Albana VOKSHI
“ADISA” ose A Di Sa vendime me histori të dyshimta apo korruptive kanë kaluar në Parlament në këto tri vite? “A e dini sa” qindra miliona euro janë devijuar në drejtim të paditur për qytetarët, por të ditur për pushtetarët?
Një bilanc shokues… dhe sot pasi kanë ulur ndjeshëm pensionet reale, pasi kanë hequr nga skema e sigurimeve shoqërore 4 mijë pensionistë, propagandojnë një shërbim që në fakt vetëm do të shtojë sorrollatjet dhe hallet e shumta të tyre sportele pas sportelesh. Dyshime të forta na bëjnë të mendojmë që ky veprim ka jo vetëm prapavijë politike (në listën e pensionistëve të penalizuar edhe me gjoba të larta deri në 13 milionë lekë, shumica janë gra dhe burra me bindje të djathta), punonjësit, specialistët, teknicienët do të hidhen në rrugë për t’u zëvendësuar me militantë ata që do të japin votën në këmbim të një vendi pune… por edhe kjo e shoqëruar me një dozë jo të vogël korrupsioni. Qeveria edhe këtë herë me shumë gjasa nuk do të shërbejë, por do të vetëshërbehet…
Nuk është e rastit që sa herë ka projekte me shuma të mëdha, gjithnjë ka një asocacion emri, individi, miku, sponsori, shoku… duket edhe kësaj here ja kanë gjetur anën, ata mendojnë se po e bëjnë pa lënë gjurmë… Por siç thotë ministrja Harito, çdo gjë lë gjurmë në sistem… dhe herët a vonë, jam e sigurt që do të jetë e qartë për të gjithë kush qëndron pas këtij projekti. Dhe kur dihet paraprakisht kush është klienti i radhës, nuk ka nevojë as për analizë, as për fakte e shifra, as për konsultime, as diskutime, as për studime… sistemi vjen si një kopje e keqe e modelit të Sakashvilit në Gjeorgji.
Për t’i paraprirë, dhanë më shumë se 1 mln euro për një projekt pilot në Hipotekën e Tiranës, vunë ca stola me ngjyra, një pajisje që jep një numër dhe qytetari (si “dele” – siç ka qejf t’i quajë Kryeministri dhe ministrja) presin me orë të tëra. E pasi ke mbajtur 3-4 orë radhë, duhet të shkosh te zyra e postës përballë, të paguash tarifat (shpeshherë) jo të vogla, të kthehesh përsëri te sporteli ku një vajzë e re të buzëqesh ëmbël, por mund të mos kuptojë asgjë… e më pas pret në shtëpi përgjigjen e kërkesës… që shpesh të vjen edhe e gabuar.
Kur përgjigjja të vjen e gabuar, shkon për herë të dytë e të tretë… Kërkon një jurist apo specialist që të sqarosh kërkesën, as që bëhet fjalë…nuk të lejohet…dhe përsërit të njëjtin ritual…merr një numër te pajisja, ulesh te karriget portokalli, pret në radhë 2-3 orë, shkon te sporteli, flet me sportelisten që të flet sjellshëm, shkon te zyra e postës, paguan për herë të dytë apo të tretë për të njëjtin shërbim…, kthehesh te sporteli… pret në shtëpi dhe për herë të dytë apo të tretë… Përgjigjja të vjen përsëri gabim… Atëherë të mbeten 2 alternativa: ose të heqësh dorë nga letrat e pronës tënde, ose do të gjesh një mënyrë alternative për t’i marrë ato që të takojnë… Sigurisht që të parën s’besoj se ndonjë njeri ta marrë parasysh se bëhet fjalë për pronën e tij, dhe gjen mënyrën alternative… Me miq, të njohur apo para nën dorë të ai specialist në “back office”… atëherë për çfarë shërben ADISA??? Shpesh në shtim hallkash, pritjesh, pagesa në dhe nën dorë… e sigurisht korrupsion.
