10 banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë lënë grevën e urisë pasditen e djeshme. Kjo erdhi, pasi u njoftuan nga deputetët e PD të Qarkut të Fierit dhe kryetari i Njësisë Administrative për vendimin e marrë nga qeveria për ngritjen e një komisioni ndërministror që të nisin hetimet për shkaqet e lëkundjes së tokës. Prej një jave, banorët ndodheshin në grevë urie, ndërsa kanë refuzuar çdo lloj kujdesi mjekësor.
Kështu, pas një jave në grevë urie 10 banorët e fshatit Zharrëz janë kthyer në shtëpi. Ata pranuan ta mbyllnin grevën, pasi u njohën me vendimin për ngritjen e një komisioni me ekspertë nga Ministria e Mjedisit, ajo e Ekonomisë dhe Ministria e Energjetikës. Në varësi të rezultatit do të vendoset shpallja ose jo e gjendjes së emergjencës për këtë zonë.
Greva e urisë nisi një javë më parë, pas lëkundjeve të forta të tokës që terrorizuan banorët dhe shkaktuan dëme të shumta materiale. Në orët e pasdites, ata u vizituan nga dy deputetë të PD të cilët u garantuan mbështetje.
Fshati Zharrëz i Bashkisë së Patosit është në epiqendrën e lëkundjeve të tokës, për të cilat banorët akuzojnë kompanitë naftënxjerrëse. Këto të fundit dyshohet se për të përfituar sasira të mëdha nafte në kohë të shkurtër kryejnë operacione në thellësi të mëdha, duke shkaktuar shpërthime nëntokësore.
Kjo është greva e dytë e urisë së banorëve, pasi e para përfundoi me një premtim të ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri 2 vjet më parë. Protesta, e cila u pasua me grevë urie nisi 10 ditë më parë pas lëkundjeve të fuqishme të tokës, të cilat u ndjenë deri në Fier, Patos dhe Rroskovec.
Kompania kineze “Geo Jade”, e cila bleu Bankers Petroleum disa muaj me parë nuk ka reaguar deri tani. Fusha naftëmbajtëse Patos-Marinëz ka rezervat më të mëdha të naftës në Europë. Në vitin 2006 qeveria shqiptare e dha me koncesion te firma kanadeze “Bankers Petroleum”.
Deputetët e PD pranë grevistëve të urisë
Deputetët e PD të Qarkut Fier, Bedri Mihaj dhe Kozma Dashi vizituan dje grevistët e urisë në Zharrëz. Në deklaratën e tyre për mediat, deputetët janë solidarizuar me grevistët, duke shprehur në të njëjtën kohë se ata do t’i bëjnë presion të pandërprerë qeverisë për t’i dhënë fund kësaj situate.
Deputetët e PD të Qarkut të Fierit Mihaj dhe Dashi, kanë kritikuar indiferencën e deritanishme të qeverisë ndaj kësaj situate dhe mungesën e një përgjigjeje sa i përket kerkesës me 6 pika drejtuar kryeministrit Rama për t’i dhënë fund tensioneve në Zharrëz dhe daljen e 10 banorëve nga greva e urisë. “Kërkesa i është drejtuar që para 5 ditësh zyrës së kryeministrit, kanë thënë deputetët, ndërsa nga Kryeministri nuk ka asnjë përgjigje për zgjidhjen e kësaj situate”. Pavarësisht kësaj heshtjeje, kanë deklaruar Mihaj dhe Dashi, në do të ngremë zërin dhe do të kërkojmë pa u ndalur që të marrë fund kjo situatë në Zharrëz dhe njerëzve t’u kthehet qetësia dhe të dëmshpërblehen.
Pranë tyre ishte edhe dje edhe deputeti Ben Blushi. Ai u bëri thirrje banorëve që të shkojnë në Tiranë, pasi banesat e tyre po i shkatërron korrupsioni qeveritar. Blushi u shpreh se, qeveria është bërë palë më kompaninë naftënxjerrëse, duke braktisur banorët. Sipas tij vendit nuk i duhet një naftë e cila nxirret me gjakun e banorëve.
10 banorë të zonës janë futur në grevë urie në emër të bashkëfshatarëve të tyre, duke rrezikuar jetën. Ata kishin vetëm një kusht për të dalë nga greva. Të ngrihet një komision ndërministror për të zbuluar shkaqet e lëkundjeve të tokës në zonën naftëmajtëse Patos-Marinëz dhe kjo t’u komunikohet direkt nga drejtues të lartë të qeverisë.
Njëri prej grevistëve nuk pranoi dje të shkonte për ndihmë të specializuar në Tiranë, pasi mjekët e Fierit konstatuan probleme me zemrën. Të njëjtin qëndrim po mbajnë edhe grevistët e tjerë duke vendosur të mos marrin më as serume. Pas presionit të opozitës, qeveria pranoi të ngrejë një komision me ekspertë nga Ministria e Mjedisit, ajo e Ekonomisë dhe Ministria e Energjetikës që të nisin hetimet për shkaqet e lëkundjes së tokës. Pas këtij vendimi, banorët ndërprenë grevën e urisë.
R.POLISI