Tre gjyqtarët që po gjykojnë prej 10 muajsh të pandehurin Kastriot Ismailaj, kërkojnë të heqin dorë nga gjykimi i të pandehurit. Vetë gjyqtarët, në seancën e radhës të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, njoftuan prokurorin dhe avokatin mbrojtës e të pandehurin, se i kishin dorëzuar kryetarit të Gjykatës dorëheqjen nga gjykimi i çështjes. Ata thanë se argumentet e përdorura në dorëheqje është fakti se i pandehuri ka humbur besimin te gjykimi i tyre. Kjo për shkak se në 5 raste, Kastriot Ismailaj ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve, të cilët po e gjykojnë atë për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”, falsifikim të dokumenteve dhe “pastrim të parave” në bashkëpunim.
Të 5-ta kërkesat për përjashtim, janë rrëzuar nga trupa tjetër gjykuese, por që vetë gjyqtarët e çështjes tashmë kanë krijuar bindjen se i pandehuri ka humbur besimin tek ata. Për këtë fakt, tre gjyqtarët i dorëzuan dorëheqjen Kryetares së Gjykatës, e cila pritet të shprehet për kërkesën e tyre. Nga ana tjetër, procesi gjyqësor ndaj Kastriot Ismailajt ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të fundit të akuzës, në lidhje përfitimin me anë të mashtrimit nga kompania DIA të rreth 5 mln eurove. Vetë Ismailaj, gjatë fazës hetimore dhe gjyqësore ka mohuar akuzën, duke pretenduar se ka pasur një marrëveshje kontraktimi me kompaninë çeke CEZ Shpërndarja, për mbledhjen e borxhit tek debitorë të ndryshëm.