Dosja “Çopja”, SPAK zbardh nofkat! Njihuni me “Krymin”, “Katnarin”, “Kokçamin” apo “Marokun”

Do hapen dosjet e Tarzanit edhe Kasatit edhe Shukurinit. Janë 5 qen t’ngordh”. Fraza jo e kuptueshme për shumë kënd i përket bisedave të bërë në aplikacionin SkyEÇ, të administruara nga SPAK në dosjen hetimore ndaj grupit kriminal i dyshuar që drejtohet nga Franc dhe Hajdar Çopja, raporton gazetari i A2.

Ndonëse në një platformë elektronike, që mendohej si e sigurt nga bota e krimit, shpesh anëtarët e organizatës kanë shmangur përdorimin e emrave të partnerëve të tyre në kërkim apo të personave të “shënjestruar” për t’u ekzekutuar, duke iu referuar me nofka.

Kështu për të shumëkërkuarin nga drejtësia, Talo Çela, grupi i tij, apo kundërshtarët i referohen si “Katnari”, apo “Moma”. Endrit Alibej, një prej viktimave të masakrës së Bradasheshit të dhjetorit 2018, njihej si “Tarzani”. Vëllai i tij, Erjon Alibej, aktualisht i arrestuar dhe i penduar i drejtësisë e më herët shënjestër e grupit Çopja, përmendej si “Krymi”. Nofka “Luli” i përkiste të penduarit tjetër i drejtësisë, Nuredin Dumani, deklarimet e të cilit “zbërthyen” përplasjet e grupeve kriminale të Elbasanit, transmeton A2.

Në të njëjtat komunikime në Sky, vëllait të tij, Dashnor Dumani, i dyshuar për masakrën e Bradasheshit dhe vrasje të tjera, i referoheshin si “Cjapi”.

Mikael Qosja, i njohur dhe si Kel Kamami, i akuzuar nga SPAK si organizator i masakrës, mbante dhe nofkën “Maroku”, ndërsa Eljo Bitri, vëzhgues e informator në ngjarje, ishte “Delja”. Klevis Alla, i dënuari me 25 vite burg për vrasjen e vëllezërve Haxhia në prill 2020 në Durrës, identifikohet nga anëtarët e grupit si “Kaçuli”, ndërsa Altin Ndoci, ekzekutor në ngjarjen e Bradasheshit, mbante nofkën “kokçami”, shkruan A2.

Aldo Baho, i plagosur në korrik të 2019 në Broshkë të Elbasanit, ngjarje ku mbeti i vrarë vëllai i tij, anëtarët e grupit Çopja e përmendin në bisedat e tyre me nofkën “Sakati”. Hetimi i deritanishëm nuk i ka zbardhur të gjithë pseudonimet e përmendura në bisedat e transkriptuara, siç është një shqetësim i një personi të paidentifikuar tek pyet Mikel Qosen nëse “Lupeni” dhe “Milani” po bëjnë lojë të dyfishtë.

Exit mobile version