Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vënë në sekuestro pronat e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka si dhe të familjarëve të tij.
Burime nga prokuroria thanë se, pronat janë sekuestruar në kuadër të hetimeve të nisura në vitin 2016 që kanë të bëjnë me “Dosjen 339”.
Pronat e e sekuestruara janë rreth 300 mijë metra katrorë tokë në Lezhë e Shëngjin në zonat, Mali i Rrenzit, Shëngjin, Rana e Hedhur, Laguna e Lezhës, si dhe disa apartamente në plazh.
Pronat e sekuestruara kapin një vlerë prej reth 40 milionë euro. Prokuroria pretendon se kjo sipërfaqe toke, e gjitha në bregdet është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme e duke falsifikuar dokumentat.
Dy prokurorët që vendosën për sekuestron e kësaj pasurie janë Vladimir Mara e Dritan Prençi. Ndoka dhe disa familjarë të tij u arrestuan muaj më parë në kuadër të operacionit Volvo 4, ndërsa aktualisht Ndoka është në arrest shtëpie.
Ndoka: Nuk kam asnjë metër…
Arben Ndoka ka reaguar pas lajmit se Prokuroria ka sekuestruar prona të ish-deputetit dhe familjarëve të tij.
Ndoka, në një postim në Facebook, shprehet se ai nuk ka asnjë pronë.
“Shpesh here viteve te fundit qe pas angazhimit tim ne politike, akuzat ndaj meje hiperbolizohen. Nuk e di ku jane keto prona qe me paskan konfiskuar mua, kur une nuk kam asnje meter toke askund.
Pse nuk e dokumentoni me fakte atehere meqenese me papergjegjshmerine me te madhe postoni lajme te tilla mediokre? Prokuroria mund te sekuestroje dhe detin Adriatik, por une nuk kam asnje meter toke te sekuestruar e as te pa sekuestruar. S’ka shans as prokuroria, as portalet, as oficeret gjyqesor profesionist te konstatojne prona apo firma te falsifikuara qe kane te bejne me mua. Akuzat ndaj meje dhe arrestimi im dihet ku e ka bazen”, shprehet Ndoka.