Ligji ka menduar për 1/3 e popullsisë, kryesisht pensionistët që s’do të kenë më asnjë shans të flasin me specialistin për llogaritjen e kontributeve pensioneve apo për çdo sqarim tjetër që do të duan… Meqenëse qeveria mendon që mund të kenë kohë të tepër pse jo, të mbajnë radhë disa orë, të përshëndesin vajzën që mund t’i buzëqeshë ëmbël… të mbushë aplikimin, e do presin në shtëpi përgjigjen që mund të jetë ajo e gabuara… për të rinisur të nesërmen ritualin të ADISA.
Nuk mund të suksesohet nëse ju mendohet për fasadën, për ngjyrën e stolave apo të mureve, për të reinxhineruar më vonë shërbimet… Ky model është qysh në krye të herës i dështuar!!! Dhe tregon dallimin e madh midis dy modeleve të qeverisjeve: njëra që mendon për formë e fasadë e ngjyra të bukura e tjetri që mund të çalojë në bukuri e forma, por që i shkon përmbajtjes dhe zgjidhjes së problemit në thelb.
Qeveria siç e shikoni ka menduar që t’i shfrytëzojë maksimalisht pensionistët dhe kohën e tyre… këtë herë mendoi t’i vinte në ndihmë ministrit të Shëndetësisë i duhen për të justifikuar vjedhjen me check up. Skandali, i pranuar me zë dhe figurë nga ministri Beqaj gjatë dëgjesës në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, vërteton hapur se shqiptarët iu duhen vetëm si numra rilindasve, jo si qenie humane. Ashtu siç mbetet i vetmi deputet i dënuar për vjedhje fondesh publike me vendim të Gjykatës Kushtetuese, kështu do të mbetesh në histori si ministri që pranon skandalin me fondet e taksapaguesve shqiptarë në sy të mediave dhe publikut.
Kryeministri duhet ta gjejë një mënyrë të mençur që ta largojë sa më parë ministrin e tij sepse po ja nxjerr të palarat në shesh si në komisione ashtu edhe nëpër tavolina, ku thotë që këto i bën me urdhër të Kryeministrit dhe se të gjitha paratë i shkojnë atij…
Gati 2 miliardë lekë (ose 1.5 mln euro) i janë dhënë nga buxheti i shtetit, sipërmarrëses së koncesionarit të check up, për 111.000 check up të personave që nuk e kanë parë me sy provën e analizave…!
Mendja djallëzore që ka hartuar këtë kontratë, mbase kishte menduar që askush nuk do e kuptonte sa abuzuese është ajo në thelb…
Masakra me paratë për kontrollin shëndetësor falas
Llogaria është shumë e thjeshtë, dhe unë sot dua ta ndaj me të gjithë ata që na ndjekin, e sigurisht me të gjithë mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore, të cilët rropaten duke bërë për orë të tëra, edhe nën presionin e ministrit dhe të drejtuesve të tyre, punën që duhet të bënte koncesionari.
Atëherë, në vitin 2015:
244,440 qytetarë figurojnë zyrtarisht që kanë bërë analizat e kontrollit shëndetësor falas ose check up (unë kam dyshimet e mia që edhe ky numër zyrtar është i fryrë artificialisht – pra abuzimi mund të jetë akoma edhe më i madh – dhe kjo është arësyeja që ministri refuzon për të disatën herë që të japë informacionin e detajuar në lidhje me qytetarët që kanë kryer check up). Madje për të mundësuar refuzimin (antikushtetues) futën në lojë edhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale… E gjithë qeveria në këmbë për të mbuluar abuzimin që duhet të jetë marramendës…
356,000 është në fakt numri i analizave për të cilat është paguar koncesionari.
Diferenca prej 111 mijë analizash ka shkuar në xhep të mikes së Kryeministrit, pa bërë asgjë. Plot 1.5 mln euro… Mendo sa pacientë me tumor mund të ishin vizituar, kuruar apo shëruar me 1.5 mln euro.
