Dosja “K”, 31 pinjollët e krimeve të diktaturës

Po fshihen krimet e mëdha për të spostuar vëmendjen tek peshqit e vegjël të diktaturës. “RD” do të bëjë transparencë të plotë për këto krime ashtu sikurse ka bërë përgjatë gjithë këtyre 25 viteve pa kursyer askënd. Rama po kërkon të pastrojë veten duke e bërë shoqërinë që të merret me spiunët e lagjeve jo me kokat e genocidit komunist

Kanë vendosur të hapin dosjet e Sigurimit famëkeq të Shtetit. Bënë një ligj dhe e miratuan po vetë. Ngritën një komision ku njerëzit i emëruan po vetë. Thanë se do të bëjnë drejtësi për të shkuarën dhe se do të nxjerrin në shesh të gjitha të vërtetat e regjimit diktatorial. Në të vërtetë e gjitha është një farsë e shëmtuar e pinjollëve të diktaturës. Qëllimi final i atij ligji të miratuar ka qenë vetëm të fshihen krimet e diktaturës. Ligji synon vetëm hapjen e dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Po ku janë këto dosje? A ekzistojnë ato apo janë thjesht dhe vetëm një manovër për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga krizë e rëndë politike dhe ekonomike që ka mbërthyer vendin?
Drejtues të Shërbimit Informativ gjatë kohës që vendi është qeverisur si nga e majta dhe nga e djathta kanë deklaruar se dosjet e Sigurimit të Shtetit janë asgjësuar në mënyra të ndryshme në kohën, kur regjimi diktatorial ishte në momentet e fundit të tij. Emrat e peshqve të mëdhenj nuk janë dhe nuk do të gjenden. Këta drejtues të Shërbimit Informativ kanë pohuar se në dosjet që kanë mbetur mund të ketë ndonjë peshk të vogël dhe të pavlerë. Në të vërtetë kjo i duhet pinjollëve të Bllokut. Të mbyllin zhurmën e dosjeve për të rehabilituar veten. Ata po kërkojnë përmes këtij procesi farsë të nxjerrin veten e tyre të pastër, kur në të vërtetë krimet e tyre janë të dokumentuara në memorien historike të këtij kombi.
Ky vend ka nevojë për hapje dosjesh, por nevoja më e madhe e këtij vendi është dënimi i krimeve të komunizmit, dënimi i të gjithë etërve të diktaturës së djeshme dhe që sot i kanë pinjollët në krye të drejtimit të vendit. Rama kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e babait të tij që ekzekutoi me varje në litar poetin Havzi Nela dhe të bëjë që opinioni të mos merret me atë kriminel, por të merret me spiunët e lagjeve. Dëmi i spiunëve të lagjeve ka qenë vërtetë i madh, por ai dëm nuk mund të krahasohet kurrsesi me dëmin që kanë shkaktuar etërit e Edvinit dhe të bandës që e rrethon. Nëse duhet të bëhet drejtësi për krimet e diktaturës, atëherë ato duhet të nisin nga Kristaq Rama meqë i biri i tij sot drejton vendin. Pastaj le të merremi edhe me spiunët e lagjeve. Ky ligj që Rama ka miratuar në Parlament kurrë nuk do të mund të fshehë të vërtetën e krimeve të regjimit që përfaqësonte dje Kristaq Rama. Përkundrazi, ai do të jetë një motiv më shumë për të kërkuar drejtësi në emër të atyre qindramijëra viktimave të pafajshme të së djeshmes.
Drejtësi nuk bëhet, duke treguar dosjet e spiunëve të lagjeve apo të fshatrave. Drejtësi bëhet si ajo që ndërmorri Gjermania Lindore që i dërgoi para drejtësisë përgjegjësit e diktaturës. Këtë kanë bërë edhe shumë vende të tjera të Europës Lindore dhe pak ose shumë pak janë marrë me spiunët e lagjeve, ndërkohë që në Shqipëri po ndodh e kundërta. Po fshihen krimet e mëdha për të spostuar vëmendjen tek peshqit e vegjël të diktaturës. “RD” do të bëjë transparencë të plotë për këto krime ashtu sikurse ka bërë përgjatë gjithë këtyre 25 viteve pa kursyer askënd. Sot po botojmë vetëm një pjesë të dosjeve të pinjollëve të krimeve të diktaturës. Në ditët e ardhshme do të dalin fakte dhe dosje të reja.
“RD”

