Nga Lealba PELINKU
Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi projektin e ri për stadiumin “Qemal Stafa”, i cili do të mbajë emrin “Arena Kombëtare”, që do të jetë një ndërtesë multifunksionale. Përveç destinacionit, sportiv, ky projekt parashikon edhe ndërtimin e ambienteve me destinacion të ndryshëm, e konkretisht atë tregtar. Rrugën e devijuar nga ajo fillestare për këtë destinacion dhe kontraktimin aspak transparent të projektuesit, ndërtuesit apo financuesit, e shtroi Këshilli i Ministrave, me VKM nr. 1092, datë 28.12.2015.
Ky vendim shfuqizoi kushtin e parashikuar shprehimisht në VKM Nr. 79, datë 02.02.2011, i cili parashikonte “Dhënien e pëlqimit për krijimin e një shoqërie anonime aksionere, me qëllim rindërtimin, modernizimin dhe administrimin e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’, me kusht ndalimin e ndryshimit të destinacionit, si objekt sportiv”.
“Projekti dhe ndërtimi i modernizuar i stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ të ketë një destinacion të dyfishtë”, përcakton vendimi i qeverisë Rama.
Por vendimi shkon akoma më tej: “Në projekt dhe në ndërtim të integrohen pjesë me destinacion josportiv, në pronësi të shoqërisë anonime, pa kufizime në disponimin e të drejtave të pronësisë, me qëllim plotësimin e destinacionit të stadiumit të modernizuar”.
Rama po në të njëjtën VKM merr masat që të ngarkojë Arben Ahmetajn si përfaqësues të aksionerit “shtet”, duke “ia hequr këtë peshë” ministrisë përgjegjëse për sportet. Rama “bujar” i jep shoqërisë aksionere “Qendra sportive kuq e zi” sh.a., të drejtën që të iniciojë procedura përzgjedhjeje, financimi dhe negocimi për realizimin e projektit, sigurisht duke përfshirë edhe pjesën me destinacion josportiv.
Qendra sportive, me aksioner FSHF-në (75%) dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (25%), sot Ministria e Kulturës, nuk vonoi të gjente si projektuesin, ashtu edhe ndërtuesin/zbatuesin.
Rama, nxitoi të sqaronte, tentoi së paku, se kjo nuk do t’i kushtonte asnjë lekë arkës së shtetit, por nuk e çoi ndërmend të thoshte një fjalë të vetme për procedurën me të cilën u përzgjodhën projektuesi dhe ndërtuesi. Kjo mbetet plotësisht e paqartë. Sigurisht, e qartë është lidhja e hershme e Ramës me studion e projektimit.
Trekëndëshi Rama-Efthemi-“Archea Associati s.r.l” rishfaqet sërish.
Kjo studio rezulton të jetë fituese me projektin e kullës “4 EVER GREEN”, pranë Gjykatës së Lartë, ku jurinë e përzgjedhjes e kryesonte Rama- kryebashkiak. Kjo studio rezulton të ketë marrë pjesë edhe në konkursin ndërkombëtar të projektimit të ishullit Osum-Berat, në bashkëpunim me studion e projektimit “Atelier 4”. Vetë Alban Eftimi, në CV e tij liston bashkëpunimin me studion “Archea”. Çdo gjë fillon e bëhet qartësisht e kuptueshme, nga përmbajtja e VKM-së që ndryshoi atë të mëparshmen deri tek finalizimi i grabitjes së plaçkës, për t’ua shpërndarë klientëve-partnerë të tij, për më tepër kur këta janë edhe me CV të pasur në fushën e korrupsionit përtej Adriatikut.
Stadiumi do shndërrohet në qendër biznesi
Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama.
Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private.
Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Stadiumi i ri, i titulluar “Arena Kombëtare”, do të ndërtohet si bashkëpunim publik-privat: një kompani private do të ndërtojë me financimin e saj stadiumin dhe si shpërblim asaj do t’i jepet në pronësi e gjithë pjesa tregtare (restorante, kafe, etj.) e stadiumit dhe një kullë e lartë në cep të stadiumit për çfarëdolloj përdorimi që ajo dëshiron.
