Nga Boldnews.al
Dosja hetimore 339 e Krimeve të Rënda, fillimisht “dogji” politikisht ish-ministrin e Brendshëm. Por tashmë ajo ka arritur në pikën që të rrëzojë edhe Edi Ramën. Disa përgjime të publikuara nga “Zëri i Amerikës” faktuan atë që dihet në Shqipëri-punësimin e militantëve partiakë në administratën publike, një proces që realizohet nga shumë zyrtarë të lartë socialistë.
Kryeministri Edi Rama nxitoi që ta konsiderojë “kazan mediatik” edhe ‘Zërin e Amerikës”, në tentativë për të zhvlerësuar raportimin, si edhe për të sfumuar publikime të tjera të ngjashme nga media e Uashingtonit.
Edi Rama është në dijeni të fakteve që gjenden brenda dosjes 339, si edhe përfshirjes në faqet e saj të përgjimeve të shumë zyrtarëve të lartë dhe njerëz të stafit të tij të ngushtë, emra të cilët ende nuk janë publikuar. Ndaj, kryeministri zgjodhi që të sulmojë që në hapin e parë “Zërin e Amerikës”, për t’i paraprirë kronikave të tjera me këtë tematikë të televizionit amerikan, si edhe me qëllim për të bindur militantët e tij se kronikat mbi abuzimet në administratën shqiptare nuk janë të vërteta.
Ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtues të lartë shtetërorë dhe lokalë gjenden në dosjen voluminoze 339, për të cilën Edi Rama dhe stafi i tij i ngushtë janë munduar që ta mbajnë sa më larg vëmendjes së opinionit publik. Drejtuesit e lartë qeveritarë janë munduar të joshin me premtime e favore “shefet” e Prokurorisë, në këmbim të heshtjes për skandalet shtetërore që gjenden në dosjen hetimore.
Por, sërish, përgjimet “rrodhën” në media e, për më tepër, tek “Zëri i Amerikës”, për të cilën, shumëkush në Tiranë është i bindur që luan “lojën” e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Kohët e fundit, “VOA” është treguar agresive ndaj qeverisë së Edi Ramës. Disa kronika lidhur me skandalin e kompanisë “amerikane” që fitoi tenderin e Unazës së Re me dokumenta të fallsifikuara kanë krijuar shqetësim në institucionet qëndrore në Tiranë.
Tashmë, përgjimet e dosjes 339, ku politikanë të lartë të maxhorancës, madje edhe njerëz të besuar e të stafit të ngushtë të Edi Ramës, gjithashtu sollën një pështjellim të madh tek qeveria dhe kreu i ekzekutivit.
Edi Rama është përpjekur të sfumojë shumë skandale të publikuara nga media shqiptare, nëpërmjet kërcënimeve, joshjes apo tenderave. Ndërkohë që qëndrimi kritik dhe zbulimi i skandaleve nga media përtej oqeanit duket si një sinjal i kuq për kryeministrin e Shqipërisë.
Pyetja që mbizotëron në ambjentin politik e mediatik shqiptar është ajo mbi faktin se cili është “burimi” i publikimit të informacionit. Burime të larta qeveritare e kanë një përgjigje, pavarësisht se e thonë “nën zë”.
Dyshimet kryesore bien mbi ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, njeriun që u largua me urgjencë nga qeveria për shkak të dosjes 339. Xhafaj ishte njeriu që kontrollonte Prokurorinë, krahas Policisë që ishte nën varësinë e tij formale.
Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ishte një “investim” i klanit Xhafaj në Partinë Socialiste. Në këmbim të zgjedhjes në krye të institucionit të Akuzës, Arta Marku e “dorëzoi” të gjithë aktivitetin e Prokurorisë në duart e Fatmir Xhafaj.
Burime nga Prokuroria deklaruan disa kohë më parë se ish-ministri i Brendshëm kishte informacione në kohë reale për hetimet në dosje të rëndësishme, ku kryesorja ishte ajo me numër 339.
Xhafaj, duke përdorur Prokurorinë e Krimeve të Rënda për interesa personale në luftën e klaneve brenda Partisë Socialiste, u dha udhë disa arrestimeve, gjithësesi të nxituara, për dy ish-deputetët Arben Çuko e Arben Ndoka. Hetimet pritet të vijonin me prangosjen e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Por, “ekspansioni” i Xhafajt ndaj njerëzve të afërt të Edi Ramës u ndalua në mënyrë të menjëhershme nga ky i fundit, i cili e shkarkoi ministrin e Brendshëm vetëm me anën e një “cicërime” në Tëitter.
Pas shkarkimit (dorëheqjes) së Xhafajt, situata brenda kampit socialist u duk se u qetësua. Deri në javën e parë të Janarit 2019, kur “dikush” që ka ruajtur përgjimet në sirtarët e tij, vendosi t’i publikonte, pikërisht në periudhën më të vështirë të qeverisjes së Edi Ramës, duke i servirur “në një pjatë të ftohtë”.