31 dosjet e para

-Edi Kristaq Rama, kryeministër, djali i anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Kristaq Rama, firmëtar në ekzekutimet e disidencës shqiptare, rasti më flagrant ai i poetit Havzi Nela. Po ashtu nip i anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka.

-Gramoz Kaso Ruçi, kryetar i grupit kuvendor të PS-së. Ish-sekretar partie e Sekretar i Parë i Komitetit të PPSH-së së Rrethit të Tepelenës. Ish-ministër i Brendshëm në vrasjet në kufi dhe masakrën e 2 Prillit në Shkodër.

-Taulant Kasem Balla, nënkryetar i grupit kuvendor të PS-së. Babai instruktor i Komitetit të PPSH-së në Librazhd.

-Ilir Hamit Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Djali i Hamitit instruktor në KQ të PPSH-së dhe ndihmës i Nexhmije Hoxhës.

-Ditmir Sulejman Bushati, ministër i Punëve të Jashtme. Djali i Sekretarit të Parë të komiteteve të PPSH-së në disa rrethem ku ka ushtruar genocid me persekutimin e shqiptarëve.

-Milva Ekonomi, ministre e Ekonomisë. Nusja e djalit të ministrit të diktaturës, Piro Dodbiba.

-Besnik Mit’hat Bare, deputet i PS-së. Babai i tij ka qenë kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i burgjeve. Ka patur një rol të rëndësishëm në masakrat ndaj shqiptarëve.

-Blerina Guri Gjylameti (Maçolli), deputete e PS-së. Nuse e djalit të ish-oficerit e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Robert Gjylameti.

-Besnik Rrapo Dervishi, kryetar i Komisionit për Informimin, i biri i ish-anëtarit të KQ të PPSH-së dhe ministër i përjetshëm.

-Vexhi Adem Muçmata, deputet i PS-së, ish-hetues i diktaturës.

-Erion Luan Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Djalë i dy ushtarakëve të regjimit. Familje enveristësh, si nga fisi i vet ashtu edhe nga nëna, fisi Ormënaj.

-Fatmir Sazai Xhafaj-instruktor i Komitetit të Rinisë. Bashkëshortja vajzë e Hymer Berberit, funksionar në disa ambasada.

-Blendi Pëllumb Klosi, ministër i Mirëqenies. Djalë ushtarakësh të regjimit diktatorial.

-Ervin Alfred Bushati, deputet i PS-së, nip i persekutorit me damkë Myftar Tare.

-Saimir Bashkim Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme. Është nip i oficerit të Sigurimit, Mehmet Kapaj, me profesion bari dhensh. Njihen bëmat e tij në vitet 1966-1982 në Tepelenë, Ersekë apo Elbasan në spiunimin e banorëve të zonës dhe persekutimin e tyre.

-Bledar Melsed Doracaj, drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. Është nip i Hysen Doracajt, kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet 1975-1986.

-Blerina Doracaj (Shtylla), këshilltare e ministres Milena Harito (Shteto). Bashkëshorte e Bledarit. Është vajzë e oficerit të MPB-së, Ilir Shtylla dhe evidencieres së Sigurimit të Shtetit, Natasha Kamberi.

-Bekim Osman Murati, Drejtor i Prefekturave në MPB. Është djali i ish-Sekretarit të Parë të Dibrës. Për ata që kanë harruar, shoku Osman ka qenë edhe ministër i Tregtisë në kohën e tollonave, në vitet 1982-1990.

