Donald Trump do të betohet mbi Biblën e Abraham Lincoln

Komiteti për përgatitjen e Ceremonisë së Inaugurimit Presidencial ka bërë të ditur disa detaje rreth momentit të betimit të Presidentit të zgjedhur Donald J. Trump që do të zhvillohet më 20 janar 2017.
Presidenti i zgjedhur Trump do ta bëjë betimin në datën 20 janar 2017, duke përdorur Biblën e tij, si edhe  të njëjtën Bibël që Presidenti Lincoln përdori në ceremoninë e tij të parë të inaugurimit. Betimi do të administrohet nga Shefi i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Roberts.
“Në fjalimin e parë gjatë inaugurimit, Presidenti Lincoln iu lut “engjëjve më të mirë të natyrës sonë’”, tha Kreu i Komitetit për Inaugurimin Presidencial Tom Barrack. “Duke bërë të njëjtin betim zyrtar, 156 vjet më vonë, Presidenti i zgjedhur Trump me përulje do të vendosë dorën mbi Biblat, të cilat mbartin kuptime të veçanta si ato që kanë të bëjnë me familjen e tij ashtu edhe me atdheun”.
Bibla e Presidentit të zgjedhur Trump i është dhuruar atij nga mamaja me rastin e përfundimit të Shkollës së Parë të të Dielës Kishtare në Kishën e Parë Presbyteriane, Jamaica, New York, në Ditën e Fëmijëve,12 Qershor 1955. Kjo Bibël është version i rishikuar dhe botuar nga Thomas Nelson dhe të bijtë në New York në vitin 1953 dhe në cepin e poshtëm të kopertinës mban emrin e plotë të Trump. Ndërkohë, kopertina e brendshme është firmosur nga zyrtarët e kishës si dhe ka të gdhendur emrin e tij dhe detaje për kohën kur i është dhuruar atij.
Bibla e Lincoln është blerë për ceremoninë e parë të inaugurimit të Presidentit Abraham Linkoln nga William Thomas Carroll, Sekretar në Gjykatën Supreme. Bibla është veshur me një kadife në ngjyrë të kuqe të errët me një rrip metali të larë në flori rreth e rrotull kopertinës. Kjo Bibël është pjesë e koleksionit të Librarisë së Kongresit dhe është përdorur në tre ceremoni inaugurimi, 1861, 2009 dhe 2013.

Artikulli paraprakTrump: Donin të më godisnin për herë të fundit, a jetojmë në Gjermaninë naziste?
Artikulli tjetërAsnjë privilegj nga fronti mediatik!