Donald Trump i jep postin e rëndësishëm Robert F. Kennedy Jr.! Kandidoi si i pavarur në garën, por u tërhoq për të mbështetur Presidentin e sapozgjedhur

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, thotë se do të emërojë zotin Robert F. Kennedy Jr. në krye të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), agjenci që ka një shtrirje të gjerë, që nga mbikëqyrja e ilaçeve, vaksinave dhe sigurisë ushqimore, e deri tek kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë dhe programet e kujdesit shëndetësor.

 

“Për një kohë të gjatë, amerikanët janë dëmtuar nga industria ushqimore dhe e prodhimit të ilaçeve, të cilat janë përfshirë në manipulime, keqinformime dhe dezinformime, kur bëhet fjalë për shëndetin publik”, tha zoti Trump në një postim në rrjetin TruthSocial ndërsa njoftoi emërimin e zotit Kennedy. Ai tha se: “Kennedy do ta bëjë Amerikën përsëri të madhërishme dhe të shëndetshme!”

Zoti Kennedy, një ish demokrat që kandidoi si i pavarur në garën presidenciale të këtij viti, i dha fund fushatës së tij duke shprehur mbështetjen për republikanin Donald Trump me premtimin për të patur një rol në politikën shëndetësore të administratës së ardhshme republikane.

Që nga ajo kohë, ai dhe zoti Trump i kanë shtuar lidhjet, ndërsa zoti Kennedy u përshëndet me duartrokitje të forta gjatë tubimeve të republikanit Trump.

Një skeptik i kahershëm ndaj vaksinave, zoti Kennedy është një avokat që për dekada me radhë ka krijuar një bazë të gjerë mbështetësish që e admirojnë punën e tij për mjedisin, duke ngritur padi kundër kompanive të mëdha farmaceutike dhe të prodhimit të plehrave kimike që përdoren në bujqësi. Ai ka bërë thirrje për rregulla më të rrepta lidhur me përbërësit në artikujt ushqimor.

Ndërsa u përfshi në fushatën e republikanit Donald Trump, zoti Kennedy u përpoq të fitonte mbështetjen e nënave të reja, me mesazhin për ushqime më të shëndetshme në Shtetet e Bashkuara. Ai premtoi se do të ndiqte shembullin e rregullave evropiane për ushqimet. Ai nxori sloganin “Ta Bëjmë Amerikën të Shëndetshme Përsëri”.

Gjatë mandatit të parë, Presidenti Trump eliminoi shumë rregulla për industritë e mëdha, përfshirë atë të ushqimit, çka mund të bjerë ndesh me synimet e zotit Kennedy për të bërë shtrëngime kur flitet për përbërësit ushqimor. Gjatë kohës në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump bëri thirrje për më pak inspektime në industrinë e mishit.

Qëndrimi i zotit Kennedy ndaj vaksinave e ka bërë atë një figurë të debatueshme mes demokratëve dhe disa republikanëve, çka ngre pikëpyetje në lidhje me mundësinë e marrjes së konfirmimit në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Zoti Kennedy ka thënë se do të rekomandojë heqjen e fluorit nga uji i pijshëm. Shtimi i fluorit, sipas ekspertëve, shërben për të mbrojtur dhëmbët.

Departamentit i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, shkurtimisht HHS, ka më shumë se 80,000 punonjës në mbarë vendin. Kjo agjenci mbikëqyr Administratën e Ushqimit dhe Barnave, FDA, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, Institutin Kombëtar të Shëndetit, NIH, dhe disa programe për kujdesin shëndetësor./VOA

Exit mobile version