Afera Rama, hapësirat e stadiumit përveç fushës i jepen në pronësi klientelës
Skandali me projektin për ndërtimin e stadiumit të ri thellohet edhe më tej, kur pas zbardhjes së vendimit për ndërtimin e stadiumit të ri mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit, dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të qëndrës pseudostadium, dhe kulla do të jenë në pronësi të klientelës, kompanisë Alb-Stars shpk. Partia Demokratike denoncoi ashpër dje këtë aferë korruptive ndërsa bëri të ditur të dhëna të reja mbi skandalin qeveritar me stadiumin e ri. “Thellohet afera korruptive me stadiumin Qemal Stafa. Edi Rama ka perzgjedhur për planin e tij klientielist dhe korruptiv të ndërtimit të qëndrës tregtare dhe kullës, në vend të stadiumit, arkitektin Italian Marco Casamonti, i njohur në Shqipëri për ndërtimin e kullave të betonit me bekimin dhe mbështetjen e Ramës, si pallati 24 katësh, në krah të Gjykatës së Lartë. Po ashtu në 2008 ishte anëtar i jurisë për projektin e Sheshit “Skenderbej” që nxori fitues projektin e Anri Salës dhe firmës belge të vajzës së Linda Ramës, projekt që Veliaj parashikon ta ndërtojë së shpejti në shërbim të shefit të tij. Ky arkitekt ka në Shqiperi për ortak Alban Eftimin e Atelier 4, klientin e Rames që fitonte 70 përqind të projekteve të Bashkise. Ortaku i tij shqiptar Albani Eftimi mesa duket ka kaluar nga 20% në bashkinë e Ramës, tek 20% në qeverinë e Ramës bashkë me ortakun italian me eksperiencë në të njëjtën fushë: korrupsionin. Sepse mbi të gjitha, arkitekti Casamonti njihet në Itali, siç raporton edhe gazeta italiane La Repubblica, si i dënuar për korrupsion për ndërtimet e tij në Firenze” u shpreh në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. Ajo bëri të ditur se për ti hapur rrugën këtij projekti klientelist e korruptiv, Edi Rama ishte i detyruar të ndryshojë destinacionin e truallit, pasi kjo zonë mbrohej si terren sportive. “Ndaj, Edi Rama me vendim qeverie e ktheu në destinacion josportiv. Pas këtij akti, mbolli aty kulla e beton, dyqane e njësi tregtare, pa transparencë, në fshehtësi të plotë. Ja ku është vendimi i qeverisë, që i hapi dyert kësaj afere korrupsioni. Arena e këtij biznesi, zmadhohet edhe më shumë kur del se Federata Shqiptare e Futbollit, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit, dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të qëndrës pseudostadium, dhe kulla do të jenë në pronësi të klientelës, kompanisë Alb-Stars shpk. Pra trualli publik, me vlerën më të madhe në qendër të Tiranës, i kalon për qëllime biznesi dhe përfitimi mikut të Edi Ramës” tha Zhupa. PD bëri të ditur edhe njëherë se do të anullojë këtë projekt ndërsa u bëri thirrje investitorëve të mos ndërmarrin hapa që do t’u kushtojnë kosto të çuara dëm në të ardhmen. “Nyjet gordiane të korrupsionit të Ramës dhe klientëve të tij të përheshëm do të priten shumë shpejt me votën e shqiptarëve. Qytetarët dhe sportdashësit nuk mund të mashtrohen me gjoja interesa sportive. Partia Demokratike do jetë në mbrojtje të interesit publik, dhe sportit. Ne jemi për një stadium me fonde publike, dhe Partia Demokratike do të investojë për një impiant ku hapësira ti dedikohet qytetarëve dhe të ketë standarde olimpike moderne. Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje insvestitorëve se do të jetë në rriskun e tyre personal hedhja e parave në këtë skemë korruptive të Edi Ramës, pasi ne do ta anulojmë atë” paralajmëroi Partia Demokratike.