Dokumente që hedhin dritë për ngjarje që ende sot mohohen

Erald KAPRI

Kur në vitin 2012 qendrova një vit në Londër në Universitetin Westminster, si fitues i bursës Chevening, pak e mendova se kureshtja fillestare për arkivat britanike, dhe vajtjet e para në atë godinë të madhe e imponuese, do të ktheheshin në një zakon.
Londra ka një pafundësi mundësish për argëtim e për të kaluar fundjavat. Po ajo që zbulova në arkivat britanike për Shqipërinë, më robtoi, dhe çka nisi si një ngacmim për ndonjë shkrim në gazetë, ja ku është sot në formën e këtij libri 530 faqe.
Lufta e Dytë Botërore është ngjarja që ka shenjuar më shumë se çdo gjë tjetër historinë e Shqipërisë. Temat e saj janë ende prezente në diskursin politik e madje shumë më gjerë në shoqëri. “Që të njohësh shqiptarët e sotëm, duhet të njohësh shqiptarët e luftës”, thotë historiani amerikan Bern Fisher.
Sekretet e Luftës janë një përpjekje 4-vjeçare kërkimi dhe leximi të mëse 20 mijë faqeve dokumente të Arkivit britanik. Janë përfshirë 150 dokumente dhe fotografi, të cilat japin një panoramë të plotë të ngjarjeve kryesore të luftës. Dokumente të zyrës së kryeministrit Çurçill, të ministrisë së Jashtme britanike, të Ministrisë së Luftës, të Shërbimeve Sekrete dhe të SOE-s, zyrës speciale që ngriti kryeministri britanik për luftën në prapavijë.
Mund të bëja një monografi, por zgjodha që këto dokumente të botohen të plota, të shpjeguara në kontekst për shkak të përmbajtjes së rrallë që ato kanë.
Dikush mund të thotë pse jo ato italiane, apo gjermane. Si asnjëherë më parë, britanikët kanë investuar për luftën në Shqipëri. Në vitet ‘43 dhe ‘44, 150 ushtarakë britanikë morën pjesë në misione në Shqipëri. Ata shpenzuan dhe dhanë shpërblime rreth 120 mijë monedha ari, që nëse i konvertojmë sot, janë mbi 30 milionë paund britanikë. Mbi 2300 tonë ndihma materiale ushtarake. Mes tyre mund t’u përmend vetëm një detaj, 56 mijë palë këpucë për luftëtarët shqiptarë. Ndihma britanike përcaktoi fituesin në Shqipëri, sepse pjesën më të madhe të tyre e mori lëvizja komuniste.
Ndaj, britanikët mbajnë në arkivin e tyre një dokumentacion thelbësor për të kuptuar luftën shqiptare. Ky botim ka të plotë shënimet e Churchillit për Shqipërinë, ku jepen disa të vërteta tronditëse. Në takimin më të rëndësishëm të shekullit të kaluar, Konferenca e Moskës, ku Perëndimi ndau me Moskën influencë në Ballkan, Shqipëria u harrua. Po po, u harrua.
Ndonëse e papërfillshme dhe me peshën më të vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria përmban disa detaje interesante që shpesh u bënë kryelajm botëror, siç ishte kapja rob e gjeneralit britanik Dejvis në mes të janarit 1944.
E keni menduar ndonjëherë se Enver Hoxha kishte kontakte me gjermanët dhe të kishte një marrëveshje me ta? Po që Stalini kërkonte që Mbreti Zog të mos shkelte më në Shqipëri? Po që britanikët vlerësonin lart figurat nacionaliste që zgjodhën të ngrinin një qeveri nën pushtimin gjerman? Këto dokumente janë pjesë e këtij botimi.
Po ashtu, gjejmë arsyet e plota të prishjes së marrëveshjes së Mukjes nga komunistët, ndikimin e jugosllavëve në lëvizjen komuniste, shpjegimet e plota të Mid’hat Frashërit për rolin e Ballit Kombëtar, ndikimin e lëvizjes Zogiste dhe Mbretit Zot, lufta e kryezinjve në Veri të Shqipërisë, arsyet e dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre, instalimi në pushtet dhe terrori komunist në ditët e para.
Për britanikët, Shqipëria do të mbetej një lloj pengu, që pavarësisht investimit të madh, nuk ia dolën që ajo të mbetet pjesë e influencës perëndimore. Rasti shqiptar vijon të jetë ende i debatuar në historiografinë britanike. Si ndodhi që Britania financoi dhe mbështeti luftën guerile në Shqipëri nuk arriti ta përdorë këtë kapital? Pse Britania e Madhe nuk mundi të ndajë qartazi Shqipërinë nga blloku i Lindjes? Dokumentacioni britanik në këtë botim jep një panoramë të plotë të kësaj enigme historike.
Këto dokumente hedhin dritë për disa ngjarje që ende sot mohohen apo thuhen me gjysëm zëri. Në Shqipëri nuk ka pasur vetëm luftë nacionalçlirimtare, por ka pasur luftë, e madje edhe luftë civile. Kjo e pohuar nga dokumentacioni britanik i kohës.
Unë shpresoj që ky libër mund të vlejë për të hapur një dritare më shumë në njohjen dhe studimin e luftës, e cila është ende e pazbardhur në shumë elementë të saj. Debati polemizues nuk i ka lënë vend metodikës për të studiuar luftën. Ndaj ky botim me dokumente autentike britanike hedh sado pak dritë për vitet e zhurmshme të luftës shqiptare dhe mes shqiptarësh.
Duke e mbyllur, dua të falënderoj familjen time për mbështetjen e saj. Historianin Uran Butka që mori përsipër që ky botim të realizohej nën logon e Institutit “Lumo Skëndo”, pa ndihmën e të cilit, ky botim nuk do të arrihej.

Artikulli paraprakGazetarja në Bruksel: Gjermania, e para kundër afrimit të Shqipërisë në BE me Ramën
Artikulli tjetër“Sekretet e Luftës”, një libër për të panjohurat historike