-Irma Dashamir Bime, drejtore e Arkivit. Bija e oficerit të Sigurimit të Shtetit, i cili ka qenë zëvendëskryetar e më pas zëvendësdrejtor i Punëve të Brendshme në Tiranë. Si injorant që ishte mbiemrin e shkruante gjithnjë gabim në “Bimi” e jo “Bime”.

-Zihni Nazif Bime, shef i Burimeve Njerëzore në MPB, ish-oficer Sigurimi. Xhaxhai i Irma Bimes.

-Besnik Shehu, ish-oficer Sigurimi, këshilltar i ministrit Saimir Tahiri.

-Valbona Subhi Kaso, drejtoreshë e Përgjithshme në MPB. E bija e oficerit të Sigurimit.

-Julia Arqile Done, Drejtoreshë e Përgjithshme në MPB. Mbesa e Sekretarit të Komitetit të PPSH-së në Tepelenë, Fone Done.

-Arben Skëndo, drejtor i SHKB-së në MPB, ish-oficer Sigurimi në katunde.

-Fatjola Sokol Lubonja, drejtore në MPB, mbesë e shoferit të Enver Hoxhës me mbiemrin Pullazi.

-Loris Frederik Ymeri, drejtor i kabinetit të ministres Milena Harito. Është djali i drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1990.

-Milena Fatos Harito (Shteto), ministre pa ministri. Është mbesë e anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Qirjako Harito, si dhe në lidhje me familjen Koleka.

-Bledar Triumf Çuçi, ministër pa ministri. Është nipi i oficerit famëkeq të Sigurimit të Shtetit, Edip Çuçi.

-Endri Përparim Fuga, drejtor komunikimi i Kryeministrit. Nip i dy funksionarëve të lartë të regjimit si Myqerem Fuga dhe Iljaz Reka.

-Sonila Llambi Gegprifti (Qato), drejtore e përgjithshme, vajzë e kandidatit të Byrosë Politike dhe ministër.

-Mimi Pjetër Kodheli, ministre e Mbrojtjes. Babai instruktor në Komitetin Qendror të PPSH-së.

-Arian Skënder Kraja, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Babai ka qenë hetues në procese politike.

-Fatos Iljaz Reka, ambasador në Maqedoni, ish-oficer i Sigurimit të Shtetit.

-Ervin Bilbil Mete, zëvendësministër i Financave, drejtues i Partisë Komuniste G99. Djali i hetuesit të Sigurimit.

Një tjetër firmë e Kristaq Ramës për dënim me vdekje në 6 prillit 1987

Bëhet fjalë për ekzekutimin e një të riu nga Dibra, i ekzekutuar në vitin 1987, pak javë pasi Kristaq Rama kishte filluar detyrën në organin kolegjial të quajtur Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Në zgjedhjet për Kuvendin Popullor të 1 shkurtit 1987, Kristaq Rama, përveçse “u zgjodh” deputet i rrethit Durrës, kishte nderin që të ishte për herë të fundit në jetën e institucionit, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këtu zgjidheshin njerëzit më të devotshëm të regjimit. Presidiumi nuk ishte gjë tjetër veçse kopjim i Presidiumit të Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik. Në rolin e kryetarit të shtetit, Presidiumi kishte kompetencën të falte ose jo jetën e personave të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Kristaq Rama, skulptori i regjimit, i veshur me titullin “Artist i Popullit”, këtë herë për të dënuar “armiq të popullit”, kishte rastin të vinte një firmë të tij në marrje jete të dënuarish. Sigurisht, dëshira do të ishte e madhe të kishte qenë viti 1946 apo 1947, ku mundësia ishte më e madhe, por ja që kështu vinin punët.
Nuk është vetëm firma për varjen e Havzi Nelës, por në të vërtetë, Kristaqi e filloi me nënshkrimet e 6 prillit 1987, ku pas Ramiz Alisë dhe të tjerëve ka hedhur firmën për ekzekutimin e dy personave, njëri prej të cilëve ishte vetëm 29 vjeç kur do të ekzekutohej.
Më 6 prill 1987, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendoste t’u refuzonte faljen e jetës dy të dënuarve me vendim të formës së prerë, përkatësisht Bujar Jazexhiut dhe Enver Osmanit. 29-vjeçari nga Gjorica e Poshtme e Dibrës, Enver Osmani, akuzohej për “tradhti ndaj atdheut” që në moshën 17-vjeçare. Gjykata Popullore e Dibrës e kishte dënuar më 14 shkurt 1987 me vdekje, vendim i cili ishte ligjëruar dhe kishte marrë formë të prerë nga Gjykata e Lartë më 28 shkurt 1987. Në Gjykatën e Lartë, seanca ishte drejtuar nga zëvendëskryetarja Eleni Selenica, ndërkohë që nuk ka munguar prania e të përhershmit Fehmi Abdiu në gjykimet e këtij lloji. Veç Enver Osmanit ishin dënuar me këtë proces Rifat Marku dhe Besnik Dema.

