Dokumenti/ Komisionerja e Vetingut me 4 shtëpi, si i bleu brenda 3 viteve

Procesi i Vetingut riktheu në vëmendjen e publikut pasuritë e paluajtshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ajo që deri më tani ka mbetur enigmë për qytetarët është pasuria e kontrolluese të Vetingut. Shprehja “po rojet kush i ruan”, ka mbetur e pazbuluar deri më tani.

Institucionet përgjegjëse për transparencën e komisionerëve të Vetingut kanë heshtur deri më tani. Pavarësisht se ligji parashikon që pasuria e komisionerëve të bëhet menjëherë publike, deri më tani ato kanë mbetur të mbyllura në institucionin që administron formularët e pasurisë.

Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, struktura ku komisionerët e Vetingut dorëzojnë formularët e pasurisë, ka shtyrë në kohë publikimin e deklaratave të “rojeve” të sistemit të drejtësisë.

ILDKPKI refuzoi të vinte në dispozicion të “Boldnews.al” deklaratat e interesave private të zyrtarëve të Vetingut, me argumentin se “stafi përgjegjës ishte i angazhuar me azhurnimin dhe përmirësimin e sistemit dixhital të institucionit”. Komisioneri për Informim gjithashtu pranoi argumentin e ILDKPKI, pas një ankimi të dorëzuar nga “BN”. 1 6

Komisionerja me apartamente 150 mijë euro
Përballë mungesës së transparencës nga institucionet, “Boldnews.al” kreu investigim për disa prej anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga të cilat u siguruan të dhëna se, disa prej tyre, janë në pozita të njëjta me gjyqtarët e prokurorët që kanë shkarkuar, sa u përket sasisë së pasurisë.

“Boldnews.al” ka siguruar të dhëna, në bazë të dokumentave zyrtare, se Komisionerja e KPK, Suela Zhegu dhe bashkëshorti i saj, Idi Zhegu, janë pronarë të 4 apartamenteve. Sipas të dhënave që ka parë ‘BN”, këto apartamente janë blerë në periudhën 2004-2007 dhe vlera totale e tyre arrin në rreth 150 mijë euro.

Nga dokumentat që ka parë “BN” rezulton se Suela Zhegu dhe Idi Zhegu kanë blerë një apartament 85 m2 në vitin 2004. Dy vjet më pas, më 2006, ata blejnë edhe një apartament tjetër, me sipërfaqe 65 m2.

Në vitin 2007, komisionerja Zhegu dhe bashkëshorti i saj blejnë dy apartamente të tjera-një në Plazh Durrës, me sipërfaqe 75 m2 dhe një tjetër, me sipërfaqe 70 m2.

Në bazë të dokumentave zyrtarë, rezulton se Suela dhe Idi Zhegu i kanë blerë të 4 apartamentet, me shuma që variojnë nga 30.000 euro – 47.000 euro dhe pagesat janë kryer në periudhat e përcaktuara në kontratat e shitjes. Në asnjë rast nuk përcaktohet se ndonjë prej këtyre pasurive të paluajtshme është përfituar nga forma të tjera të parashikuara nga Kodi Civil, siç mund të jenë dhënia me shkëmbim e ndonjë trualli apo të tjera të ngjashme

Pra, duket qartë që bashkëshortët Zhegu i kanë krijuar këto pasuri të paluajtshme me të ardhurat e fituara nga punësimet e tyre.

Të ardhurat e pamjaftueshme?
Suela Zhegu thuajse të gjithë karrierën e saj profesionale, e ka zhvilluar në administratën publike dhe të ardhurat e saj janë pikërisht pagat shtetërore. Në faqen zyrtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rezulton se komisionerja Zhegu ka punuar pa ndërprerje për 21 vjet në sistemin e drejtësisë. Ajo e ka nisur si ndihmës gjyqtare dhe më pas, për shumë vite, ka qenë zyrtare e administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Boldnews.al” ka kërkuar të dhëna për të ardhurat e bashkëshortit të saj, Idi Zhegu, me profesion ekspert-urbanist. Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe në administratën Tatimore, Idi Zhegu rezulton i regjistruar vetëm pas vitit 2008. Deri në atë kohë, këto dy institucione nuk kanë asnjë rekord për të ardhurat e aktivitetit profesional të bashkëshortit të Komisioneres.

