Dosja “Habilaj”, arrest me burg për dy ish-drejtorët e policisë

 

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi arrest me burg për dy ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës pas kërkesës së Prokurorisë që i dyshon ata për trafik droge, kultivim kanabisi dhe shpërdorim detyre. Për ish-drejtorin e Vlorës Jaeld Çela dhe ish-shefin Kundër Krimit të Organizuar, Gjergj Kohila, Krimet e Rënda aprovuan masën e arrestit në mungesë, ndërkohë që më herët është shpallur i njëjti vendim edhe për ish-shefin e Postës Kufitare Dhërmi, Sokol Bode.
Sipas hetimeve, ata kanë bashkëpunuar me grupin e “Habilajve”, të cilët gjatë katër viteve të fundit kanë trafikuar drejt Italisë tonelata me kanabis.
Prej shtatë ditësh të tre ish-zyrtarët e lartë të policisë janë në kërkim, pas një urdhër ndalimi të firmosur nga grupi i prokurorëve që po hetojnë dosjen më sensitive për momentin. Por mos arrestimi i tre ish-shefave hodhi dyshimet se operacioni për kapjen e ish-zyrtarëve ishte dekonspiruar, një dyshim, i cili ende nuk ka një përgjigje se përse nuk u finalizua me sukses prangosja e ish-shefave të policisë. Siç mësohet nga burimet dyshohet se, Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode kanë favorizuar grupet kriminale për të kultivuar kanabis sativa gjatë viteve 2015-2016 në fshatrat e Vlorës.
Ndërkohë thuhet se njëri prej tyre gjatë kohës që kishte detyrë të luftonte krimin, komunikonte në telefon me personazhe problematike me ligjin sikurse është i kërkuari nga dosja Habilaj-Tahiri, Florian Habilaj. Pas dhënies së këtij vendimi, pritet që autoritetet të shpallin në kërkim ndërkombëtar të tre ish-zyrtarët.
Përveç vendosjes nën lupë të dosjes italiane tashmë të përkthyer, hetimet po vazhdojnë edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në Këshillin e Mandateve më herët prokurorët kërkuan autorizimin për arrestimin e tij, ku dhe u aprovua kontrolli i banesës. Kur ka kaluar më shumë se një muaj për këtë dosje dhe pas një fluksi veprimesh hetimore parashikohet që së shpejti akuza të rishikojë qëndrimin e saj.

Exit mobile version