Rastësi ose jo, por vetëm pak orë para se Prokuroria e Durrësit të grabitej për së dyti, në zyrën e shefes së këtij institucioni, Anita Jella, ka qëndruar gjatë drejtuesja e caktuar e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela.
Kjo e fundit drejtoi Prokurorinë e Durrësit për rreth 4 muaj, derisa para pak javësh u katapultua në drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda. Donika Prela zëvendësoi Besim Hajdarmataj, pikërisht, një ditë pasi iu vodh Posta Sekrete në Durrës, ku gjendeshin, ndër të tjera, edhe materiale që do t’i dorëzoheshin prokurorit Afrim Shehu, zyra e të cilit u grabit mesnatën duke u gdhirë dita e Enjte.
Tashmë, për së dyti, Donika Prela gjendet në Durrës vetëm pak kohë para se grabitësit vodhën sërish materialet e prokurorit Afrim Shehu. Burime nga Prokuroria e Durrësit deklarojnë në kushte anonimati për “Boldnews.al” se Donika Prela ka qëndruar rreth 4 orë, gjatë ditës së mërkurë, në zyrën e drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella. Nuk ka detaje se për çfarë arsye ka qenë ky takim kaq i gjatë, aq më tepër kur Prela ka ngarkesë specifike në Prokurorinë për Krime të Rënda.
Prokuroria e Durrësit ka rënë për të dytën herë brenda pak ditësh, pre e vjedhjes së dokumentave. Gjatë natës së djeshme, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur mesnatën e së mërkurës serverin qendror dhe dosje nga zyrat e Prokurorisë.
Policia dyshon se, autorët mund të jenë persona të brendshëm, pasi kanë përdorur derën kryesore për të hyrë brenda dhe dyert e brendshme i kanë hapur me karta me çip, me të cilat është i pajisur vetëm personeli i Prokurorisë.
Sipas informacioneve të derimëtanishme, kur nuk është bërë ende inventari i plotë, një prej zyrave ku janë marrë dosje është ajo e prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu. Ky i fundit ka në përgjegjësi kryesisht dosje të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që materialet e Prokurorisë Durrës janë vënë në shenjestër të grabitësve. Më 8 maj, persona ende të paidentifikuar nga Policia grabitën me dhunë postën sekrete të Prokurorisë Durrës. Ende nuk është mësuar se për cilat raste ka pasur dokumente atë ditë në postën sekrete.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, Kryeprokurorja e Durrësit, Donika Prela u emërua në Tiranë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas shkarkimit nga Arta Marku të Besim Hajdarmatajt.
Që prej 9 majit, në krye të Prokurorisë Durrës është Anita Jella.