Qeveria shqiptare është dorëzuar përballë biznesmenit italian, Francesco Becchetti. Avokatët e Becchetti-t kanë njoftuar dje se Shqipëria nuk do të apelojë vendimin e Gjykatës së Westminster që hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e biznesmenit. Edhe Francesco Becchetti ka reaguar për këtë vendim të Tiranës, duke u shprehur se pas persekutimit nga qeveria shqiptare do të mbyllë të gjitha procedurat e hapura në Shqipëri.
“Më në fund, pas më shumë se një vit, dhe pas një lufte të gjatë ligjore kundër persekutimit të pajustifikuar timin dhe të punonjësve të mi, ne kemi vendimin e parë të drejtë të bërë nga qeveria shqiptare. Ajo ka vendosur për mos apeluar vendimin e Gjykatës dhe për t’i dhënë fund një procesi të motivuar politikisht, ky ishte minimumi që ne prisnim. A duhet tani të marrin fund të menjëhershëm të gjitha procedurat e tjera kundër meje në Shqipëri dhe që mbeten të pazgjidhura?!”, shkruan Beketi.
Ish-pronari i “Agon Channel” u akuzua për një skemë mashtrimi me vlerë 38 milionë euro, ndërsa mbi të rëndonin 4 akuza, përfshirë ajo e “Falsifikimit të dokumenteve” apo “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama për hakmarrje, ndërsa vetë Rama përshëndeti në atë kohë vendimin për arrestimin e Becchetti-t. Megjithatë, lufta e Francesco Becchetti-t me qeverinë shqiptare nuk ka përfunduar ende, pasi biznesmeni italian ka paralajmëruar se do të hedhë në gjyq Shqipërinë dhe do të kërkojë dëmshpërblim miliona eurosh.
Ndërkohë, Becchetti, edhe pse jashtë vendit, vazhdon gjyqin me qeverinë shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar. Bëhet e ditur se biznesmeni italian kërkon dëmshpërblim në shifra marramendëse nga shteti shqiptar. Plot 1 miliard e 580 milionë euro është vlerësuar nga avokatët të Becchettit dëmi i shkaktuar nga qeveria shqiptare. Të njëjtat burime sqarojnë se ky dëshmpërblim kërkohet që të përfitohet përmes tri gjyqeve të ndryshme, që pronari i “Agon Channel” ka me qeverinë. Nga arbitrazhi i parë në Uashington, Becchetti kërkon 1 miliard euro; nga gjyqi i dytë 450 milionë euro dhe i treti në Paris 130 milionë euro. Ndërkohë, kujtojmë se në janar të këtij viti, qeveria shqiptare pagoi edhe 2 milionë euro të tjera avokatët e saj për të vazhduar betejën ligjore ndaj Francesco Becchettit.
Ndërkohë Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve më 3 mars të 2016 në mënyrë unanime ka lëshuar një masë të përkohshme duke rekomanduar që qeveria e Shqipërisë “të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të pezulluar procedurat e ekstradimit kundër dy nga paraqitësit e kërkesave emëruar në këtë rast ndaj klientëve Francesco Bechetti dhe Mauro de Renzis”. Përveç kësaj gjykata gjithashtu rekomandoi që Shqipëria të pezullojë procedurën penale themelore për palët që vijnë në një marrëveshje për ruajtjen e aseteve të paraqitjes së kërkesës për kohëzgjatjen e arbitrazhit ndaj Francesco Bechettit, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti. Në vendin e saj gjykata ICSID u shpreh se procedura penale shqiptare dhe procedurat e ekstradimit në Angli ka shkaktuar një rrezik të pashmangshëm për aftësinë e pretenduesve për të marrë pjesë në mënyrë efektive në arbitrazhin që nuk mund të rregullohet në mënyrë adekuate nga dëmet.