriale dhe i vetmi që mungon dhe që përcaktonte saktësisht se kush e kishte armën në përdorim, akti i gjurmëve të gishtave, nuk gjendet.
Të gjitha këto zhvillime po ndiqeshin në dinamikë nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila nuk reagoi, pasi, në këtë mënyrë, do të dekonspironte një hetim shumë më të gjerë, atë që po zhvillohej me dosjen “339”.
Aktualisht, Astrit Avdyli dhe bashkëpunëtorët e tij janë të arrestuar, në kuadër të operacionit “Vol-vo 4”, të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale që merrej me trafik lëndësh narkotike. Ky hetim po vijon të zhvillohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila drejtohet nga Donika Prela, e cila ishte titullare në Prokurorinë e Durrësit, kur, në fillim të vitit 2018, Astrit Avdyli i shpëtoi prangave për armëmbajtje, falë “neglizhencës” në hetime.

“Boldnews.al”

vendimi 1

Artikulli paraprakBerisha reagon për dhunën ndaj studentëve: Akt makabër i pashembullt i Edi Ramës!
Artikulli tjetërFaqja e pare