Dokumenti, Rama-Tahiri mbrojtën 8 muaj Balilin

Partia Demokratike akuzoi dje Ramën dhe Tahirin për mos arrestimin e Klement Balilit, ndonëse ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar që më datën 17 maj të këtij viti. Në një deklaratë për mediat, kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, publikoi dokumentin e urdhër arrestit dhe tha se, “Eskobari i Ballkanit” është mbrojtur për 8 muaj nga Rama dhe Tahiri.
“Sot, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë kronologjia e çështjes së Klement Balilit, ku rezulton se Eskobari i Ballkanit, siç u cilësua nga CNN, është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në datën 17 maj të këtij viti. Prej kësaj date, prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale “krijim dhe drejtim të organizatës kriminale”, pa pritur më asnjë procedurë tjetër”, u shpreh Alibeaj.
Më tej, Alibeaj tha se u bënë 8 muaj që Rama dhe Tahiri refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit. “Ja ku është publikimi i Ministrisë së Drejtësisë, e gjeni në faqen e saj zyrtare. Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama, kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, kjo pra është lidhja e qeverisë me krimin, ky është inkriminimi në nivelet më të paimagjinueshme. “Kjo është dëshmia që Edi Rama nuk shkëputet nga krimi, nuk zbaton dekriminalizimin që e kërkon edhe Europa si kusht për procesin e integrimit. Kjo është mbrojtja e drogës, e trafikantëve, e karteleve”, tha ai.
Alibeaj deklaroi se Partia Demokratike e ka denoncuar Balilin që ditën që Rama e emëroi shefin e transportit të jugut, ndonëse ai ishte arrestuar gjatë qeverisjes së PD për trafik droge. “Ne e kemi denoncuar qysh ditën që Edi Rama e emëroi Klement Balilin shefin e transportit të jugut, si emërimin e një personi me të shkuar kriminale, të arrestuar në flagrancë me 750 kilogram drogë. Por, Edi Rama jo vetëm nuk reagoi pas këtij denoncimi, por edhe kur vjen kërkesa për arrestimin e tij, nga gjysma e policive të Europës, nuk e zbaton dhe e mbron atë deri në fund. Ja pra kush është rreshtuar me krimin, me drogën, me trafikantët, kundër shqiptarëve, kundër interesave të vendit”, përfundoi Alibeaj.

Si Tahiri e mori në mbrojtje Balilin

Megjithëse vetë qeveria, pra Ministria e Drejtësisë, publikoi dje dokumentin e lëshimit të urdhër arrestit që më datën 17 maj për arrestimin e Klement Balilin, por ai nuk u arrestua nga policia, Tahiri doli disa orë më vonë për t’u vetëmbrojtur për këtë skandal të rëndë, duke akuzuar Partinë Demokratike si “fajtore” për mos arrestimin e “Eskobarit të Ballakanit”. Policia jo vetëm që nuk e arrestoi, ndonëse “Eskobari i Ballkanit” shfaqej publikisht në lokale e dasma, madje bënte xhiro me jaht në shoqërinë e efektivëve të policisë në Sarandë, por Ministria e Tahirit e mori në mbrojtje Balilin, duke përgënjeshtruar lajmet e mediave se, ai ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar më shumë se 1 ton marijuanë të trafikuar nga banda e Balilit, ndërsa Rama dhe Tahiri e morën në mbrojtje Balilin.
Balili ishte arrestuar për trafik droge në kohën e qeverisë demokratike, ndërsa shefi i Tahirit, Rama e emëroi drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, për ta patur më të lehtë trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian.

Urdhëri i Interpolit për arrestimin e Balilit që më 17 maj

Ministria e Drejtësisë publikoi dje kronologjinë e korrespondencës shkresore të këtij dikasteri për dosjen ‘Balili’, ku saktëson se letër-porosia për arrestimin e Balilit kishte ardhur që më 17 maj nga Interpol Athina. Përmes kësaj kronologjie, Ministria e Drejtësisë sqaron gjithë opinionin publik mbi veprimet e shpejta mbi këtë çështje.
Lista nis në datën 11 maj, kur Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi dërgimin e letër-porosisë autoriteteve greke. 6 ditë më pas, në datën 17, Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës njoftoi Ministrinë e Drejtësisë dhe vuri në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme “Mbi shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Athina”, të Klement Balilit.
Me marrjen e kërkesës nga Interpoli, në të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë i përcolli Prokurorisë së Përgjithshme dokumentacionin e ardhur nga Interpol Tirana, për të vepruar lidhur me marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet greke.
Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje vetëm pas reagimit të ambasadorit amerikan për dështimin e policisë dhe drejtësisë në arrestimin e Klement Balilit.
Sipas Manjanit, e njëjta letërporosi e ardhur nga Krimet e Rënda i është ridërguar Greqisë në datën 25 maj. Për këtë, ministria sqaron se nga data 25 maj e deri më datën 14 nëntor 2016, nuk ka asnjë letërkëmbim tjetër mbi këtë çështje.
Më 14 nëntor, Krimet e Rënda kanë dërguar kopjen e materialit në total 10 fashikuj me 1700 faqe në gjuhën greke, për t’u përkthyer në gjuhën shqipe.
Menjëherë, Ministria e Drejtësisë ka shpërndarë materialin për përkthim fillimisht në 10 përkthyes të gjuhës greke, por për shkak të urgjencës, për përkthimin u angazhuan 15 përkthyes.
Materiali i përkthyer, me shkresën e Ministrisë së Drejtësisë ju dërgua Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, duke vënë në dijeni dhe Prokurorinë e Përgjithshme në datën 6 dhjetor.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetër1 mijë talente të skeduar