Donald Trump: Shpresoj që Rusia të bëjë gjënë e duhur lidhur me Ukrainën!

Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se i dërguari i tij i posaçëm amerikan Steve Witkoff po zhvillon bisedime serioze me Rusinë lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Shpresojmë se ata do të bëjnë gjënë e duhur“, u tha Presidenti Trump gazetarëve gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

Ai tha se “sinjalet që po vinin nga Moska ishin të mira” duke iu referuar propozimit amerikan për armëpushim 30 ditor të luftës, por ai ofroi optimizëm të kujdessshëm në lidhje me deklaratën e Presidentit rus Vladimir Putin se ai pajtohet në parim me marrëveshjen, por se i duhen bërë ndryshime në përmbajtje.

Zoti Trump tha se “mbetet të shohim nëse Rusia do të shkojë atje (armëpushimi). Nëse nuk është gati, do të jetë një moment shumë zhgënjyes për botën”.

Duke folur me gazetarët gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidenti Trump përsëriti se ai ishte i gatshëm të bisedonte me udhëheqësin rus Vladimir Putinin dhe nënvizoi se ishte koha për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti Trump tha se nuk mendon se Rusia do të sulmojë aleatët e Shteteve të Bashkuara

“Kjo nuk do të ndodhë. Ne do të sigurohemi që kjo të mos ndodhë”, tha ai.

Zoti Witkoff do të takohet me zotin Putin të enjten në mbrëmje, njoftuan mediat amerikane, duke cituar gazetën shtetërore ruse të lajmeve ‘Izvestia’.

Takimi i së enjtes në Shtëpinë e Bardhë vjen ndërsa Presidenti Trump ka ripërsëritur thirrjet që vendet e aleancës të paguajnë më shumë për mbrotjen e tyre.

Nga tridhjetë e dy vende anëtare të NATO-s, njëzet e tre përmbushin objektivin prej 2 për qind si shpezime për mbrotjen, nga vetëm gjashtë vende që ishin në vitin 2021.

Sekretari i Përgjithshëm i NATOS-s foli gjithashtu mbi nevojën që vendet e aleancës të paguajnë më shumë për mbrotjen e tyre, por ai theksoi se paraleshit duhet rritur edhe ritmi i prodhimin në industrinë e mbrojtjes, pasi vendet e NATO-s, siç tha ai, janë pas Rusisë dhe Kinës në këtë aspekt.

Tarifat për partnerët tregtarë

Presidenti Donald Trump tha të enjten se nuk do të ndryshojë mendje në raport me vendosjen e tarifave reciproke gjithëpërfshirëse, për të gjithë partnerët tregtarë, më 2 prill.

“Ne jemi grabitur prej vitesh dhe nuk do ta lejojmë më këtë gjë”, tha Presidenti Trump gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

Zoti Trump e ka mbrojtur politikën e tij për vendosjen e tarifave dhe ka thënë se shumë shpejt bizneset vendase do të shohin përfitimet prej saj.

“Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq”, tha ai. “Ata po padisin Google-in, Facebook-un, e po marrin miliarda dollarë nga kompanitë amerikane”.

Zoti Trump tha se Facebook-u do të investonte 60 miliardë dollarë deri në fund të vitit./VOA/

Exit mobile version