Dokumentet e Zvicrës, DEA e heton me emrin Enver Rroshi

 

Elvis Rroshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe njëkohësisht viktima e parë e Ligjit “Për dekriminalizimin” do të vijojë të qëndrojë nën arrest në shtëpi, për shkak të një dokumenti zyrtar nga autoritetet zvicerane, të cilin “Boldnews.al” e ka siguruar në mënyrë ekskluzive.

Gjykata e Tiranës zhvilloi mesditën e së enjtes seancën për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë “arrest në burg”, dhënë ndaj tij në mungesë, tre ditë më parë. Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Rroshit, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” gjatë procesit të plotësimit të formularit të dekriminalizimit. Gjatë seancës së verifikimit, gjykata vendosi zbutjen e masës, nga arresti në burg në arrest në shtëpi. Gjithsesi, edhe me këtë vendim, gjykata ka pranuar dyshimin e Prokurorisë së Tiranës se Rroshi ka shkelur ligjin penal.

Në bazë të Ligjit “Për Dekriminalizimin”, çdo zyrtar që është subjekt i ligjit duhej të plotësonte një formular, në të cilin duhej të shënonin nëse kanë pasur probleme me ligjin penal në të shkuarën e tyre, brenda ose jashtë Shqipërisë. Një kërkesë thelbësore e Ligjit për “Dekriminalizimin” ishte edhe fakti nëse zyrtarët kanë mbajtur ose jo emra të tjerë.
Mungesa e sinqeritetit në plotësimin e të dhënave të detyrueshme, duket se ka qenë e dëmshme për Elvis Rroshin, pasi nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, ai qëndroi për tre ditë në ambientet e Policisë së Tiranës dhe nga e enjtja në arrest në shtëpi. Rroshi nuk ka deklaruar dënimin penal për përdhunim në Itali, për të cilën është dënuar në vitin 1993. Ai nuk është treguar “i sinqertë” edhe për të kaluarën e tij në Zvicër.

Autoritetet zvicerane u kanë konfirmuar homologëve të tyre shqiptarë se Elvis Rroshi është një personazh i njohur për autoritetet hetimore të tyre. Për policinë zvicerane, Rroshi ka mbajtur 5 emra të ndryshëm në vendin e tyre, tre prej të cilëve nuk janë shënuar në formularin e vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”.

Elvis Rroshi është emri aktual i kryetarit të Bashkisë, i cili ka lindur me emrin Ervin. Sipas formularit, ai e ka ndryshuar zyrtarisht emrin e tij në vitin 2002, por nuk jep asnjë arsye se përse i lindur Ervin, në moshën 27-vjeçare kthehet në Elvis.

Por, dokumenti zviceran i siguruar nga “Boldnews.al” dhe që është përdorur si provë në gjykatë për arrestimin e tij, konfirmon se Elvis Rroshi ka pasur “hobi” të përdorë emra të ndryshëm: Bashkim Halluli, Enver Rroshi dhe Enver Proshi janë emrat që e kanë shoqëruar jetën si emigrant të kryebashkiakut të Kavajës në Zvicër. Këto tri emra nuk figurojnë në formularin e dekriminalizimit të Rroshit.

Për më tepër, policia zvicerane njofton se një shqiptar me emrin Enver Rroshi është pjesë e një hetimi të Antidrogës amerikane (DEA) për trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash. Në dokumentin zviceran nuk specifikohet se personi nën hetim Enver Rroshi është pikërisht Elvis Rroshi i Kavajës. Por, fakti që ky informacion është pjesë e shkresës lidhur me Elvis Rroshin, krijon bindjen se pikërisht Enver Rroshi nën hetim nga DEA është pikërisht kryebashkiaku i Kavajës. Dhe nëse ky informacion rezulton i saktë, atëherë situata për Rroshin ndërlikohet më shumë, pasi ai është nën hetim për trafik droge në të njëjtën kohë kur në Shqipëri kryen detyrën e kryetarit të Bashkisë.

Mashtrimet në formularin e dekriminalizimit

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, i dyshuari nuk ka paraqitur në formularin “Për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar. Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluar, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.

Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.

Dy arrestimet në Zvicër dhe dënimi për përdhunim i Rroshit në Itali

Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut.

“Nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës”, tha këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Hetimi për Rroshin nisi kryesisht nga Prokuroria e Tiranës më 1 qershor, pasi kryebashkiaku i shumëdiskutuar i Kavajës dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga një numër i madh zyrtarësh të lartë. Në formular, Rroshi kishte vetëdeklaruar vetëm një ndalim në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në kuadratin e arsyes ai kishte shkuar “nuk më kujtohet”.

Megjithatë, hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skedë të pasur kriminale të kryebashkiakut të Kavajës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Prokuroria nënvizon gjithashtu që ai ka fshehur faktin se është dëbuar nga shteti zviceran në vitin 1993 dhe nga ai italian në vitin 1995, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit.

Në hetimin e saj, Prokuroria ka zbuluar gjithashtu se Rroshi është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar për herë të dytë, duke paqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit. Prokuroria nuk shpjegon arsyet e arrestimit dhe ndalimit të Rroshit në Zvicër.

Por në një investigim të mëparshëm, “BIRN” zbuloi se Rroshi ishte dënuar në Zvicër për shpërndarje droge. “Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël”, tha për “BIRN” një zyrtar i policisë zvicerane. “Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit”, shtoi ai. Pas sigurimit të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi miratimin e gjykatës për arrestimin e Rroshit, i cili akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, i parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal. Nëse shpallet fajtor, Rroshi rrezikohen të dënohet nga gjashtë muaj deri në 4 vjet burgim.

Exit mobile version