Njëri nga dëshmitarët e dosjes “Lazarati” nuk është lejuar nga Prokuroria të pyetet gjatë seancës gjyqësore për autorin kryesor të vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Në seancën e djeshme gjyqësore, të zhvilluar me dyer të mbyllura, ka dëshmuar Eligent Basha. Gjatë marrjes në pyetje në një moment, dëshmitari Eligent Basha sqaroi se, ditën e arrestimit punonjësit e policisë i kanë nxjerrë fotografinë e një personi dhe e pyesnin nëse ky ishte “Pablo”. Por në këtë kohë ka ndërhyrë prokurori i çështjes, i cili nuk e ka lejuar të flasë për “Pablon”. Prokurori i është drejtuar trupit gjykues që dëshmitari të mos pyetej për këtë çështje, pasi për “Pablon” ka një hetim të veçuar, i cili vazhdon.
“Pablo” është organizatori dhe autori i ekzekutimit të efektivit të RENEA-s dhe ndodhet ende i lirë. Ka dyshime se ky person ka lidhje me zyrtarë të lartë ndaj dëshmitari nuk është lejuar që të flasë në seancën e djeshme gjyqësore. Identiteti i këtij personi ende nuk dihet, por burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sqarojnë se ai është një nga organizatorët e sulmit ndaj policisë.
Dëshmitari Eligent Basha ka treguar më tej se, pak ditë para ngjarjes ka takuar në kafe Elison Kazmën, i pandehur në këtë proces. Ai i ka thënë se, disa të rinj ishin organizuar në dy grupe dhe do të përzinin policinë nga fshati me qëllim mbjelljen e kanabisit më vonë. Sipas tij, ai nuk ka pranuar të bëhej pjesë, por më pas u shoqërua nga forcat e policisë.
Eligent Basha deklaroi se, ndaj tij është ushtruar dhunë psikologjike për të fajësuar të rinjtë. Në këtë seancë kanë dëshmuar edhe tri efektivë të RENEA-s, të cilët kanë qenë në operacion. Kanë qenë dëshmitë e tyre që detyruan gjykatën të zhvillojë seancën me dyer të mbyllura, për shkak të sigurisë së tyre.
Organizatori i sulmit me armë ndaj Policisë së Shtetit në qershor 2015 në Lazarat, ku mbeti i vdekur efektivi i speciales, Ibrahim Basha, ende nuk është arrestuar, pavarësisht se për këtë akuzë pas hekurave janë të pandehur 11 shtetas. Ky fakt është bërë publik për herë të parë në seancën e djeshme, pas 37 seancave gjyqësore. Në këtë proces janë thirrur si dëshmitarë edhe oficerët e RENEA-s, 4 prej të cilëve tashmë janë lëvizur në detyra të tjera. Ata kërkohen për të treguar se si u qëllua ndaj tyre, disa orë pasi forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin raportuar për të shtëna armësh në Lazarat.
Ibrahim Basha u vra në qershor 2015, ku pas të shtënave me armë në fshatin Lazarat efektivët e speciales u futën për të ndërhyrë, por aty ranë në breshërinë e grupit kriminal. Në qershor të 2016, Prokurori çoi dosjen për gjykim ndaj 11 të pandehurve, për të ashtuquajturën dosja “Lazarati II”, të gjithë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Pesë persona akuzohen për vrasjen e punonjësit të policisë, ndërsa të tjerët për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi. Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim i forcave të policisë.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, atë kohë rezultoi se një grup të rinjsh, nën drejtimin e vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23-24 qershor 2015.
Procesi ndaj 11 të rinjve nga fshati jugor zgjati një vit pasi u aplikua gjykimi i shkurtuar. Por pasi Prokuroria shpalli pretencën duke kërkuar 3 burgime të përjetshme dhe 144 vite burg në total, avokati Ilir Murati kërkoi të zhvillohej gjykimi i zakonshëm. Sipas avokatit, kjo kërkesë vjen për shkak se dëshmia e dëshmitarit Klodian Selimi është kontradiktore dhe e paqartë. Në seancën e kësaj të mërkure, prokurori rilexoi kërkesën për gjykim, ndërsa të gjithë avokatët, përveç Muratit kërkuan sërish gjykim të shkurtuar.