Donaruma në Angli

I famshmi “closing” (mbyllja e tratativës së shitjes mes Silvio Berluskonit dhe grupi kinez “Sino Sports Europe”) vazhdon të shtyhet dhe, për këtë arsye, edhe skenarët në radhët e klubit të Milanit mund të jenë edhe më të dhimbshëm për të ardhmen. Në këto momente, jo vetëm e ardhmja e klubit është një enigmë, por edhe e ardhmja e disa prej talenteve më të mëdhenj të “Djallit” nis të lëkundet seriozisht.
Sidomos ajo e fenomenit të portës, Xhanluixhi Donaruma, një portier ekzemplar, i cili ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës dhe e ka merituar këtë. Por kur ke një menaxher si Mino Raiola, atëherë askush nuk mund të qëndrojë i qetë. Tani që “Xhixho” është mazhoren, Milani ka bërë hapat e parë për ta blinduar me një kontratë të majme, 3.5 milionë euro në sezon, madje duke i garantuar Raiolës edhe 20 për qind të vlerës së kartonit, në rast të shitjes së tij në të ardhmen, njësoj si në rastin e Juves me Pol Pogbanë, por menaxheri nuk është i bindur.
Duke parë se qindra milionët e famshëm te Milani nuk po vijnë, ai nuk ka kërkuar të humbë kohë, por ka nisur bisedimet me Mançester Junajtid për shitjen e mundshme të Donarumës, duke parë se “Djajtë e kuq” janë jo vetëm të interesuar, por i garantojnë dyfishin e pagës (7 milionë euro në sezon) që mendojnë t’i japin kuqezinjtë. Kaq duhet që në “Milanelo” të nisë të përhapet frika…
3 marsi duhet të ishte dita e shumëpritur për tifozët e Milanit, por papritur nga një ditë e bukur me diell u shndërrua në një ditë të zymtë. Ajo që tashmë dihej u zyrtarizua në asamblenë e aksionerëve të mbajtur në Casa Milan. Marrëveshja për shitjen e klubit kuqezi te kinezët që ishte parashikuar për t’u realizuar me sukses pikërisht më 3 mars, ka dështuar dhe e shtyrë për një datë pa afat. Lajmi u bë publik nga administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, i cili në përfundim të asamblesë u shfaq përpara mediave duke theksuar: “Nuk janë verifikuar kushtet për mbylljen e marrëveshjes me grupin kinez Sino Europe Sports, por Finivest kompania që ka në pronësi aktualisht aksionet e Milanit po punon me këtë grup në kohë shumë të shkurtër”.
Fjalë këto të Adriano Gallianit njeriut që e di më mirë se kushdo tjetër se kalimi i Milanit në duart e kinezëve do të jetë proces i vështirë dhe i ndërlikuar. Megjithatë, Gallianin nuk e shqetëson shumë fakti që marrëveshja nuk u arrit. “Nuk mendoj se kinezët janë tallur me ne, nuk ka asgjë për momentin që nuk funksionon, kështu që atmosfera në klub do të vazhdojë të jetë po njësoj edhe pas kësaj që ndodhi”, deklaroi në vijim, Galliani. Me gjithë dëshirën dhe vullnetin e mirë që kanë palët që kjo marrëveshje të realizohet nuk mund të flas me siguri se në çfarë pike jemi, çfarë do të ndodhë apo cila do të jetë e ardhmja e Milanit, sepse as unë vetë nuk e di, shtoi në fund administratori i deleguar, dhe pavarësisht optimizmit të Gallianit ky është një sinjal mëse i qartë se diçka nuk shkon në bisedimet mes palëve.

Exit mobile version