Mbrëmjen e së martës janë arrestuar edhe një notere dhe një avokat, të dyshuar për “falsifikimin e dokumenteve” dhe “shpërdorimin e detyrës” në Vlorë. Sipas njoftimit zyrtar të organit të akuzës, mësohet se këto veprime kanë ardhur në vijim të hetimit të Prokurorisë së Vlorës, ku u sekuestrua 220 ha truall në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun.
Prokuroria e Vlorës urdhëroi kontrollin e zyrës noteriale dhe avokatore, proces i cili u krye në bashkëpunim me Policinë Vendore. Në vijim të kontrollit, në zyrën e noteres Belona Seraj dhe avokatit Enkes Hysendhima, u gjetën një numër i lartë dokumentesh të falsifikuara.
Në bazë të këtyre rezultateve, është ndërhyrë me arrestimin në flagrancë të këtyre personave nga ana e Policisë. Prokuroria e Vlorës po vijon hetimet për rastin, ku dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Reagon edhe Policia e Vlorës
Në kuadër të procedimit penal nr. 266/2016, nën hetim që prej 3 muajsh dhe në vijim të sekuestros që u bë për 220 ha tokë në Gadishullin e Karaburunit, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë bërë arrestimin e 2 shtetasve si dhe shpalljen në kërkim të 1 tjetri për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Arrestohen në flagrancë shtetasit e quajtur:
1. Enkes Hysendhima, 35 vjeç, banues në Orikum, me profesion “Avokat”.
2. Belona Seraj, 29 vjeç, banuese në Vlorë, me profesion “Notere”.
Shpallet në kërkim shtetasi:
3. P. P., 52 vjeç, banues në Vlorë “biznesmen”.
Në bazë të këtij hetimi të përbashkët, duke filluar me sekuestrim të kësaj sipërfaqe të gjërë toke, janë ushtruar kontrolle nëpër banesat dhe zyrat e këtyre shtetasve dhe janë gjetur gjurmë dhe prova, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”.