Presidenti i Republikës ka nxjerrë zbuluar dhe një herë ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, në lidhje me informacionin që ka dërguar në Presidencë për votimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Me ç’duket i zënë ngushtë prej urdhrave të shefit të tij në qeveri, i cili e ka urdhëruar prerazi të votojë kundër interesave amerikane dhe Perëndimit në lidhje me rezolutën për armët bërthamore në OKB, si një karshillëk që kërkonte t’i bënte Shteteve të Bashkuara, ministri i Jashtëm kërkon të përfshijë në këtë skandal dhe Presidentin e Republikës, ku u shpreh se i ka dërguar informacion që më datë 3 shkurt. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidencës, e cila ka bërë publike për mediat dokumentin e protokollit të Gardës, e cila merr në dorëzim dhe postën zyrtare të institucionit. Sipas kësaj shkrese, letra është dorëzuar më datë 7 shkurt, në orën 10, pra përgjatë kohës kur Bushati ishte në Komisionin e Jashtëm, në seancën e thirrur nga deputetja e PD-së Topalli për këtë çështje.
Presidenca
Në shkresën e Presidencës bëhet e qartë se ajo nuk ka qenë e informuar për këtë çështje. Nga ana e tij, Nishani ka shprehur keqardhjen, për dezinformimet sipas tij të përsëritura nga ana e ministrit Bushati. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh keqardhjen për dezinformimet e përsëritura e të pavërteta të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe nëse nuk do të ishte një çështje e rëndësishme e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik të Shqipërisë, si dhe vendet partnere në NATO, nuk do t’i kthente përgjigje dezinformimit të radhës së ministrit. Dezinformimit të djeshëm në Komisionin për Politikën e Jashtme, sot ministri Bushati i ka shtuar edhe një të ri, duke pretenduar se i është përgjigjur në formë shkresore presidentit përpara deklaratës së tij të ditës së djeshme në Komisionin parlamentar. Edhe ky pretendim i ministrit Bushati nuk është aspak i vërtetë, pasi shkresa ka mbërritur në Presidencë dhe është regjistruar nga autoritetet e Gardës së Republikës, në orën 10:00, të datës 07.02.2017, si dhe pak minuta më vonë nga strukturat e protokollit të institucionit të Presidentit të Republikës. Këto janë lehtësisht të verifikueshme dhe jo pretendimet dezinformuese të ministrit”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Informacioni i mbajtur i fshehur për 45 ditë
Nga ana e tij, Bushati ka bërë publike një letër, e cila mban numrin e protokollit 1662 dhe siç pretendon ai është shkruar më datë 3 shkurt. Por siç dhe pohon vetë Ministria e Jashtme, kërkesa e Presidencës për informacion në lidhje me këtë çështje ka shkuar që më datë 11 janar 2017. Ndërkohë votimi në Asamblenë e Përgjithshme është bërë më datë 23 dhjetor të vitit të shkuar… Ministri Bushati, nuk i është përgjigjur për më shumë se 25 ditë kërkesës së Presidentit. Po t’i shtojmë dhe ditët që kur është kryer votimi atëherë dalim në përfundimin se nga ana e shtetit shqiptar është heshtur për më shumë se 45 ditë për këtë çështje. Bushati nga ana e tij nuk dha përgjigje as kur çështja u bë publike nga ana e ish-Kryeministrit Berisha në seancën e 26 janarit, kur denoncoi këtë votim. Nuk mori mundimin të bënte as sqarimin më të vogël zyrtar, në rast se çështja ka të bëjë me një gabim njerëzor apo të sekretarisë atje siç pretendon Bushati. Duket se nga ana e shtetit shqiptar ka një tentativë për ta fshhehur këtë çështje, e cila përbën një nga skandalet më të mëdha të historisë sonë në marrëdhëniet me Aleancën e Atlantikut Verior dhe SHBA-të. Dyshimet janë hedhur se vota kundër u dha, menjëherë pasi u shpall fitues presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, ku Edi Rama kish vënë bastin e tij politik për kandidaten demokrate dhe u investua deri në daljet e televizioneve amerikane kundër presidentit Trump. Vota mesa duket ka qenë një karshillëk që ka kërkuar të bëjë Kryeministri ynë piktor, që mesa duket ka ngatërruar Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me Asamblenë e Partisë Socialiste, ku është mësuar të duartrokitet për të gjitha llomotitjet e veta, por harron se marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë, nuk janë si ato mes tij dhe atyre që i bëjnë fresk pushtetit.
Ajo çfarë pritet të ndodhë është si do të reagojë Uashingtoni? A ka reaguar politika zyrtare amerikane në lidhje me këtë votë kundër të Shqipërisë ndaj Prseidencës Trump? Natyrisht që ka një reagim zyrtar dhe ky pritet të bëhet publik.
Armand MAHO