Dokumenti/ Si ia dha Gjiknuri konceisionin e bombolave të gazit një kompanie pa garë…

Për afro tre vite, një kompani e lidhur me ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm Koli Bele, ka fituar në mënyrë të fshehtë të drejtën ekskluzive për të patur monopolin e kontrollit të bombolave të gazit. Praktikisht një koncension I dhënë me urdhër ministri.

Kur qeveria shqiptare miratoi në Mars 2016 një Vendim për rregullat teknike të bombolave të gazit, Ministri i Energjetikës së kohës, Damian Gjiknuri duket se e kishte përcaktuar kompaninë private që do të kryente këtë proces.

Vetëm një javë pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, më 8 Prill 2016, Gjiknuri autorizoi kompaninë “El-Bu 2009”, sot me emrin e ndryshuar “Sëiss Approval”, që të kryejë kontrollin e të gjithë bombolave të gazit që janë në qarkullim në tregun shqiptar.

Në atë kohë, “El-Bu 2009” ishte e vetmja kompani e pajisur me Aktin që e njihte si Organ i Miratuar i Vlerësimit të Konformitetit, një dokument i lëshuar nga Ministri i Energjetikës. Në bazë të këtij akti, kompania private ishte e autorizuar të kryente vlerësimin e kushteve (konformitetit), ndër të tjera, edhe të pajisjeve nën presion, ku përfshihen edhe bombolat e gazit.

Në bazë të Urdhërit të ministrit Gjiknuri, të gjithë operatorët ekonomikë në fushën e gazit të lëngshëm, së pari duhet t’i nënshtrohen inspektimit të “El-Bu 2009” për të verifikuar kushtet e bombolave të tyre, si edhe duhet të merrnin aprovimin e kompanisë inspektuese për të gjithë të tjerat që do të hidhnin në treg.

Pavarësisht se dokumenti i nënshkruar nga Damian Gjiknuri titullohet “Autorizim”, në fakt ai duket që është ndër ata që konsiderohen “koncensione të fshehura”.

Fijet e kompanisë
Kompania “El-Bu” shpk është krijuar në vitin 2009. Në kohën që kompania u ngarkua nga Gjiknuri për të kryer kontrollin e bombolave të gazit në 2016, ajo ishte në pronësi të Gentian Filaj (47.5% të aksioneve), Realdo Mansaku (26.6%), Henri Aleksi (20.9%) dhe Ahmet Burak Goktepe (5%).

Aksioneri kryesor i kësaj kompanie Gentjan Filaj është dhe njohje e vjetër si dhe bashkëpunëtor i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Energjisë Koli Bele.

Filaj dhe kompanitë e lidhura me të, rezultojnë përfituese të një numri kolosal punësh dhe favoresh të dhëna nga Ministria e Energjisë në kohën kur drejtohej nga Gjiknuri.

Dy aksionerët kryesorë të “Sëiss Approval”, Gentian Filaj dhe Realdo Mansaku, janë gjithashtu bashkëpronarë në kompaninë “Albania Mining Consulting”, e cila ka si veprimtari të saj gjithashtu certifikimin e enëve nën presion.

Filaj dhe Mansaku janë gjithashtu bashkëpronarë edhe në kompaninë “SSA-Albania”, e cila ushtron aktivitet, ndër të tjera, në prodhimin e tubave dhe enëve me presion.
/Boldnews.al

1 61

Artikulli paraprakKërcënimi nuk është argument, Veliaj!
Artikulli tjetërKërkesa e çuditshme e Allës për prokurorët e SPAK