Dora e Heynckes

Tetë gola të shënuar asnjë të pësuar, arsye e mjaftueshme për futbollistët e Bayernit për t’u ndjerë më të rinj, më të bukur e mbi të gjitha, më të fortë. Mjafton kaq për të risjellë në kujtesë sezonin 2012-‘13, ku gjermanët shënuan të vetmen fitore të trefishtë në historinë e klubit të tyre. Që kur u rikthye Jupp Heynckes, bavarezët ndihen tërësisht ndryshe. Duket sikur kanë rilindur e këtë e vërtetojnë rezultatet, 5-0 ndaj Freiburgut dhe 3-0 ndaj Celtic.
Edhe pse në fakt kundërshtarët nuk ishin ndër më të fortët, sërish ndihet një frymë tjetër në skuadër. Në ndeshjen e Bundesligës përballë Freiburgut ashtu si dhe ne Champions, Heynckes vendosi të aktivizonte të gjithë senatorët, me Hummels, Boateng, Robben dhe Müller, që zbritën në fushë nga minuta e parë. Në stol mbetën James, Vidal dhe Tolisso. Një hap pas ky në strategji, po të kujtojmë faktin se gjatë tre viteve të Guardiolës tek Bayerni ai kërkonte ta ndërkombëtarizonte ekipin, duke mos i dhënë shumë hapësirë lojtarëve gjermanë. Edhe Ançeloti u përball me një problem të ngjashëm, me idenë e tij për t’i dhënë një frymë më rinore ekipit, duke i krijuar gjithnjë e më shumë hapësira James Rodriguez e gjithnjë e më pak Müller-it. Por në filozofinë e “Don Heynckes” qëndron ideja për t’i dhënë sadisfaksion pikërisht lojtarëve dhe tifozëve dhe rezultatet duket se e mbështësin e flasin pro tij. Edhe drejtuesit e klubit janë të kënaqur nga ecuria e deritanishme, me 72-vjeçarin në krye të stolit; “Jupp është në rrugën e duhur, ndjesia është shumë pozitive”, deklaron Rummenigge.
Dhe në fakt 8 gola në dy ndeshje duket se po e bëjnë punën e vet, Bayerni po fillon të besojë sërish në vetvete. Kura gjermane Heynckes, po funksionon.
72-vjeçari i ka synimet e qarta: skuadra matet me “big”-ët dhe aktualisht nuk është aty ku duhet.
Deklarata e tij pas ndeshjes në “Allianz Arena” ishte një kritikë e kulluar për lojtarët bavarezë, të cilët “e falën” shumë ekipin skocez në 30 minutat e fundit. “Krijuam shumë shanse. Duhet të kishim shënuar më shumë gola, por na u desh të punonim shumë edhe në mbrojtje dhe kjo është diçka me të cilën duhet të merremi që në themel. Ky është një prioritet. Nuk e prisja nënvlerësimin e lojtarëve në minutat e fundit. Kam parë disa gabime, që nuk duhet t’i bëjmë më në të ardhmen. Do të punojmë fort. Duhet të përmirësohemi në disa aspekte, sidomos në lëvizjet mbrapa, ashtu si edhe në kalimin nga mbrojtja në sulm. Të mos flasim për trofeun, sepse kemi ende shumë punë për të bërë. Rivalët janë para nesh”, u shpreh njeriu i tripletës.
Ndryshe prej tij, Thomas Müller e shijoi fitoren në shtëpi. “Qasja në fushë ishte ashtu siç duhej. Donim akoma diçka më shumë se fitorja e fundit dhe i dhamë gaz që në fillim. Kërkonim tri pikët në shtëpinë tonë, që janë shumë të rëndësishme. Shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në javët e ardhshme”, tha kampioni i botës.
Arlind RAMA

Exit mobile version