Dokumenti/ Të dënuarit në revoltën e Qafë Barit nuk janë terroristë si Enver Hoxha dhe Ramiz Alia

Nga Kastriot Dervishi

Si personi që kam përgatitur gjithë dosjet e subjekteve që dëmshpërbleheshin dhe që kam gjetur vendin e varrimit të dy martirëve të procesit të revoltës së Qafë Barit të datës 22 maj 1984, Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, e njoh problemin për të cilin disa ish të dënuar politikë kanë hyrë në grevë urie këto ditë. Me vjen shumë keq që problemi i tyre është zgjatur shumë në vite, ndërsa mund të ishte zgjidhur fare lehtë, nëse institucionet do kuptonin e viheshin në lëvizje me veprime konkrete dhe jo vetëm me takime e deklarata. Nuk diskutohet e drejta e tyre, por duhen gjetur rrugët për ta realizuar atë. Çdo përpjekje kundër një regjimi terrorist si ai i E.Hoxhës dhe R.Alisë meriton veçse respekt dhe nderim. Çdo i dënuar në këto procese, duhet dëmshpërblyer. Konkretisht si paraqitet ky rast.
Me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me veprim në Pukë, 12 dënuarit e revoltës u deklaruan fajtorë për “terrorizëm”, në bazë të neneve 13 dhe 50 të ligjit nr.5591, datë 15.6.1997 “Kodi Penal i RPSSH”. Neni 13 ka të bëjë me bashkëpunimin në “një bandë e armatosur ose nga një organizatë kundërrevolucionare”.

Neni 50 parashikon “veprat terroriste”, “kundër përfaqësuesve të shtetit dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë ose kundër personave të tjerë për shkak të veprimtarisë së tyre shtetërore ose shoqërore”. Ligji nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar, në nenin 5 të tij, nuk parashikon dëmshpërblimin për vepra terroriste të parashikuara nga Kodi Penal i vitit 1977. Ky përcaktim i ligjit është i drejtë sepse me të njëjtën akuzë mund të jenë shumë të dënuar të tjerë jo për çështje politike.
Një rast i ngjashëm me revoltën e Qafë Barit ka qenë revolta e Spaçit në vitin 1973. Mirëpo ajo është trajtuar në gjyq me Kodin Penal të vitit 1952. Për këtë arsye, ndonëse kemi dy raste të ngjashme, trajtimi për të dënuarit e viteve 1973 dhe 1984 është i ndryshëm.
Duke qenë se në këtë proces nuk kam qenë vendimmarrës, kam propozuar më parë, që ndryshimet për zgjidhjen e problemit të të dënuarve të revoltës së Qafë Barit janë dy:
-Shtesë në ligjin nr.9831, posaçërisht për të dënuarit e revoltës së Qafë-Barit.
-Dhënien e kompetencës ministrit të Drejtësisë, të vendosë në raste të veçanta, nëpërmjet aktit administrativ.

Pikësëpari, problemin e ka pasur dhe e ka si detyrim nga ana ligjore Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politike, i cili duhet të propozojë ndryshimet përkatëse të këtij ligji.
Bashkëlidhur: I dënuari Kostandin Gjordeni i plagosur gjatë revoltës dhe faksimile nga vendimi i gjykatës që i ka dënuar për “terrorizëm”.

Exit mobile version