Dorjan Ziflai ngre alarmin për korrupsionin: “Mjaft u mashtruat – ju meritoni më shumë!”

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Dorjan Ziflai, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Gjirokastrës, ka zgjedhur të flasë me tone të drejtpërdrejta për qytetarët, duke denoncuar hapur korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore. Në një deklaratë publike, ai i bën thirrje votuesve të mos bien më pre e mashtrimeve dhe të mos japin votën për ata që, sipas tij, janë bërë simbol i keqqeverisjes.

Ziflai ngre shqetësimin se e njëjta skemë abuzimesh që është zbuluar në Bashkinë e Tiranës, po aplikohet tashmë në gjithë territorin, përfshirë edhe qytetet më të varfra dhe më të shpopulluara. Ai nënvizon se qindra milionë euro po përvetësohen përmes tenderave fiktivë dhe mashtrimeve të tjera financiare.

“Edhe fondet IPARD që BE i dedikon fermerëve, në vend që të shkojnë për zhvillimin e fermave tuaja, përfundojnë në xhepat e familjarëve të tyre,” shkruan Ziflai. Ai e cilëson të papranueshme që qytetarët të detyrohen të emigrojnë, ndërkohë që “ata që i kanë zhytur në varfëri, pa turp kërkojnë sot votat tuaja.”

Mesazhi i tij është i qartë: votuesit të mos mbështesin më individë që janë nën hetim apo objekt i SPAK-ut për abuzime me fondet publike. Në vend të kësaj, ai u bën thirrje të zgjedhin ndryshimin, dinjitetin dhe përfaqësimin e ndershëm.

“Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Qytetarët e Gjirokastrës dhe gjithë Shqipërisë meritojnë më shumë se skema korrupsioni dhe fjalë boshe,” përfundon Ziflai.

Deklarata e plotë e Dorjan Ziflait në rrjetet sociale:

Boll u mashtruan, ju meritoni më shumë.

Çdo ditë shikojmë që e njëjta skemë korrupsioni, si ajo e ndërtuar në Bashkinë Tiranë, funksionon në të gjitha bashkitë, duke mos kursyer as qytet më të varfëra dhe më të shpopulluara të vendit.

Çdo ditë po zbulohen afera qindra milionë euro të dhuruara familjarëve të tyre me tendera fiktiv dhe makinacione të ndryshme, duke mos kursyer as fondet e IPARD për fermerët, që në vend që të vinin tek ju për të rritur fermën tuaj, i kanë çuar në xhepat e familjarëve të tyre.

Ndërkohë që familjarët tuaj largohen për një jetë më të mirë, ata pa pikë turpi sot kërkojnë votat tuaja, jo për t’ju shërbyer juve, por për të vazhduar skemën që kanë ngritur për të vjedhur jo vetëm fondet e shtetit shqiptar por edhe ato të BE-së, që supozohet t’i vijnë në ndihmë fermerit, bujkut, biznesit dhe qytetarëve shqiptarë.

Mos ua jepni votën atyre që janë objekt i SPAK-ut, sepse kanë vjedhur lekët tuaja, djersën tuaj, mundin e fëmijëve tuaj që enden rrugëve të botës, për shkak se ky vend po vidhet çdo ditë duke përdorur skema nga më të ndryshmet.

Mjaft u mashtruat, ju meritoni më shumë.

#Voto4
#Votonipërfamiljentuaj
#Votopërdinjitet

Exit mobile version