Nga Doriana Musai
Edhe pa aktivitet industrial të drejtpërdrejtë, tokat dhe sedimenti i ujërave në zonat përreth (si përgjatë lumit Shkumbin dhe në zonën e Bradasheshit) mbajnë ende përqendrime të larta të metaleve të rënda: plumb, kadmium, krom, arsenik.
Kombinati Metalurgjik, kërkon vetëm një “masterplan”, atë të Pastrimit dhe rikuperimit mjedisor (Environmental remediation)
Angazhim serioz i një qeverie do të thotë:
1. Hartim dhe planifikim të pastrimit nga intoksikimi i tokave, sipas standardeve të BE.
2. Krijimi i zonave të gjelbërta mbrojtëse për të frenuar përhapjen e ndotjes.
3. Monitorim i vazhdueshëm i ajrit, tokës dhe ujit për nivele toksiciteti.
Pastaj hajde flasim për projekte me arkitektët,
duke nisur me rikonceptime urbane: Transformim në park industrial/ Rikualifikim urban me funksione të reja/ Rehabilitim arkitektonik selektiv dhe ruajtja e disa strukturave historike si pjesë e trashëgimisë industriale.Dhe vijojmë më pas me integrimin ekonomik dhe social.
Masterplanet me arkitektë janë përralla me mbret, për një realitet të trishtë dhe të dhimbshëm për Elbasanin. Në varrezat e qytetit prehen shpirtrat e njerëzve të vrarë nga ai kombinat, por këtë të deleguarit e partisë nuk e dinë, se jetojnë në flluskën e marrisë ku arkitekti është instrumenti dhe imazhi që ai prodhon shpërlarja e trurit për popullatën.
Por elbasanllijtë e dinë të vërtetën, e kanë jetuar kombinatin dhe vijojnë të jetojnë me pasojat shëndetësore të tij.
PS. Lokomotiva pa vagona, e ndryshkur nga koha, është imazhi që përshkruan më qartë partinë shtet dhe grami që ka pushtuar hekurudhën, masterplanin me arkitektë