Edhe pse jemi disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, Tom Doshi shprehet i sigurt se do të jetë përsëri deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai nuk specifikoi nëse do të jetë sërish pjesë e listave të Partisë Socialiste apo do të kandidojë për ndonjë subjekt tjetër politik apo do të dalë si i pavarur.
Këtë deklaratë, deputeti Doshi e bëri në dalje të Gjykatës së Tiranës, ku u pyet me cilësinë e dëshmitarit në procesin penal ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për vrasje dhe ndërtim të paligjshëm. Për këtë të fundit, u pyet edhe deputeti Doshi, i cili vite më parë ia kishte shitur Frrokut ndërtesën e njohur si ish-hotel “Pensioni” në hyrje të rrugës së “Durrësit” në kryeqytet. Doshi i tha Gjykatës, se ajo ndërtesë është rikonstruktuar dhe nuk ka pasur ndonjë ndërtim të paligjshëm, pasi edhe tenda e rikonstruktuar është bërë për të mbrojtur materialet nga shiu. Për këtë fakt, Doshi tha se ish-deputeti Frroku nuk ka bërë ndonjë ndërtim të paligjshëm, duke shprehur habi për ngritjen e kësaj akuze.
Por gjatë seancës, ka pasur edhe një moment “delikat” mes tij dhe prokurorit të çështjes. Ky i fundit ka bërë një lapsus, duke e quajtur të pandehur Tom Doshin. Deputeti ia ka kthyer me fjalët “Ju pëlqen shumë të më thërrisni i pandehur…”, ndërsa prokurori i ka kërkuar ndjesë, duke shtuar se ishte një lapsus i tij.
Doshi është shprehur se do të jetë deputet edhe në zgjedhjet e vitit 2017, pa saktësuar se nga cila parti politike. Kujtojmë këtu që ai është përjashtuar nga Partia Socialiste.
Më pas, procesi gjyqësor ka vazhduar me pyetjen e një dëshmitari tjetër të akuzës, i cili ka treguar takimin e familjarëve të Frrokut me familjarët e viktimës Aleksandër Kurti, ku ish-deputeti është betuar para burrave se nuk ka gisht në vrasjen e tij në vitin 1999 në Belgjikë.