Dokumenti që provon të vërtetën e përgjimeve

Ish-Kryeministri Berisha ka bërë publik dje dokumentin e përgjimeve që është bërë në Burgun 302 të Tiranës. Në librin e hyrje-daljeve në burgjeve është edhe prova e krimit, që është bërë pa dijeninë e prokurorëve. “Njoftim nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Zoto që të futet makina me targa AA380 BD e drejtuar nga Entiol Xhelili në territorin e Burgut 302 për monitorim të ndotjes së ajrit”. Më poshtë këtij shënimi në librin e hyrje-daljeve vjen edhe fraza tjetër “Përfundoi monitorimi. Raportoj në DPB mbi futjen e makinës për monitorim”. Këto janë provat që gjenden në bllokun e hyrje-daljeve, ku përbri tyre kanë të shënuar edhe kohën kur është realizuar futja e makinës, ditën dhe orën. Nga libri kuptohet se kemi të bëjmë me një falsifikim të motiveve të hyrjes së automjetit në këtë burg. Dihet që makina nuk mund të monitorojë ajrin, por ajo do të monitoronte dhe përgjonte pikërisht elementë të caktuar brenda burgut. Po përse duhej përgjuar brenda burgut? Kësaj pyetje pritet që t’i japë përgjigje hetimi, por ajo që besohet është se kemi të bëjmë me një luftë të hapur mes bandave në qeveri, ku njëra palë përgjon të burgosurit e palës tjetër.
Skandali tjetër që konfirmohet është se të gjithë të burgosurit mbajnë aparate celularë në qelitë e tyre dhe komunikojnë lirshëm me personat që ata kanë interes. Nuk është surprizë të thuhet se, nga burgjet porositen edhe vrasje dhe për këtë ka edhe akuza konkrete dhe vendime gjyqësore.
Skema e përgjimeve është e njëjtë me atë që Prokuroria ka provuar edhe përpara gjykatës për të lënë në arrest shtëpie dy oficerët e policisë që janë marrë me operacionin e përgjimeve. Duke qenë se provat janë të qarta kjo ishte arsyeja që në kërcënimet ndaj gjyqtarëve u angazhuan direkt Rama dhe Tahiri.
Kjo është një nga provat që Prokuroria ka për hetimin, ndërsa prova të tjera të shumta pritet që të dalin gjatë ditëve të ardhshme. Skandali i përgjimeve pavarësisht zgjatjes në kohë nuk do të mund të mbyllet dhe përgjegjësit nuk do të mund të shpëtojnë të ndëshkohen sipas ligjeve.

Drejtuesit e policisë falsifikuan targat e makinës

Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për skandalin e përgjimeve edhe në burgje. “ABC News” ka mësuar se me urdhër të prokurorëve të çështjes, hetuesit kanë sekuestruar librat e hyrje-daljeve në disa paraburgime dhe burgje në Shqipëri. Kjo pasi është evidentuar se agjentët e Forcave të Posaçme të Operacionaleve nën drejtimin e të proceduarit penalisht, Entiol Xhelilaj, kanë përdorur pajisjen “IMSI Cathcer” edhe në burgje.
Sipas akuzës, janë sekuestruar tashmë regjistrat e paraburgimit “Mine Peza” i njohur si 302, burgut të Peqinit dhe Fushë-Krujës. Në të tri këto institucione të vuajtjes së dënimit, mësohet se prokurorët kanë konstatuar hyrjen e makinës, ku ndodhej pajisja dhe agjentët e Forcave të Posaçme Operacionale. Në tre rastet, rezulton se, veprimi hetimor është kryer pas mesnatës së datave të ndryshme gjatë vitit 2015. Në librat e regjistrave që janë sekuestruar, thonë burimet e Prokurorisë, janë evidentuar targat e makinës ku ndodhej e instaluar pajisja e përgjimit, si dhe emrat e personave që kanë hyrë në burg, nën drejtimin e Entiol Xhelilajt me detyrë përgjegjës i IT-së në Komisariatin e Forcave të Posaçme Operacionale. Burimet thonë se në regjistra është shënuar nga oficeri i rojës, se urdhri për lejimin e hyrjes së makinës së përgjimit që drejtohej nga Xhelilaj është dhënë me telefon nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Prokurorët nuk kanë gjetur dhe sekuestruar në Arkivën e Burgjeve ndonjë vendim prokurori që kërkonte lejimin e pajisjes së përgjimit të kryente veprime hetimore brenda burgut. Për këtë fakt, hetuesit pritet të marrin në pyetje personelin e burgut për të mësuar ndonjë detaj më shumë se kush ka qenë subjekt i hetimit nga agjentët e përgjimit.
I pyetur për këtë fakt, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, nuk preferoi të komentojë.
Sipas Prokurorisë, për llogari të këtij hetimi janë verifikuar edhe targat e mjetit me të cilën agjentët kanë hyrë në burgje dhe kanë rezultuar se kanë qenë tagra fiktive, të falsifikuara. Për llogari të kësaj dosje, u pezullua për disa ditë drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, por me vendim të Gjykatës së Apelit u rikthye në detyrë. Ndërsa janë proceduar edhe dy zyrtarë të policisë, Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Denoncimi i Berishës

“Ja dokumenti që fakton se si më dt. 12.6.2015 u fut nga Saje qorri makina me aparatin e përgjimit ‘IMSI Cathcer’, me targë AA380 BD e drejtuar nga Entiol Xhelili në territorin e Burgut 302, me porosi të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, me pretekst matjen e ndotjes së ajrit! Ky dokument fakton mashtrimin e ulët të Edvin Shullazit, Saje qorrit dhe mercenarit të tyre Çako, që mashtron shqiptarët se aparatura nuk është përdorur për përgjim!”, shkruan Berisha.

Exit mobile version