Nga Doriana Musai
Është absurde, cinike dhe thellësisht fyese që sot, në vitin 2025, të detyrohemi të mbrojmë Spaçin nga një film. Jo nga harresa, jo nga erozioni natyror, por nga artwashing-u institucional që e përdor artin si mbulesë për të shkelur çdo parim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Të ndërhysh mbi muret e një kampi torture për hir të një filmi, është njësoj si të suvatosh Koloseumin për “Gladiatorin” apo të lysh celulat e Auschwitzit për të bërë një dramë “më realiste”.
Që të jemi të qartë, kjo nuk është “ndërhyrje konservuese” siç pretendohet nga qeveria. Është një formë dhune e re mbi kujtesën, që tenton ta zëvendësojë autenticitetin me estetikë. Këtë e bëjnë ata që nuk kanë as guxim, dhe qartësiht nuk duan, të përballen me të kaluarën. Sidomos, kur në pushtet ndodhet e njëjta parti që mban përgjegjësinë historike për ato krime, trashëgimtare direkte e Partisë së Punës, skenari që po luhet është qartësisht shpëlarje e krimeve të padënuara.
Spaçi nuk ka nevojë për efekte speciale, por për respekt. Muret e tij janë të shenjta, të mbuluara me vuajtje dhe rezistencë. Të lyhesh e të rikrijosh “atmosferën” me skenografi është të bësh skenë një vend krimi, të fshish pluhurin e së vërtetës për t’i bërë vend iluzionit. Të mbulosh Spaçin me suva është si të mbulosh një plagë për ta bërë më fotozhenike. Kujtesa nuk rilyhet. Kujtesa ruhet. Dhe më e pakta që i detyrohemi atyre që vuajtën atje, është të mos i përdorim si dekor.
Në këtë kontekst, reagimi zyrtar i MEKI-it, është më shumë se i cekët – është përçmues. Hedh poshtë çdo kritikë si “aludim” apo “keqdashësi”, ndërkohë që vetë ndërhyrja kryhet pa transparencë, pa proces të hapur, pa respekt për rregullat minimale të restaurimit.
Ky reagim e përbuz dhimbjen e njerëzve që kanë kaluar nëpër ferr, dhe tenton të neutralizojë politikisht një ngjarje që është thellësisht morale dhe historike. Është i përshkuar nga një logjikë mosndëshkimi, ku edhe e kaluara manipulohet për të mbajtur të paprekur pushtetin e sotëm.
Spaçi nuk është kartolinë. Nuk është sfond për art me buxhet shtetëror. Është një vend ku njerëzit kanë humbur jetën, dinjitetin, lirinë. Të gjithë ata që nuk kanë pasur zë, kanë lënë gjurmë. T’i mbulosh me suva, për të bërë një film, nuk është nderim – është fshirje e asaj që nuk u dënua kurrë.
Dhe për këtë arsye, çdo ndërhyrje e tillë është një vazhdimësi e heshtur e dhunës – jo në trup, por në kujtesë. Dhe kjo është edhe më e rrezikshme.
Nuk bëhet film mbi krimin, duke mbuluar gjurmët e krimit.