Por historia nuk ndalet këtu, me diktat kjo vjedhje po shumëfishohet duke përfshirë në program edhe pensionistët, të cilët në fakt i gëzojnë me ligj të gjitha vizitat shëndetësore falas, janë shtresa më e skanuar, më e njohur nga të gjithë mjekët e familjes dhe mjekët specialistë… Shumica e dinë mirë çfarë sëmundjesh mund të kenë. Pra s’kanë asnjë nevojë për check up të ministrit, por kanë nevojë për parandalim terciar, pra sigurim barnash e kurash cilësore dhe jo të falsifikuara e kontrabandë… Por a ka shpresë për këtë? Me insistimin e Beqes, Nadiri pavarësisht abuzimit prej 2.2 mln euro me ketoserilin (faktuar nga raporti i KLSH) u lirua nga burgu. Në këmbim të heshtjes për bashkëpunëtorët, fitoi lirinë dhe kontratat me Fondin për LBR 2016. Nga ana tjetër, sot ministri emëron shef në sektorin e kontrollit të depove në Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore Zhanin e tij që me vendim të auditit të brendshëm dhe KLSH duhej të ishte pushuar nga puna.
Çfarë pretendon ministri?
Do të parandalojmë, tha ministri, sëmundjet e veshkave që kanë filluar të shfaqen në moshë më të hershme… Po si do i parandalojë ato? Si do i shërojë? Kur ka sakrifikuar një shefe shërbimi në QSUT se nuk pranoi të hiqte si alternativë të parë ketosterilin për ta zëvendësuar me një suplement ushqimor… pa i hyrë fare akrobacirave që ju desh të bëjë për ndryshim dozash, çmimesh për t’u dukur më i lirë etj., etj…
Po ata 1700 qytetarët që ministri referoi që zbuluan nga check up që ishin me tumor? Ku i çuat për t’u vizituar? A i kuruat? Ndaj le të ndalemi se çfarë ndodh te onkologjiku edhe sot që flasim. Rreth 50% është rritur nr i pacientëve me tumor te onkologjiku, ndërkohë që barnat për trajtimin e tumorit janë rritur vetëm me 4%.
Po humbjen e jetës së 6 pacientëve me HIV/AIDS pse nuk e parandaluat? Pse nuk siguruat kurat? Ende sot që ne flasim janë pa kura të plota?
Po fëmijët me leuçemi si i latë për muaj të tërë pa ilaçe? S’u prekët as nga lutjet pa fund të nënave? Por kur ne vajtëm në spital si i gjetët brenda natës? Kam gati 2 muaj që kam kërkuar informacion në lidhje me blerjen e ilaçeve për këta fëmijë: si u prokuruan? Kush e fitoi tenderin? Ku u blenë? Si u futën në Shqipëri? Pse refuzoni të raportoni? Çfarë fshihet pas kësaj?
Të dhënat e check up u fshehën për muaj më radhë nga Ministria e Shëndetësisë për të lejuar vjedhjen. Dokumentacioni mbahet “top-sekret”, ndërsa personeli shëndetësor kërcënohet me largime nga puna. Disa drejtues të Qendrave Shëndetësore u zëvendësuan me hidraulikë se nuk iu bindën urdhrit të ministrit për të falsifikuar regjistrat e pacientëve.
Ndërkohë “A e di se sa” para po shkojnë për propagandën e këtij projekti të shpikur nga tik-et nervore të udhëheqjes së kapur në flagrancë për korrupsion?
Miliona shkojnë për censurën e lajmeve për koncesionet në shëndetësi, miliona të tjera për shkrime të realizimit socialist….
Kjo është veçse një tragjikomedi që duhet të marrë fund. Prokuroria duket se më shumë po dëgjon presionet e qeverisë, sesa denoncimet.
Por, nuk ka më asnjë dyshim se ministri Beqaj është argati i Kryeministrit në çifligun e shëndetësisë dhe farmaceutikës.
Shqipëria pa Edi Ramën është më mirë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ambasadorët…