Varja e poetit, trupin e ngulën në varr vertikalisht

Më 9 gusht 1988, familjarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama nuk e pranoi.
Asnjëherë Havzi Nela nuk bëri kompromis me diktaturën e kasnecët e saj.
Ismail Dida, bashkëvuajtës që nga dita e kthimit nga Prizreni në të njëjtin autoburg, si dhe Mahmut Peposhi, rrëfenin se Havzi Nela ishte në hall edhe në burg, edhe jashtë burgut. Kur ishte në burg, nga fjalët e guximshme që thoshte, nga akuzat e drejtpërdrejta kundër regjimit, shumë të burgosur dyshonin tek Havziu. Edhe ndokush thoshte për të se, mos është i Sigurimit ky që nuk ka hiç frikë. Mos e ka fut Sigurimi që të provokojë të burgosurit e tjerë.
Kur ishte jashtë burgut, të gjithë e shihnin si armik të popullit e të partisë dhe nuk e kishte vendin askund.
Havzi Nela nuk pati të drejtë për një varr. Nuk pati të drejtë të varrosej si gjithë njerëzit e vdekshëm në varr i shtrirë. Atë, policët, varrëmihësit e diktaturës, nuk e shtrinë në varr horizontalisht. Nuk çelën varr për të. Por, e ngulën në gropën e një shtylle vertikalisht. Në gropën e një shtylle që nuk dihej se pse e kishin shkulur. Pasi e shëtitën gjithë ditën e lume nëpër qytet për me tremb njerëzit, në mesnatë, rreth 24 orë pasi ia vunë litarin në qafë dhe pasi e shëtitën, e ngulin në gropën e një shtylle vertikalisht…
5 vite qëndroi në këmbë në varr. Nuk e lejuan të shtrihej e prehej si gjithë të vdekurit…
Pasi iu gjet varri, afër fshatit Kolsh, 3 kilometër larg Kukësit, më 20 gusht 1993, Havzi Nelës iu dha titulli i lartë “Martir i Demokracisë”, nga Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Prej asaj kohe, ai prehet në fshatin e tij të lindjes Kollovoz. Por, prehet edhe në kujtimet dhe shpirtin e të dashurës së tij të zemrës, të gruas që e ndoqi kudo e kurdo, të gruas që diktatura synoi ta deformonte nëpër burgje e kampe përqendrimi, prehet në shpirtin e kujtimet e Lavdie Nelës, e cila nuk reshti së treguari e së foluri asnjë çast për burrin e saj, Havzi Nela, për burrin i cili i shkroi dhjetëra e dhjetëra letra dashurie nga qelitë e burgjeve të diktaturës, për burrin që i dha jetë ëndrrave të saj, për burrin që ia varën, që ia morën nga gjiri dhe nuk i lejuan të lindnin as edhe fëmijë…

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërDixhitalizimi, shumë televizione drejt mbylljes