Donaruma nuk rinovon me Milanin

Xhanluixhi Donaruma ka zgjedhur të mos rinovojë kontratën e tij me Milanin. Pas një takimi të mbajtur ditën e djeshme mes drejtorit sportiv, Marko Fasone dhe agjentit të portierit, Mino Raiola, ky i fundit i komunikoi drejtorit të Milanit se vendimi përfundimtar i 18-vjeçarit ishte mosrinovimi i kontratës me kuqezinjtë.
Ky vendim i talentit italian, i cili mendohej se do të ishte lojtari nga do të fillonte ndërtimi i Milanit të lavdishëm, i ka trishtuar shumë drejtuesit e klubit. “Në vend që të bëjmë një komunikatë, mendova që të them menjëherë dy fjalë në fund të takimit me Raiolën. Ai na tha vendimin që nuk do të rinovojë me Milanin, vendim përfundimtar i marrë nga lojtari.
Kujtoj që dhjetë ditë më parë, Mirabeli i kishte propozuar lojtarit një ofertë, të cilën ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme. Pas vlerësimeve të ndryshme, ai ka komunikuar që nuk e pranon dhe do të mbyllë eksperiencën e tij kuqezi më 30 qershor 2018.
Unë dhe Mirabeli shpresonim të mund të ndërtonim rreth tij Milanin e ri, por tani jemi të bindur se po bëjmë më të mirën. Ky vendim na trishton, por Milani ecën para”, tha Fasone pas mbledhjes.
Kontrata e Donarumës me Milanin skadon më 30 qershor të 2018. Me shumë mundësi “gardiani” pritet të transferohet te skuadra e Realit. Milanistët janë të detyruar ta pranojnë ofertën e klubit madrilen, për të mos e humbur vitin tjetër me parametra 0.

Exit mobile version