Dortmundi në finalen e Kupës, sfidon Bayernin

Do të diskutohet mes Borussias së Dortmundit dhe Bayern Munich, finalja e Kupës së Gjermanisë që do të zhvillohet në datën 21 maj në stadiumin Olympiastadion të Berlinit. Në të njëjtin impiant Borussia e Thomas Tuchel mposhti me rezultatin e thellë 0-3, Herthën e Berlinit në gjysmëfinalen e dytë të këtij kompeticioni, duke siguruar kështu biletën e finales. Verdhezinjtë arritën të zhbllokonin shifrat pas vetëm 21 minutash lojë me Gonzalo Castron, e cili realizoi një gol të bukur nga limitet e zonës.
Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërkohë që për t’i vendosur kapak fitores së Dortmundit dhe gjithashtu kualifikimit në finalen e Kupës, menduan Marco Reus dhe Henrik Mkhitarayan që në minutat 75 dhe 83 realizuan edhe dy herë të tjera në portën e Herthës. Në Olympiastadion të Berlinit gjithçka u mbyll me një fitore të pastër të Dortmundit që u kualifikuan në finalen e Kupës së Gjermanisë për të tretin vit radhazi këtë herë me synimin për ta fituar këtë trofe, të cilit në dy sezonet e kaluara i ka shkuar me të vërtetë shumë afër, por pa mundur ta shijojë atë.
Ndërkohë, Mario Gotze deklaroi se e ardhmja e tij te Bayern Munich mund të vendoset pas Europianit të Francës, duke mos e përjashtuar mundësinë e largimit nga “Allianz Arena”. Lojtari gjerman këtë sezon është lënë shpesh herë në stol nga trajneri Guardiola, dhe Gotze nuk dëshiron që kjo situatë të zgjasë më. Sulmuesi kërkohet me këmbëngulje nga Liverpool, ku te The Reds do të gjente edhe trajnerin Jurgen Klopp. Megjithatë Gotze tha se do të bisedojë edhe me trajnerin e ri të bavarezëve, Ançelotin para se të marrë vendimin përfundimtar.

Artikulli paraprakBarcelona, Atletico apo Real?
Artikulli tjetër1 fitore larg titullit