Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” ka trafikuar tonelata droge nga Shqipëria dhe Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë dy viteve që ishte drejtor i Transportit Rrugor të Sarandës. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh gjatë emisionit “Opinion” mbrëmjen e të hënës se fakti që Balili u vu në shënjestër të DEA-s amerikane ishte trafiku i tonelatave heroinë nga Ekuadori në drejtim të Evropës. Kjo ka bërë që Balili të vihet në gjurmim dhe të ketë një dosje prej 10 mijë faqesh nga agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese.
Prokuroria i kërkoi policisë që të arrestonte Klement Balilin që më 17 maj të vitit të kaluar, menjëherë pas kërkesës së Interpolit, por policia nuk veproi. Ky fakt u bë i ditur të hënën në emisionin “Opinion”, ku ishte i ftuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Hetimit të Krimit të Organizuar, Ardian Çipa. Ky i fundit pranoi se kishte patur një kërkesë nga Prokuroria për arrestimin e Balilit, por nuk dha asnjë spjegim pse policia nuk kishte ndërhyrë.
Gazetari Flamur Vezaj ka shpjeguar në “Opinion” edhe momentet e para kur Klement Balili u vu në survejimin e DEA, që përkon me datën 13 mars të vitit 2016. “Do vinte një kamion nga Bullgaria me portokalle për në Shqipëri që më pas do t’u ngarkonte me kanabis. Informacioni i parë ka qenë më 4 mars. Është bërë procedimi. Rasti i Balilit ka vazhduar me përgjimet e disa numrave të telefonit. Më 13 maj është bërë kontrolli i parë dhe më pas, ai është zhdukur për të mos u gjendur më”, u shpreh Vezaj.
Gazetari Flamur Vezaj ka lexuar në “Opinion” për herë të parë edhe një pjesë të përgjimeve që i janë bërë Balilit, ku shfaqet lidhja e tij me trafikun e narkotikëve. Në një video të publikuar gjatë emisionit shfaqen përgjimet se si Balili instrukton trafikantët në doganë. Janë faksimile ekskluzive, të cilat publikohen për herë të parë.
I pyetur lidhur mbi informacionet që kanë ardhur pas shpërblimit që ka vendosur Policia për “kokën” e Balilit, drejtori i Përgjithshëm i Hetimit të Krimit të Organizuar ka pranuar se janë shumë njoftime që vijnë mbi praninë e Balilit në vende të ndryshme, por ende nuk ka asgjë konkrete. Çipa u shpreh se arrestimi i Balilit është i vështirë, sepse ka shumë para. “Është i vështirë edhe për shkak të sigurisë financiare që ka individi. Nuk mund të japë informacion nëse aksionet janë dekonspiruar, pasi kjo është detyrë e një strukture tjetër”, tha Çipa.
Gazetari Blendi Fevziu ka lexuar një mesazh telefonik në emision, të ardhur nga një gazetar, sipas të cilit Balili u ndalua në muajin gusht, por polici që kreu ndalimin u transferua menjëherë. Nuk dihet se sa i vërtetë është ky informacion, ndërkohë që i mbetet organeve ligjzbatuese për ta verifikuar si mesazh.
Përgjimet/Ja si ra Balili në grackën e policisë greke
Trafikantët grek e shqiptarë flisnin me njëri-tjetrit në telefon, teksa policia greke i kishte nën përgjim. Deri më 11 mars 2016, policia greke dinte se ishte një trafikant shqiptar me emrin Keli, por nuk dinte identitetin e tij të plotë. Ka qenë një gafë e Klement Balilit që ka çuar në identifikimin e tij. Opinion.al disponon disa dokumente që janë biseda telefonike të përgjuara nga Prokuroria greke dhe që i janë vënë në dispozicion drejtësisë shqiptare për ta arrestuar Balilin.
Siç shihet edhe në dokumentet e mëposhtme, Balili komunikonte vazhdimisht me skafistin që transportonte drogën drejt Greqisë Petro Dalanaj, të cilin e orientonte për rrugën që do të ndiqte deri në ishujt grek ku do të linte ngarkesën. Ky person është tashmë i arrestuar. Gjithashtu, Balili komunikonte me biznesmenin grek Alyfantis Georgis, i cili ishte pritësi i lëndës narkotike, shkruan opinion.al.
Si ra Balili në grackë?
Në numrin e Alyfantis Georgis (që ishte në përgjim), Klement Balili dërgon numrin e tij të pasaportës, pasi grekut i duhej leje për të përdorur skafin. Në këtë moment, policia greke ka identifikuar se kush ishte boss-i që niste tonelata me drogë nga Shqipëria. Pra, afro 1 vit më parë (mars 2016) policia greke ka identifikuar Balilin. Ndërsa urdhër arresti për të nga Prokuroria shqiptare doli 10 muaj më pas (dhjetor 2016).
Bisedat e përgjuara të Klement Balilit me skafistin shqiptar dhe grekun që priste drogën
Dokument I: Komunikimi i Klement Balilit (Keli) me skafistin Petro Dalanaj
Dalanaj: Hajde vlla
Keli: Kalove çdo gjë? Kalove shumë?
