Disa nga kërkesat dhe pyetjet më pikante të PD
📌 Një nga kërkesat më interesante të Komisionit Hetimor për Incineratorët është ajo drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, e cila zbulon lidhjet e afërta direkte të Arben Ahmetajt me Mirel Mërtirin, njërin nga përfituesit e incineratorëve. Bëhet fjalë per dosjen e drejtësisë maqedonase, e cila zbardh aksidentin e ndodhur në 16 Korrik 2017, ku ngelën të plagosur Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri. Komisioni hetimor i kërkon Ministrisë së Drejtësisë “që t’i drejtohet autoriteteve gjyqësore të drejtësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për ndihmë juridike lidhur me aksidentin e datës 16.07.2017, pranë qytetit të Kumanovës, ku u përfshi ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe shtetasi shqiptar Mirel Mërtiri. Ndihma juridike e kërkuar konsiston në vënien në dispozicion të dosjes së plotë hetimore dhe gjyqësore që disponojnë autoritetet maqedonase lidhur me këtë çështje.”- thuhet në kërkesën për Ministrinë e Drejtësisë.
📌 Ka edhe të tjera lidhje të Arben Ahmetajt me përfituesin tjetër të incineratorëve, Klodian Zoto. Ato nisin që me kompaninë e zotëruar nga Arben Ahmetaj “H Comunication”. Për këtë arsye, i kërkohet QKB-së të vendosë në dispozicion çdo dokument të shoqërisë Hermes H-Communication, për ortakët, administratorët etj, si dhe t’u përgjigjet pyetjeve se cilët janë pronarët përfitues të shoqërive që përfitojnë nga koncesionet dhe PPP i incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
📌 Hetimi do të zbardhë edhe çështje të tjera me rëndësi, që do të hedhin dritë edhe mbi largimin nga detyra të Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, i cili kundërshtoi ndërtimin e incineratorëve. Komisioni hetimor i kërkoi Ministres së Mjedisit “Vënien në dispozicion të objeksionit të ish-ministrit të Financave Z. Shkëlqim Cani lidhur me incineratorin e Fierit; dokumentat e dhënies së bonusit dhe projekti fitues; kërkesën e koncesionarit dhe miratimin tuaj për shitjen e kuotave të kompanisë fituese të projektit për inceneratorin e Fierit”.