Një dokument i Prokurorisë së Përgjithshme të vitit 2017, konfirmon faktin se Agron Malaj, aktualisht kryebashkiak i Ramws në Mat, ka qenë në kushtet e ndalimit të zgjedhjes dhe ushtrimit të funksioneve publike, për shkak të ligjit ‘Për Dekriminalizimin”.
Prokurori i Njësisë së Dekriminalizimit të asaj kohe, Petrit Fusha, në bazë të një kërkese të Departamentit të Administratës Publike, ka verifikuar të dhënat e Agron Malaj.
Në formularin e Dekriminalizimit, Agron Malaj, i cili ishte emëruar në funksionin e Drejtorit Rajonal të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Mat, kishte deklaruar se ishte dënuar me vendim të formës së prerë me 10 muaj burg për “armëmbajtje pa leje”.
Me vendimin e datës 20.07.2017, i publikuar së fundmi nga ‘”ABC News”, prokurori Fusha ka konstatuar se subjekti Agron Malaj, i dënuar me vendim të formës së prerë me 10 muaj burg për “Armëmbajtje pa leje” nga Gjykata e Matit në vitin 1999, “përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2, pika 1, gërma “ç” të ligjit nr. 138/2015”.
Për të kuptuar qartësisht vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, është e nevojshme të konsultohet baza ligjore.
Në nenin 2 të ligjit “Për Dekriminalizimin” janë renditur rastet se kur një person nuk mund të mbajë, ushtrojë apo të zgjidhet në funksione publike.
Më konkretisht, duke iu referuar pikës 1, gërma “ç” të cituar nga prokurori Fusha, parashikon shprehimisht:
“1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim”.
Në rastin e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj, plotësohen kushtet e ndalimit të nenit të cituar më sipër. Ai është dënuar me një vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi me dashje (“Armëmbajte pa leje”), më shumë se 6 muaj burgim (është dënuar me 10 muaj burgim).
Pra, Agron Malaj nuk mund të kandidonte dhe as të zgjidhej kryetar Bashkie, në bazë të verifikimeve të thelluara dhe konkluzionit të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili është autoriteti kryesor për zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”.
Por, ky konstatim i Prokurorisë së Përgjithshme është rrëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me shumicën e votave të anëtarëve të zgjedhur nga Partia Socialiste, në vendimin e datës 15 Maj 2019.
KQZ ka vendosur të lejojë kandidimin e Agron Malajt për votimet mono-partiake të 30 Qershorit, duke i bërë një interpretim “politik” ligjit “Për Dekriminalizimin”.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, “të dhënat e deklaruara nuk përbëjnë kusht për mos-regjistrimin e kandidatit (Agron Malaj)”, duke e lexuar në një mënyrë absurde ligjin “Për Dekriminalizimin”, i cili ka të parashikuar qartësisht rastet e ndalimeve dhe ku përfshihet plotësisht ish-kandidati dhe sot kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj.
Pas zbulimit të këtyre dokumentave, situata ligjore ndërlikohet më tepër. Partia Demokratike i ka kërkuar së fundmi Prokurorisë së Përgjithshme që të kryejë verifikime të thelluara për Agron Malaj dhe, në përfundim, të kërkojë edhe shkarkimin e tij nga detyra.
Por, Prokuroria e Përgjithshme e ka kryer më parë verifikimin e saj dhe ka konstatuar se ai nuk mund të zgjidhet në funksione publike që në vitin 2017. Nga ana tjetër, ky vendim i Prokurorisë së Përgjithshme nuk është marrë në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Atëherë, zgjidhja e vetme ligjore duket se është investimi i Gjykatës Kushtetuese, kur kjo e fundit të nisë funksionimin normal. Ose, situata mund të zgjidhet me një dorëheqje të vetë Agron Malaj, një veprim që nuk duket se mund të ndodhë, të paktën referuar qëndrimeve të tij publike.
/Boldnews.al