Gazetari Basir Çollaku ka denoncuar një vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili favorizoi vjehrrin e kryeministrit Rama, Sulejman Basha. Në vendimin e marrë në datën 28 dhjetor të vitit 2017, Apeli i cilëson dy persona të vdekur prej kohësh si të gjallë, duke marrë një vendim në favor të paditësve.
Gjatë procesit, Gjykata i ka konsideruar si palë mungesë në gjyqin për pronat Fadil dhe Xhemile Toptanin, të cilët kanë vdekur respektivisht në 03.10.2010 dhe 09.11.2014. Duke qenë të vdekur, sipas ligjit duhet që akti i trashëgimisë të ribëhej dhe në gjyq të merrnin pjesë trashëgimtarët.
Edhe pse në dosjen gjyqësore ekzistojnë çertifikatat e vdekjes të Fadil dhe Xhemile Toptanit dhe vendimet përkatëse që e provojnë ligjërisht këtë akt, Gjykata e Apelit të Tiranës, i ka konsideruar Fadil dhe Xhemile Toptanin në mungesë, duke i klasifikuar të gjallë dhe ka vijuar procesin, duke shkuar në vendimmarrje dhe duke dhënë një vendim në favor të paditësve Basha.
“Kjo ndodh në këtë çështje të nxehtë në Tiranë ku janë duke ndërtuar dhe investuar pallate palët paditëse, ndaj ndoshta Gjykata nuk ka pasur kohë mjaftueshëm, të marrë vendim për të gjallët.
Një histori ku vettingu, mund të marrë përgjigje më të qartë për shkelje të tilla që konsiderojnë të vdekurit të gjallë, shkruan ndër të tjera Çollaku në statusin e tij.