Dokumentet, si të aplikoni për Lotarinë Amerikane

Programi i Lotarisë Amerikane është një mënyrë që iu ofrohet shtetasve të huaj, për të ardhur si emigrantë në SHBA, duke u dhënë të  drejtën të punojnë e jetojnë në mënyrë të përhershme në këtë vend së bashku me familjet e tyre( bashkëshorten dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç). Aplikimet për lotarinë amerikane, DV-2018, duhet të dorëzohet elektronikisht duke filluar që nga mesdita e datës 4 tetor, 2016 e martë, deri ditën e hënë 7 Nëntor, 2016. Gjatë periudhës së regjistrimit aplikantët do të kenë akses për formularin, Form (E-DV),  në adresën ëëë.dvlottery.state.gov .
Aplikantëve u sugjerohet që të mos presin deri ditën e fundit.  Të gjithë ata që bëjnë kërkesë dy herë, skualifikohen. Kërkesat e bëra si duhet do të konfirmohen në internet, ku do të shihni emrin tuaj, ditëlindjen, vendlindjen. “Mos përdorni fotografinë që përdorët vitin e kaluar në DV-2017 dhe hiqini syzet kur të dilni në fotografi për lotarinë, përndryshe ju do të skualifikoheni automatikisht”, ky është një ndër paralajmërimet nga ambasada amerikane për të gjithë ata që janë të interesuar për lotarinë amerikane. Mund të skualifikoheni nëse nuk dërgoni fotografitë, elektronikisht. Formularët në letër nuk pranohen.
Fotografitë duhet të jenë për ju, për bashkëshortin tuaj,për secilin fëmijë nën moshën 21 vjeç,duke përfshirë këtu edhe fëmijët e adoptuar. Nëse keni ndonjë fëmijë që ai/ajo/ ka green card, apo shtetësinë amerikane, natyrisht nuk do të aplikoni për të. Gjithsesi, nëse fotografitë nuk janë sipas masave që kërkohen kjo mund të bëhet shkak për skualifikimin e aplikantit kryesor dhe atyre që e shoqërojnë atë. Duke filluar që nga 2 Maj, 2017, do të jeni në gjendje të kontrolloni në internet statusin tuaj lidhur me aplikimin e bërë  për lotarinë amerikane DV-2018, duke futur numrin tuaj unik si edhe informacionin personal.
Aplikanti të cilit i jepet mundësia për të ardhur në SHBA nëpërmjet këtij programi, duhet të ketë së paku një arsimim të mesëm (dmth të ketë mbaruar shkollën e mesme), të cilën duhet ta ketë përfunduar brenda 5 vjetëve të fundit para aplikimit për lotari, të ketë dy vjet  eksperiencë pune  e detyrueshme për pozicionin ku punon. Kjo kërkesë është e domosdoshme për aplikantin kryesor, por jo për ata që do ta shoqërojnë. Fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk mund të dalin si aplikantë të parë, pra nuk mund të aplikojnë për lotarinë amerikane, por ata që  janë nën moshën 21 vjeç dhe kanë mbaruar shkollën e mesme, janë të ligjshëm për të aplikuar, dhe gjithashtu të përfitojnë nga aplikimi i prindit.
Shteti amerikan  me arsim  të mesëm nënkupton 12 vjet shkollë. Personi me dy vjet eksperiencë punë, apo praktikë pune, duhet të paraqesë dokumentat e nevojshme bindëse. Fituesve të llotarisë u jepet e drejta të sjellin me vete bashkëshortin dhe fëmijët nën moshën 21 vjeç. Fëmijët  apo gruaja që të përfitojnë, duhet të jenë listuar në aplikim/formular/. Nëse aplikanti e le pa vënë emrin e bashkëshortes, apo fëmijës së tij, këtyre u humbet legjimiteti për të emigruar. Departamenti i shtetit bën përjashtime për foshnjet e porsalindura pas dorëzimit  të aplikimit.
Nëse ka individë që duan të mbushin formularin për lotarinë amerikane, por kanë kryer krime më përpara, duhet të kenë shumë kujdes para se të  aplikojnë. Refuzimi i green card-ës personit që fiton lotarinë, shpie në deportimin e tij nga Amerika. E mira është që para se të mbushni kërkesat për lotarinë amerikane të konsultoheni me avokat profesionist.

Artikulli paraprakZhvatja e fondeve, Ministria e Brendshme tender 4 milionë USD për 15 reparte
Artikulli tjetërKonfliktet e Hillary me Moskën