Bernardin Palaj e Donat Kurti i dhanë thesare kulture kombit tonë. I pari qe mitologu më i shquar shqiptar, i quajtur nga gjuhëtarja Desnickaja “njohësi më i mirë i maleve tona”, poet e prozator. I laureuar në Insbruk të Austrisë, profesor i greqishtes e latinishtes në Liceun “Illyricum”, i burgosur më 1924, si kundërshtar i Monarkisë, tërë jetën ia kushtoi albanologjisë.
Pas njoftimit që kishte dhënë Shtjefën Gjeçovi më 1905 se “ndër malet tona fshihet një thesar i paçmueshëm i epikës shqiptare”, ai së bashku me Donat Kurtin gjurmuan e mblodhën, sistemuan e botuan qindra kangë kreshnikësh, të cilat i botuan në revistën “Hylli i Dritës”, që çmohej si më e mira në Ballkan. Dhe shpërblimi që mori për këtë punë vigane, qe burgosja e tij më 1946, torturat më çnjerëzore derisa vdiq në burg, në moshën 50 vjeçare. Një bashkëvuajtës i tij, dëshmon: “E kishin lidhur duarsh me tel të ndryshkur te pisha në oborr, ku qëndronte pezull, aty ku lidheshin të burgosurit pasi i rrihnin për vdekje.
Pastaj e lanë të ngujuar nën shkallë në një vend të qelbur. E kjo zgjati për muaj e muaj, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanosi. E varrosën në fund të oborrit, por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë”. Vdiq i akuzuar si agjent i të huajve, ai që i kishte dhuruar kombit visaret e tij më të shtrenjta, të cilat nga dijetarët e huaj, janë krahasuar me eposet më të mëdhenj të Europës, me “Iliadën” e grekëve, “Kangët e Rolandit” të francezëve dhe “Nibelungenin” e gjermanëve.