Dorasi i Thumanës fshihet në raportin e ri të IOM-it

Nga Ilir Nikolla

Tërmeti i vërtetë, ky 6,4 ballëshi dhe nënfishat e tij, duket se na kanë bërë të harrojmë tërmetet e fshehta, të cilat po i vuan përditë shoqëria shqiptare. Nuk kemi harruar vetëm tërmetin e Damian Gjiknurit që doli në dritë të diellit nga Bild-i gjerman, as vetëm tërmetet e vjedhjes së votave, që nga Shkodra e deri në tërmetin e Tepelenës, as vetëm tërmetet e vjedhjes përditë të buxhetit të shtetit, por po lëmë pas dore, siç themi me miopi “larg syrit e larg zemrës”, tërmetin e shpopullimit të Shqipërisë, lënien e saj një tokë pa zot dhe të gatshme për zaptim.

Me 28 nëntor, dy ditë pas tërmetit të vërtetë pra, IOM-i, agjencia ndërkombëtare për emigracionin, publikoi raportin për 2020-n, dokumenti më i plotë në nivel botëror për çështjet e migrimit. Dokumenti mbeti në hije për shkak të emergjencës që përjeton vendi ynë dhe agjencitë shtetërore s’e vunë ujin në zjarr të analizonin të dhënat e tij, sepse ishin të zëna, duke ia deleguar Çuçit të Ramës fondet e ndihmës për tërmetin, duke gjetur miqtë biznesmenë të Ramës për t’i shitur si filantropë të ditës dhe duke kryer gjuetinë e porositur, kundër gazetave e portaleve që ndoshta po tentonin të bënin një gazetari jashtë propagandës gebëlsiane të qeverisë.

Askush s’duhet të dalë mbi temën e paracaktuar të ditës: “Tërmeti nuk e theu qeverinë, e rrjedhimisht as popullin shqiptar, sup më sup jemi rreshtuar me kryeministrin, që na do si fëmijët e tij dhe që e ka bërë gjumin firar, në mënyrë që ne të flemë gjumë të qetë”, tash, në epokën e tërmeteve 4 ballëshe e poshtë. Por dokumenti është aty dhe e nxjerr Shqipërinë ashtu siç është, si vendi që ka humbur 30 % të popullsisë së saj në këto vite, si vendi që figuron në mesin e shteteve me më shumë fëmijë emigrantë të pashoqëruar nga prindërit dhe si vendi që po vuan thuajse në nivele afrikane skllavërinë moderne, pra përdorimin e punës së fëmijëve, grave dhe burrave emigrantë pa pagesë (s’po ndalemi tek trafikimi dhe prostituimi minoril që meriton një vëmendje të posaçme).

Ky është realiteti tragjik i shifrave, që s’errësohet dot nga filtrat e propagandës së qeverisë. Maksimumi që mund të bëhet është ta dënojmë dokumentin me heshtje, siç edhe po bëhet, sepse Komandanti ka halle, se Komandanti po merret me tërmetin, se ai do ja tregojë qejfin tërmetit që do të vijë…

Duke e mbytur mendjen në kurthin e tërmetit, s’bëjmë gjë tjetër veçse shtojmë gjasat që në raportin e 2021-it, popullsia e Shqipërisë të jetë edhe më e shumtë rrugëve të Evropës, shtojmë gjasat që shqipja të bëhet një slang urban në metrotë e tramvajet e metropoleve evropiane, por gjithashtu shtojmë gjasat që Edi Rama sërish të jetë në pushtet në Tiranë, teksa dënon – ta zëmë – urbanizimin e pafre në Komunën e Parisit, ndërtimet në vijën e plazhit në Durrës e Vlorë, apo shpyllëzimin në masivin e Shibenikut, pa iu dridhur qerpiku se ai është arkitekti i bëmave urbanistike në Tiranë, Durrës e Vlorë, si dhe sopata që po rrënon pyjet në të gjithë Shqipërinë.

Në raportin e IOM thuhet se në 2019, në Shqipëri u kthyen 2167 viktima të trafikut, sipas programeve të ri-integrimit. 2167 veta janë një pikë ujë në oqean, por janë gjithsesi një numër që nuk i fshihet dot vëmendjes së publikut, prandaj nënfishat e Edi Ramës duhet të na raportojnë se ku janë integruar në fakt këto 2167 viktima, mos vallë u rikthyen në linjën tranzit drejt BE-së, apo (do Zoti jo!), ndonjëra syresh mund të jetë bërë viktimë në hotelet që u rrënuan në Durrës.

Boll më duke e trajtuar jetën e shqiptarëve si gjënë më të pamatshme dhe më me pak vlerë në Shqipërinë Londineze. Përgjegjësia më e madhe e një qeverimi është marrja në dorëzani e jetës së nënshtetasve të saj, dhe kjo përgjegjësi s’mund të kapërcehet, me frazën pa shifra “shqiptarët kanë ikur e janë kthyer, e prapë do të ikin e do të kthehen”.

Duhet ta nisim me urgjencë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë shtetërore për lënien e pallatit të Thumanës që të ribanohej, pas tërmetit të parë të fundit të verës, ta vijojmë me ndërtimet abuzive, që flasin për përgjegjësitë flagrante të armatës së inxhinierëve, ndërtuesve, zbatuesve, e së pari, të autoriteteve që dhanë lejet në vijën e plazhit, e në fund, le të mbërrijmë tek përgjegjësia politike e autoriteteve që i kanë lënë shqiptarët jetimë, pa qeveri e pa të ardhme, për të cilët s’ka evidenca as sa ikin, as ku ikin e as sa të sigurtë janë kur vihen nën programet mbrojtëse të shtetit shqiptar.

Kjo do të ishte një hartë rruge në një shtet normal e me standarde, por në një shtet ku s’kemi guxim as të themi se pse i kemi forcat e emergjencës civile në këtë gjendje të vajtueshme se të arrestojnë, njësoj si dikur kur ankoheshim në radhën e qumështit, mbetet veç të lexojmë statistikat e tërthorta që ofrojnë organizmat ndërkombëtare, kur “malli shqiptar” mbërrin në destinacion, atje në Perëndim, a si punëtor i dorës së fundit, a si skllav, a si kurban, dhe këto statistika flasin për një kosto shumë të ulët të jetës së shqiptarit.

Këtë kosto e matëm këto ditë në Durrës e në Thumanë, me 50 jetë njerëzore, të cilat i mori fatkeqësia natyrore, por ajo është vetëm ekzekutuese finale. E drejta zakonore na mëson se dorasi duhet kërkuar, dhe jetët e Durrësit e Thumanës, ashtu si edhe raporti i IOM-it, na thonë se dorasi bredh me brekushe në mes të mexhlisit, si një i pa din e i pa iman, e si i tillë, nganjëherë na hiqet tebdil si hyqymeti i vërtetë.

Exit mobile version