Dalanaj: Po ika
Keli: Ike shumë milje nga ishulli
Dalanaj: 5, 67 milje. Kam vajt në një ishull tjetër, është një tjetër nga pas.
Keli: Mirë hajde. Hapu çik dhe ik avash
Dalanaj: Mirë hajde
Kely: Hajt shëndet
Biseda 2: Keli dhe Petro Dalanaj
Dalanaj: Hë re vlla
Keli, hajde avash avash. Ec
Dalanaj: Po vij
Keli: Do dalësh nga maja dhe do futesh në gjirin e madh
Dalanaj: E di ore e di. Atje në anë ku zbresin makinat?
Keli: E siç futesh në plazh
Dalanaj: Siç është rruga
Keli: Eee nga ana e brendshme që është, jo nga ana tjetër
Dalanaj: Erdha, erdha
Dokument II: Në dokumentet e Prokurorisë thuhet se në datat 5.5. 2016 dhe deri më 8.6.2016 kur është bërë sekuestrimi i lëndës narkotike ky shtetas ka mbajtur kontakte me shtetasin Alyfantis Georgis, i cili ishte pritësi dhe organizuesi i pritjes së lëndës narkotike kanabis sativa që vinte nga Shqipëria me varkën e drejtuar nga Petro Dalanaj.
Konkretisht identifikimi i është bërë me sms e mëposhtme “CD 211 numri i bisedës 161”. Deri në atë moment, Balili ishte i panjohur për policinë greke siç shënohet edhe në dokument (person i panjohur shqiptar) data e bisedës 11.3.2016 ora 12:42 mesazh dalës nga numri i telefonit të biznesmenit grek: “Vëllai im, dërgo numrin e pasaportës tënde”.
Balili i dërgon numrin e pasaportës BF2613552 që rezultoi të ishte Klement Balili i lindur më 20.3.1972 në Shqipëri dhe banor në Sarandë.
Në bisedat e përgjuara të cilat janë të shumta, Klement Balili koordinon veprimet mes Petro Dalanaj dhe Alyfantis Gerogios. Ky i fundit organizon pritjen në ishullin e Zakintos, duke organizuar paraprakisht strehimin ditën e mëparshme në një ishull të vogël të pabanuar, afër zonës Agio Sostit në Zakintos.
Balili, biseda me telefon me trafikantët vetëm pas orës 23:00 të natës
Klement Balili përdorte telefonin celular vetëm pas orës 23:00 të natës, për të komunikuar me bashkëpunëtorët e trafikut të drogës në Greqi. Janë zbardhur disa nga bisedat e përgjuara të dy numrave të telefonit që kishte në përdorim Balili. Nga zbardhja e këtyre bisedave, duket qartë që Balili ka pasur komunikime me trafikantët gjatë periudhës 4 deri 7 maj të 2016, biseda që kryeshin vetëm pas orës 23:00 të natës. Thuajse të gjitha bisedat e bëra me bashkëpunëtorët e tij në Greqi, janë pas mesnate, sidomos për organizimin dhe nisjen e skafit të mbushur me rreth 679 kg hashash drejt Greqisë mesnatën e 6 majit 2016, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në bisedat me dy skafistët shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanthi Palaj tashmë të arrestuar në Greqi, Balili i instruktonte për rrugën që do të ndiqnin në det për t’u ankoruar në brigjet e Sarandës për t’u ngarkuar me hashash.
Biseda e parë, rezulton e kryer rreth orës 23:00 të darkës, kur edhe e njofton për kohën e ankorimit në njërin nga gjiret e Sarandës ku e pret mjeti me hashashin. Pas ngarkesës, Balili rezulton se e kontakton rreth orës 02:00 pas mesnatës përsëri Petro Dalanaj, duke porositur që të ketë kujdes me zhurmën dhe ndriçimin në skaf kur të largohet nga bregu për t’u nisur drejt vendeve ku nuk mund të pikaset nga Policia Kufitare. Bisedat janë të shpeshta pas kësaj ore, deri në momentin që rreth orës 04 të mëngjesit të datës 5 maj, skafistët shqiptarë e sigurojnë shefin e tyre në Sarandë, Klement Balilin se skafi është fshehur në vendin e përcaktuar. Më pas, ditën e neserme, pikërisht më datën 6 maj 2016 pas mesnate, Balili përsëri rezulton se komunikon me skafistët e tij, duke i porositur për rrugën që do të ndiqnin drejt ishullit të pabanuar grek, ku e prisnin bashkëshpunëtorët e tij të rrjetit të trafikut të drogës.
Sipas këtyre materialeve, bisedat mes tyre janë të shpeshta deri në mëngjesin e hershëm të datës 7 maj ku skafistët dorëzojnë mallin te pala greke, ku prisnin 4 punonjësit e biznesmenit grek, Georgios Alyfantis. Një ditë më pas, ndërhyjnë policia duke arrestuar të gjithë grupin në Greqi dhe shpall në kërkim biznesmenin sarandiot Klement Balili. Ky i fundit, sipas autoriteteve greke, që në momentin e arrestimit të bashkëpunëtorëve në Greqi, nuk i ka hapur aparatet celular dhe numrat me të cilët bisedonte me shtetasit grekë dhe skafistët e tij tashmë të arrestuar.