Një operacion ndërkombëtar i koduar “URA”, i zhvilluar nga autoritetet shqiptare dhe italiane, ka shkatërruar një prej grupeve më të fuqishme të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave me bazë në Durrës.
ALFAPRESS.AL ka siguruar dosjen ekskluzive që hodhi themelet e nisjes së këtij megaoperacioni, i cili nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe përfshiu një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet SPAK, Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit, Interpolit dhe Eurojust-it.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Alfapress.al, hetimet kanë zgjatur më shumë se një vit dhe janë ndërtuar mbi zbërthimin e komunikimeve të aplikacionit të koduar Sky ECC, si dhe mbi dëshminë kyçe të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
52 masa sigurie, 42 të arrestuar dhe 10 në kërkim
Nga 52 masa sigurie (51 urdhër-arresti dhe një ndalim), janë ekzekutuar 42, ndërsa 10 persona janë ende në kërkim, mes tyre Ervis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, më herët i dënuar për trafik droge.
Sipas dosjes së siguruar nga Alfapress.al, në banesën e Doçit një vit më parë janë sekuestruar 3 milionë euro cash. Ndaj tij SPAK kishte lëshuar një urdhër-arrest të mëhershëm.
Në Shqipëri, GJKKO ka lëshuar 29 masa arresti me burg, jo vetëm për anëtarët e grupit kriminal, por edhe për përfaqësues të sistemit të drejtësisë, policisë, pronarë biznesesh dhe zyrtarë publikë.
Ndër të arrestuarit janë:
Armand Tragaj, avokat në Durrës, i përfshirë në katër episode të ndikimit të paligjshëm.
Ligor Çombashi, administrator i një agjencie udhëtimesh.
Një ish-punonjës policie dhe shtetasi Orges Molla.
Sipas dosjes ekskluzive të siguruar nga Alfapress.al, grupi kriminal ka trafikuar heroinë dhe kokainë që prej vitit 2016. Janë dokumentuar 40 episode kriminale, përfshirë 30 sekuestrime droge në Itali dhe 10 në Shqipëri e vende të tjera të BE-së. Vlera totale e këtij trafiku kap shifrën e 7 milionë eurove.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kreu i SPAK Altin Dumani, Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, drejtori i Antimafias Italiane Gjeneral Michele Carbone dhe përfaqësuesi i Eurojust për Italinë Gianluca Forlani theksuan se ky është një hap i madh në luftën kundër krimit të organizuar.
“I është dhënë një goditje një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave,” u shpreh Altin Dumani.
Kush janë drejtuesit e organizatës?
Sipas informacioneve të dosjes ekskluzive të siguruar nga Alfapress.al, organizata kishte si drejtues kryesor Xhevdet Troplinin, ndërsa bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin Adi Çoba dhe Elvis Doci (Visi i Pojës).
Dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani ka ndihmuar ndjeshëm në zbërthimin e rolit të secilit anëtar brenda këtij grupi të strukturuar kriminal.
Pasuri të sekuestruara në Shqipëri – 3 restorante, 1 televizion dhe kompani të shumta
Në kuadër të operacionit “URA”, SPAK ka sekuestruar pasuri të shumta që dyshohet se janë përdorur për pastrimin e parave. Sipas dosjes së siguruar nga Alfapress.al, janë vendosur nën sekuestro:
3 restorante në Durrës,
1 bar-kafe,
6 shoqëri tregtare,
1 televizion në qytetin e Vlorës.
Operacioni “URA” është një hallkë e re e një serie goditjesh të mëdha të mafias dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe Itali, të ndjekura më herët nga operacionet “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti”.
Alfapress.al, që ka siguruar dosjen ekskluzive të këtij operacioni, vijon të ndjekë hap pas hapi zhvillimet, me detaje të reja që pritet të publikohen në ditët në vijim./Alfapress.al