Nga të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se Idi Zhegu është regjistruar si “person fizik” në vitin 2008 dhe si ortak në kompaninë “Arredo Plan”, e krijuar në vitin 2009.

“Boldnews.al” siguroi të dhëna nga administrata tatimore lidhur me të ardhurat dhe fitimet e krijuara nga Idi Zhegu gjatë periudhës 2008-2018. Nga informacionet e siguruara, rezulton se “Personi Fizik” Idi Zhegu, për vitin 2008 ka zero fitim. Në vitin 2009, ai ka deklaruar 380 mijë lekë fitim. Një vit më pas, në 2010, ai ka deklaruar 13 mijë lekë të reja fitim; në vitin 2011 ka deklaruar 380 mijë lekë. Më tej, nga viti 2012 deri në vitin 2018, ‘Personi Fizik” Idi Zhegu nuk ka deklaruar asnjë fitim.

Gjithashtu, Zhegu rezulton ortak me 33 përqind në kompaninë ‘Arredo Plan”, e krijuar në vitin 2009. Në bazë të të dhënave të siguruara në administratën tatimore, kjo kompani nuk ka aktivitet dhe nuk ka krijuar të ardhura. di Zhegu nuk rezulton të jetë i punësuar në asnjë aktivitet tjetër tregtar, për periudhën 2008-2018.

Sekuestro e pasurisë
Në periudhën që Suela dhe Idi Zhegu janë bërë pronarë të 4 apartamenteve, me vlerë 150 mijë euro, rezulton se ata kanë qenë në vështirë shumë të mëdha financiare. “Boldnews.al” ka zbuluar një “Urdhër Sekuestroje”, të vendosur nga një shoqëri përmbarimi, pasi gjykata e Tiranës, në vitin 2006, ka urdhëruar bllokimin e aksioneve të mundshme, në emër të Idi Zhegut.

Me vendimin nr. 3872, dt. 30.06.2006, Gjykata e Tiranës ka vendosur detyrimin e të paditurit Idi Zhegu t’i paguajë shtetasit Hajredin Fratari shumën në total prej 3 milionë lekë të reja dhe mbi 12 mijë dollarë amerikanë, për shkak të moszbatimit të dy kontratave mes njëri-tjetrit.

Në urdhërin e ekzekutimit të Përmbaruesit Gjyqësor, rezulton se Idi Zhegu i ka këto detyrime, në zbatim të një kontrate të lidhur me biznesmenin Hajredin Fratari në Nëntor të vitit 2000 dhe Korrik të vitit 2001.

Pasi ka pritur 5 vjet për të marrë detyrimin nga Idi Zhegu, biznesmeni Fratari i është drejtuar Gjykatës. Kjo e fundit, në vitin 2006, vendosi sekuestrimin e aksioneve të mundshme, të regjistruara në emër të Idi Zhegut, saktësisht në kohën kur ai dhe bashkëshortja e tij, Suela, ishin bërë pronar të dy apartamenteve.

Pavarësisht se gjykata kishte urdhëruar sekuestron e aksioneve të mundshme të Idi Zhegut për shkak të detyrimit kontraktor të pashlyer, ai dhe Suela Zhegu blejnë edhe dy apartamentet e tjera, në vitin 2007.

Idi Zhegu nuk pranoi të zbatonte vendimin e gjykatës për të kthyer në mënyrë vullnetare detyrimin ndaj Hajredin Fratarit. Kjo situatë detyroi Përmbaruesin Gjyqësor që, në 8 Mars 2011, të nxjerrë urdhërin e sekuestrimit të aksioneve që mund të ketë regjistruar shtetasi Idi Zhegu në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
/Boldnews.al

Exit mobile version